Lidhja e fortë gjermano-franceze
31 Mars 2015Fillimisht janë parë me mosbesim, kristiandemokratja Angela Merkel dhe socialisti François Hollande. Kur Hollande në maj 2012 u bë president i Francës, ai nuk e kishte të lehtë me kancelaren, e cila kishte mbështetur fushatën zgjedhore të paraardhësit të tij Nicolas Sarkozy .
Sidomos në politikën evropiane ka patur dferenca në mes kryeministres më të fuqishme të Evropës dhe "të riut" Hollande, i cili nuk pajtohej me politikën e kursimeve të Merkelit. Vëzhguesit flisnin për një "antipati reciproke".
Për këtë nuk mund të bëhet më fjalë: Të dy ia kanë gjetur anën njëri-tjetrit, gjë që duket sidomos në situata krize. Pas rrëzimit të avionit gjerman Germanwings të dy fluturuan me helikopter mbi vendin e aksidentit në Alpet franceze të bashkuar në hidhërim dhe mbajtën zi për 150 viktimat. "Është një ndjesi e mirë që ne i qëndrojmë pranë miqësisht njëri-tjetrit në një kohë kaq të vështirë", i tha Merkel Hollande. Kjo është "miqësia franko-gjermane e jetuar".
Rritje e besimit
Të martën kancelarja do të presë Hollande me nderime ushtarake në zyrën e kancelares dhe të dy do të zhvillojnë pastaj një bisedë kokë më kokë, para se të marrin pjesë së bashku në seancën plenare të kabineteve. Tragjedia e rrëzimit të avionit, e shkaktuar qëllimisht nga piloti, do të jetë përsëri në rend të ditës.
Rritja e besimit ndërmjet Merkel dhe Hollande u bë e dukshme në janar pas sulmeve ndaj revistës satirike pariziane "Charlie Hebdo": Aty kancelarja, përndryshe e tërhequr, u mbështet pak te Hollande për të shprehur prekjen dhe ngushëllimin.
"Raporti i tyre është bërë shumë më i mirë edhe nga momentet e vështira të përbashkëta", thotë profesor Frank Baasner, drejtues i institutit gjermano- francez në Ludwigsburg. Të dy janë tipa të ngjashëm politikanësh, shumë të kujdesshëm dhe që kërkojnë konsens.
Bisedime deri natën vonë
Jo vetëm situatat e jashtëzakonshme, por edhe iniciativat e përbashkëta politike i lidhin të dy politikanët. Në Minsk Merkel dhe Hollande negociuan me presidentet e Rusisë dhe Ukrainës deri natën vonë për zbatimin e marrëveshjes së paqes për Ukrainën lindore#.
Sipas vlerësimit të Baasner është një "refleks i mirë" i Merkelit për ta përfshirë Francën. "Kjo u jep francezëve përshtypjen se janë një partner i domosdoshëm në Europë, gjë që edhe janë."
Megjithë marrëdhëniet shumë të ngushta ndërmjet Gjermanisë dhe Francës, të cilat shpesh quhen "tandem", "boshti Berlin-Paris", apo "motor i BE-së", ka edhe dallime, veçanërisht në politikën ekonomike.
Sipas këndvështrimit francez Gjermania eksporton shumë duke dëmtuar fqinjët. Nga perspektiva gjermane qeveria franceze nuk po e menaxhon me sukses krizën ekonomike dhe borxhin e lartë të shtetit dhe nuk i zbaton me konsekuencën e duhur reformat.
Dallimet në politikën ekonomike
Kështu Shoqata gjermane e Industrisë (BDI), paralajmëroi para takimit të përbashkët të kabinetit, se qeveria franceze duhet të largojë dyshimet në lidhje me rrugën e saj të reformave. Që Franca ka marrë nga Komisioni Evropian një shtyrje të mëtejshme deri në 2017 për të arritur objektivin e tre për qindëshit për borxhin e ri, do të thotë "një besim i madh evropian", thotë shefi i BDI, Ulrich Grillo.
Por Grillo theksoi gjithashtu se Gjermania dhe Franca kanë të njëjtin një qëndrim në çështjen e Greqisë dhe politikën ndaj Ukrainës. "Që tandemi franko-gjerman funksionon." Këtë e dëshmon edhe votimi i ngushtë në mbledhjet e përbashkëta të qeverive, të cilat mbahen zakonisht dy herë në vit që nga viti 2003, dhe që mbështeten në një traditë të gjatë. Konsultime ndërqeveritare franko-gjermane ka që nga viti 1963.