1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Liderët politik të katër vendeve të rajonit mbështesin dialogun Kosovë-Serbi.

27 Qershor 2010

Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi janë të gatshëm për një "mini-shengen" ballkanik. E gjitha kjo, për të përcjellë mesazhin se Ballkani mund të ecë drejt integrimeve euroatlantike vetëm së bashku.

https://p.dw.com/p/O4En
Presidentët Fatmir Sejdiu, Filip Vujanovic, Bamir Topi dhe George Ivanov
Samiti i Prizrenit. Presidentët Fatmir Sejdiu, Filip Vujanovic, Bamir Topi dhe George IvanovFotografi: DW/Shehu

Presidentët e katër vendeve të rajonit, ai kosovar Fatmir Sejdiu, presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, ai malazez Filip Vujanoviq dhe presidenti maqedonas, George Ivanov, u takuan këtë fundjavë së bashku. Nikoqir i këtij takimi ishte presidenti kosovar, Fatmir Sejdiu, i cili i ftoi tre homologët e tij rajonalë në një qendër turistike malore ne Prevallë të Prizrenit. Të katër presidentët u zotuan për bashkëpunim dhe raporte të mira ndërfqinjësore.

Fatmir Sejdiu, Präsidenti i Republikë së Kosovës
Fatmir Sejdiu, Präsidenti i Republikë së KosovësFotografi: DW

"Sot mund të themi se jemi afër realizimit praktik të asaj që e kemi thënë më herët, të një "mini-shengeni" ballkanik, apo të Evropës Juglindore, për të demonstruar pjekurinë tonë edhe për proceset integruese në plan më të gjerë", tha presidenti Fatmir Sejdiu.

Organizimi i këtij, siç u tha, "mini-samiti", në Kosovë, është vazhdimësi e dy takimeve të ngjashme që u mbajtën vitin e shkuar në Vlorë të Shqipërisë dhe në Ohër të Maqedonisë.

Bashkëpunimi kontribuon në rritjen e stabilitetit të rajonit

Presidenti shqiptar, Bamir Topi, i ngazëllyer me organizimin e takimit nga pala kosovare, tha se Kosova për dy vjet që nga shpallja e pavarësisë, po dëshmohet si shtet që tregon gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror.

Bamir Topi, Presidenti i Shqipërisë
Bamir Topi, Präsidenti i ShqipërisëFotografi: Deutsch-Albanische Wirtschaftsgesellschaft e. V.

"Bashkëpunimi ynë do t’i kontribuojë ndjeshëm rritjes së stabilitetit rajonal, luftës kundër krimit të organizuar, kontrabandës, forcimit të kufijve nga pikëpamja e administrimit të këtyre elementeve dhe hapjes së kufirit për sa i përket qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave", tha presidenti Bamir Topi.

Të katër presidentët e vendeve të rajonit, u dakorduan që "mini-samite" të tilla të mbahen edhe në të ardhmën. Takimi i radhës do të mbahet në Maqedoni, kërkoi presidenti maqedonas George Ianov.

"Kur bëjmë bilancin e samitit të Vlorës deri në këtë të sotmin në Prizren, janë shënuar përparime evidente në raportet ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës.Ne kemi zgjidhur çështjen e kufirit, pastaj kemi vendosur marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadash, si dhe kemi nënshkruar shtatë marrëveshje, gjë që tregon se kemi vendosur kornizat e bashkëpunimit ndërshtetëror", tha George Ivanov.

George Ivanov, Presidenti i Maqedonisë
George Ivanov, Presidenti i MaqedonisëFotografi: Petr Stojanovski

Mbështetja e dialogut Kosovë-Serbi, për të mirën e të dyja vendeve

Për një bashkëpunim të mirëfilltë ndërrajonal shprehet edhe presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, sipas të cilit intensifikimi i bashkëpunimit rajonal është prioritet i politikës së shtetit të tij. Filip Vujanoviq, mbështet dialogun Kosovë-Serbi, duke respektuar sipas tij, interesat e shteteve pjesëmarrëse në dialog.

"Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zhvillohet në bazë të dy realiteteve. Realiteti i parë është se deri më tash pavarësinë e Kosovës e kanë pranuar 69 shtete, të cilat kanë vendosur marrëdhënie diplomatike, disa prej të cilave edhe në nivel ambasadash. Ndërsa, realiteti i dytë është se 123 shtete të OKB-së ende nuk e kanë njohur Kosovën. Duke respektuar këto dy realitete, mendojmë se duhet mbështetur ky dialog, që do t’i sillte të mira edhe Serbisë, edhe Kosovës", tha Filip Vujanoviq.

Në Samitin e Prizrenit, nuk ishte i ftuar presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, sepse, sipas presidentit kosovar, Fatmir Sejdiu, Serbia nuk pranon ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe madje ajo bënë pengesa në rrugën e saj si shtet drejt integrimeve euroatlantike. Megjithatë, presidenti Sejdiu, tha se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë me Serbinë. Ai, samitin e Prizrenit nuk e quan një aleancë të krijuar kundër Serbisë.

Sejdiu: E ardhmja e rajonit është bashkëpunimi duke respektuar sovranitetin e secilit

"Mendojmë dhe shpresojmë në komunikimet edhe me vendet tjera të rajonit, pra edhe me Serbinë. E ardhmja e vendeve të rajonit dhe progresi i tyre është bashkëpunimi, por gjithmonë duke respektuar sovranitetin e secilit vend dhe veçantitë e kualiteteve të secilit vend", thotë Fatmir Sejdiu.

Presidenti i Serbisë Boris Tadic dhe Presidenti i Malit të Zi Filip Vujanovic
Presidenti i Serbisë Boris Tadic dhe Presidenti i Malit të Zi Filip VujanovicFotografi: AP

Nga "mini-samiti" i Prizrenit, nuk kishte ndonjë deklaratë të përbashkët të katër presidentëve të vendeve të rajonit, atij kosovar Fatmir Sejdiu, presidentit të Shqipërisë Bamir Topi, atij maqedon George Ivanov dhe presidentit malazez, Filip Vujanoviq, por të katër presidentët në deklaratat e tyre para mediave ishin në një linjë, bashkëpunim rajonal dhe ndërfqinjësorë është rruga e vetme për të ecur përpara.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi