Liderët e Maqedonisë dështojnë në Bruksel
11 Qershor 2015Komisioneri evropian për politika të fqinjësisë dhe negocimet për zgjerimin Johannes Hahn, i cili është ndërmjetësues i negociatave, në fund të takimit, që zgjati afro 12 orë, ka thënë se bisedimet ishin të hapura dhe të hollësishme, por nuk rezultuan në një marrëveshje përfundimtare. “BE u bën thirrje të gjitha palëve që në interes të vendit dhe qytetarëve të tyre, të gjejnë pa vonesë një kompromis politik dhe të dalin me propozime konkrete mbi bazën e marrëveshjes së arritur në Shkup më 2 qershor. Përkushtimi i shprehur për reformat duhet të zbatohen me urgjencë. Kjo është esenciale për çfarëdo përparimi në rrugën euroatlantike”, thuhet në komunikatën e Komisionit Europian.
Eurokomisioneri për zgjerim, Johannes Hahn, përmes rrjetit social Twitter ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me dështimin e negociatave në Bruksel dhe mosarritjen e një marrëveshjeje me liderët e partive kryesore të Maqedonisë.“Asnjë marrëveshje përfundimtare në bisedat për Maqedoninë. Shumë i zhgënjyer nga mungesa e përgjegjësisë dhe lidershipit nga disa liderë”, ka shkruar eurokomisioneri Hahn.
Tema kryesore e bisedimeve mes kryeministrit, Nikolla Gruevski, kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, atij të BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçi, ishte forma e qeverisjes deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen në prill të vitit të ardhshëm, për të cilat u morën vesh në takimin e para dhjetë ditëve në Shkup me ndërmjetësimin e komisionerit Hahn. Derisa Zaev ka kërkuar qeveri teknike apo kalimtare pa Gruevskin si kryeministër, ky i fundit ka pranuar qeveri teknike, por që qeverisja e tij të vazhdojë deri në dhjetor dhe të jetë një qeveri e zgjeruar, e cila do të kryejë të gjitha pikat e marrëveshjes për organizimin e zgjedhjeve të caktuara në prill të 2016.
Gruevski: Zaev ka frikë nga zgjidhja e krizës
Liderët e partive maqedonase Zoran Zaev dhe Nikola Gruevski kanë fajësuar njëri tjetrin për dështimin e negociatave. "Konstatimi im përfundimtar është se Zaevi nuk dëshironte të arrijë marrëveshje dhe as nuk iu afrua asaj. Shkaku është se ai nuk erdhi të dakordohet, por ai erdhi të mos dakordohet. Ai ka frikë prej zgjedhjeve. Ai e di se në zgjedhjet e ardhshme do të përjetojë fiasko të rëndë, se do ta përjetojë dështimin më të madh të LSDM-së deri më tani në historinë e tij. As nuk dëshiron të arrijë marrëveshje dhe as nuk dëshiron të ketë zgjedhje", ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE Nikolla Gruevki pas dështimit të negociatave në Bruksel.
Opozita kërkon qeveri kalimtare pa Gruevskin
Lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev ka fajësuar Gruevskin për dështimin e negociatave. “Negociatat për zgjidhjen e krizës dështuan për shkak se është shumë e qartë dhe jologjike që krijuesi i krizës në Maqedoni Nikola Gruevski të vazhdojë të udhëheq me qeverinë, e cila duhet të organizojë zgjedhje të parakohshme. Kushtet tona janë të qarta dhe nuk ka pazarllëqe. Ne kërkojmë qeveri kalimtare pa Gruevskin kryeministër dhe brenda saj. Por Gruevski po bën çmos, që ai të mbetet në krye të qeverisë. Nëse do të kemi zgjedhje korrekte dhe demokratike, ai do të përjetojë humbje të thellë”, vlerëson Zaev.
Liderët e dy partive shqiptare Ali Ahmeti i BDI-së dhe Menduh Thaçi i PDSH-së nuk janë deklaruar lidhur me dështimin e negociatave në Bruksel.
Me kokëfortësi nuk zgjidhet problemi
Profesori universitar Denko Malevski thotë se kryeministri Gruevski duhet të pranojë të tërhiqet nga skena politike, pasi çdo refuzim do të thellonte edhe më shumë krizën. Të gjithë do të dëshironim që të ketë një epilog pozitiv për dalje nga kriza, megjithatë qëndrimet radikale mes palëve, apo qëndrimet diametralisht të kundërta mes dy partive politike nuk lënë shumë hapësirë për të besuar se mund të ketë zgjidhje të krizës. "Opinioni më i gjerë pret që partia udhëheqëse të marrë përgjegjesinë për situatën, të cilën e ka krijuar, që në kushte normale do të nënkuptonte tërheqje nga politika, apo nga pozitat udhëheqëse për t'i hapur rrugën një ekipi të ri për rimëkëmbjen e institucioneve dhe tërë sistemit demokratik në vend“, thotë Maleski .“Qeveria e re nuk do të kishte për detyrë vetëm organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, por edhe të rehabilitojë sistemin politik, atë që ka ndodhur me institucionet, si gjyqësinë, administratën, policinë e kështu me radhë. Këto punë nuk mund ti kryejnë ata që edhe i rrënuan, prandaj nevojitet një qeverisje krejtësisht e re”, vlerëson Maleski.
Ruzhin: Koha realisht punon për opozitën
Nga epilogu i bisedimeve të Brukselit nuk është i befasuar edhe profesori dhe ish ambasadori i Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin. “Dështimi i bisedimeve është një gjë e pritur, duke pasur parasysh se Gruevski në këtë periudhë gjithnjë insiston dhe punon vetëm për shpëtimin e tij. Ai kërkon të fitojë në kohë, sepse koha i jep mundësi t'i ruajë pozicionet e monopolit, që i mundësojnë ta ruajë pushtetin. Sa më gjatë të jetë në pushtet dhe sa më tepër që afrohet koha e zgjedhjeve të parakoshhëshme, ai do të mund të ketë nën kontroll mekanizmat, që do ti mundësojnë fitore në zgjedhjet e parakohshme. Edhe pse Gruevski po lufton të fitojë kohë, realisht koha po punon për Zaevin”, thotë Nano Ruzhin.
Periudha në të cilën qeveria e ardhshme teknike, kalimtare, apo e ekspertëve, që do ti organizojë zgjedhjet pa Gruevskin, nuk guxon të ketë mandat më të shkurtër se 9 muaj apo 1 vit, sepse kjo është periudha minimale e nevojshme për të eleminuar të gjitha burimet dhe mekanizmat e parregullsive zgjedhore, thotë Ruzhin.