1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Libia nuk është e gatshme për kompromis lidhur me rastin e 5 infermiereve bullgare që janë dënuar me vdekje

Gerwald Herter31 Mars 2005

Gjykata e Lartë e Libisë ka marrë përsipër të shqyrtojë akuzën kundër 5 infermiereve që dyshohen se kanë infektuar fëmijë me virusin HIV të sidës. Ende nuk është vendosur nëse këto infermiere do të lirohen apo do të dënohen me vdekje. Në fund të muajit maj pritet vendimi përfundimtar i gjykatës.

https://p.dw.com/p/ArPx

Ato kanë kohë që janë dënuar me vdekje: 5 infermiere bullgare dhe një mjek palestinez ndodhen që prej vitit 1990 në burgjet e Libisë. Fati i tyre varet tani nga gjykatësi më i lartë i shtetit afrikano verior. Gjykata e Lartë do të vendosë brenda pak javësh nëse dënimi me vdekje do të aprovohet apo jo.

Nëna e njërës prej infermierve bullgare nuk mund ta besojë këtë ngjarje:

"Kemi shpresa, të gjithë njerëzit e dinë se ç´po ndodh. E gjithë bota e ka kuptuar tashmë se ata janë të pafajshëm" - thotë ajo.

Qeveria bullgare, BE dhe madje edhe SHBA-s kanë ndërhyrë në favor të infermiereve. Një grup me personalitete të rëndësishme britanike, ndër të cilët ndodhet edhe firma e shkrimtarit të shquar John Le Carré i ka shkruar një letër presidentit libian Muammar Gaddafi. Por Gadafi nuk ka reaguar dhe është shprehur se Perëndimi i trajton njerëzit e tij si "dele".

Ajo që ndodhi në klinikën për fëmijë në Ben Gasi në fund të viteve 90 është një ngjarje katastrofale: Mbi 400 fëmijë u infektuan me virusin HIV për shkak të përdorimit të shiringave të përdorura. Të paktën 40 fëmijë kanë vdekur ndërkohë. Infermieret punonin në këtë klinikë. Mëgjithatë deputetja e parlamentit bullgar Maria Gigova është e bindur se këto infermiere nuk kanë faj:

"Mua më vjen shumë keq për ata që u sëmurën. Por sidoqoftë unë nuk mund ta pranoj padrejtësinë e këtij procesi gjyqësor" - thotë ajo.

Gjykata në Ben Gasi nuk ka shumë prova në dispozicion; në fakt kjo gjykatë ka vetëm dy pohime. Por sipas avokatëve këto pohime u bënë vetëm pasi të akuzuarit u torturuan. Ndërkohë ekspertë të huaj kanë deklaruar se fëmijët ishin infektuar përpara se këto infermiere filluan punë në klinikë.

Të akuzuarit thonë se ndjehen sikur po lajnë mëkatet e të tjerëve. Por gjatë kësaj jave prindërit e fëmijëve të infektuar zhvilluan në Tripolis një demonstratë të madhe duke kërkuar dënimin me vdekje të të burgosurve. Ndërkohë qindra bullgarë protestuan përpara ambasadës libiane në Sofia duke kërkuar lirimin e infermiereve:

"Ne na vjen shumë keq për fatin e fëmijëve, por infermieret bullgare nuk kanë asnjë faj. Fajin e kanë kushtet e këqija higjenike dhe sistemi i dobët shëndetësor në Libi" - thotë një demonstrant.

Deri tani Tripolis i ka ofruar vetëm një mundësi Sofias: Gadafi ka ofruar t´i lirojë infermieret bullgare në rast se qeveria dhe të afërmit e tyre pranojnë të paguajnë një dëmshpërblim për prindërit e fëmijëve si edhe të ndërtojnë një spital të ri në Libi. Por qeveria në Sofia nuk pranon të paguajë asgjë. Presidenti bullgar Parvanov
është ftuar nga Gadafi për ta vizituar atë në Tripolis. Por Parvanov nuk ka pranuar.

Në fund të muajit maj Gjykata e Lartë e Libisë do të vendosë mbi fatin e të burgosurve. Gjykatësit do të vendosin vetëm nëse dënimi me vdekje është një vendim i drejtë apo jo. Sidoqoftë 5 infermieret bullgare dhe mjeku palestinez do të rrinë të paktën edhe disa muaj në burg.