1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Liana Fix: Kërcënimet e NATO-s janë krejtësisht të pabesueshme

Monika Griebler / Pandeli Pani16 Qershor 2014

Konflikti për Ukrainën me siguri do të qetësohet dikur. Por problemet e Perëndimit me Rusinë do të vazhdojnë, mendon ekspertja për Evropën Lindore, Liana Fix.

https://p.dw.com/p/1CIqx
Fotografi: Peter Himsel

Deutsche Welle: Më shumë se 20 vjet ne jemi përpjekur që të kemi me Rusinë një bashkëpunim konstruktiv - por pa sukses. Kështu tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen për gazetën spanjolle "El Pais". Rusia e konsideron aleancën e NATO-s si një armik. A kemi të bëjmë me formim blloqesh, mos po i afrohemi madje një Lufte tjetër të Ftohtë?

Liana Fix: Një Luftë tjetër e Ftohtë nuk na kërcënon. Ne nuk kemi asnjë lloj konfrontimi ideologjik dhe as ndonjë lloj krijimi blloqesh ekonomike. Përveç kësaj Rusia si bllok nuk është më aq e fortë sa ishte ish-Bashkimi Sovjetik dhe Traktati i Varshavës. Edhe pse Rusia është duke u përpjekur me Bashkimit Ekonomik Euroaziatik që të ndërtojë një qendër të re rajonale, ky është në ngritje e sipër dhe ende nuk është e qartë nëse ai do të jetë ndonjëherë aq i fortë sa të mund të konkurrojë në një mënyrë a tjetër me NATO-n.

Rusia nuk perceptohet më nga NATO si partnere - kuptohet, për shkak se Rusia i ka shkelur rëndë rregullat e bashkëekzistencës paqësore me Evropën. Megjithatë Rusia e di me saktësi se NATO nuk do të ndërhyjë ushtarakisht në Ukrainë, Moldavi dhe të gjitha këto vende. Kjo do të thotë që ajo që NATO po bën atje aktualisht ka kryesisht si qëllim frikësimin.

Domethënë kur Rasmusseni thotë se NATO duhej të përshtatet me situatën e re, atëherë kjo është vetëm flakë kashte?

Nga njëra anë kjo bëhet për t'i treguar Rusisë se ne jemi këtu dhe ne nuk të lejojmë të bësh çdo gjë si do. Qëllimi tjetër është për t'i qetësuar shtetet anëtare në Lindje. Natyrisht që ato pyesin veten: nëse Rusia do të fillojë vërtetë të ndjekë ndaj vendeve fqinjë një politikë neoimperiale, atëherë a do të na mbështesë NATO-ja? Por besueshmëria është natyrisht e kufizuar. Në këtë kuptim kjo është flakë kashte, sepse NATO vërtetë mund të thotë: ne nuk e pranojmë këtë. Por nëse nuk është e përgatitur për të ndërhyrë ushtarakisht në këtë rajon, kërcënime të tilla janë sigurisht krejtësisht të pabesueshme.

Si do të reagojë Rusia tani?

Së pari, Rusia është ende e zënë me efektet e krizës në Ukrainë. Por ajo ka nisur tashmë një reformë ushtarake. Ne shohim një shtim masiv të armatimeve në Rusi. Por ajo nuk mund të matet në asnjë mënyrë me mundësitë ushtarake që ka në dispozicion NATO-ja. Fjala është kryesisht për t'i dëshmuar vetes pushtet dhe forcë dhe me sa duket për një shtet si i Rusia, e cila vazhdon të të jetë i lidhur aq fort me mënyrën e të menduarit të shekujve 19 dhe 20, ushtria dhe armatimet duken një mjet i përshtatshëm për këtë.

A mendoni se konflikti do të marrë fund në një të ardhme të afërt?

Konflikti për Ukrainën me siguri do të të qetësohet dikur. Por problemet që kemi me Rusinë do të vazhdojnë. Dhe jo vetëm për shkak se Rusia e ka formuluar politikën e saj të jashtme me një pretendim të ri përtej kufijve të saj, por edhe sepse ajo përkon me një ndryshim në paradigmën e politikës së brendshme në Rusi: me një autokratizim të saj. Me Rusinë Perëndimi do të ketë për një periudhë afatgjatë një marrëdhënie shumë, shumë të vështirë.

Liana Fix është eksperte Shoqatës Gjermane për Marrëdhëniet me Jashtë në Berlin dhe punon pranë Qendrës për Evropën Lindore dhe Qendrore të Fondacionit Robert Bosch.