Letra ecën me taksi | Gjermania | DW | 19.03.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Letra ecën me taksi

Mbi liberalizimin e tregjeve të postës në Bashkimin Evropian

Postierë gjermanë mbi biçikleta

Postierë gjermanë mbi biçikleta

Me fillimin e vitit 2009 në tregun e përbashkët të vendeve të Bashkimit Evropian do të ekzistojë konkurrencë e plotë për shërbimet postare. Në këtë mënyrë Komisioni Evropian kërkon të hapë edhe tregun për letra nën 50 gramë për ofruesit privatë duke rrëzuar edhe monopolet e fundit të ish-sipërmarrjeve postare shtetërore. Në liberalizimin e shërbimeve postare Gjermania është ndër pararendësit. Këtu monopoli i letrës do të bjerë që një vit më parë, pra me fillimin e vitit 2008. Segmenti i letrave nën 50 gramë, për të cilin këtu në Gjermani ka një monopol të shoqërisë aksionare Deutsche Post, përbën dy të tretat e gjithë dërgesave të letrave. Për liberalizimin ka nisur një betejë në Evropë; shumica e vendeve nuk duan ta zbatojnë në kohë reformën.

Sektori i letrave në tërësi ka një rëndësi mjaft të madhe për firmën Deutsche Post. Megjithë ekspansionin e fuqishëm në fushën e logjistikës ndërkombëtare, të shërbimeve të dërgesave dhe atyre ekspres me 13 miliardë euro në vit ai përbën ende 25 për qind të xhiros së përgjithshme të sipërmarrjes - madje më shumë se 60 për qind të fitimit. Fitimet nga ky segment kanë luajtur një rol të rëndësishëm në financimin prej shefit të postës Klaus Zumwinkel të transformimit të pashembullt të ish-shpërndarësit kombëtar të letrave në koncernin më të madh botëror për transport dhe logjistikë.

Zumwinkel nuk është kundër liberalizimit. Përkundrazi: Me rënien e monopoleve të fundit ai llogarit me shanse të mëdha për firmën Deutsche Post në tregjet e vendeve të tjera të Bashkimit Evropian. Por ai druan shtrembërimin e konkurrencës, në rastin e një liberalizimi të pabarabartë.

"Ne themi: Liberalizimi është i mirë dhe duhet të ndodhë. Por ai duhet të futet me të njëjtin hap në Evropë. Për ta saktësuar më shumë mund të themi: Duke qenë se ne në Gjermani fillojmë më herët dhe sipërmarrja jonë është krahasimisht në gjendje të mirë, të tjerët mund të na ndjekin pas një ose dy vjetësh, pra në 2009-ën ose në 2010-ën. Por kjo datë duhet fiksuar."

Për shpërndarjen e letrave në Gjermani posta ka 80.000 punonjës. Kjo do të thotë: Një në njëmijë gjermanë është postier. Kur posta humbet një për qind të xhiros, atëherë në praktikë kjo është e barabartë me humbjen e 1.600 vendeve të punës. Një rënie e xhiros me njëzet për qind do të rrezikonte 32.000 vende pune. Ky numër është sa ai i minatorëve me përfundimin e xehetarisë në Gjermani. Por shumë postierë janë kanë statusin e nëpunësit që nga koha e zyrës së postave; me rënien e xhiros posta nuk mund t'i shkurtojë dhe as t'u ulë të ardhurat.

Zumwinkel kërkon reciprocitet. Kjo do të thotë: Në rast hapjeje të tregut, atëherë për të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Nuk mund ta hapin tregun e tyre të postës vetëm Gjermania, Britania e Madhe dhe vendet skandinave dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian, para së gjithash Franca, Polonia, Greqia, Italia dhe Spanja të mbrojnë monopolet e tyre. Shefi i postës Zumwinkel thotë:

"Që nga dita e nënshkrimit të Marrëveshjeve të Romës fryma ka qenë kjo: Do t'i ulim doganat në zero, do t'i ulim pengesat jodoganore në zero, jemi një hapësirë ekonomike e njësuar. Nuk mund të thuhet, unë vij tek ty, por ti nuk mund të vish tek unë. Kjo nuk shkon."

Shërbimi postar nuk është vetëm në Gjermani me intensitet të madh njerëzor. Në Bashkimin Evropian 1.600.000 të punësuar janë postierë. Bëhet fjalë për një treg prej 90 miliardë eurosh në vit. Të gjithë e dinë: Firma Deutsche Post është mjaft konkurruese në sajëtë produktivitetit të lartë dhe burimeve të kapitalit. Kësaj i shtohet financimi i shërbimit universal. Këtu është fjala për furnizimin bazë, i cili duhet të garantojë shërbim postar edhe në zonat më të largëta dhe në pesë ditë të javës. Një tjetër faktor është frika, se hapja e tregut do ta forcojë prirjen drejt vendeve të punës me pagë të ulët.

Në Gjermani kjo konstatohet tashmë në shërbimet postare të liberalizuara. Konkurrentët e firmës Deutsche Post punësojnë në fakt 30.000 vetë në shërbimin postar mbi 50 gramë për letër, por 60 për qind e tyre janë të ashtuquajtura minijobs. Ka paga prej vetëm katër eurosh në orë. Por edhe Deutsche Post racionalizon ku mundet. Që prej vitit 2000 ajo ka shkurtuar 34.000 vende pune me kohë të pjesshme dhe të plotë. Përveç kësaj për llogari të postës punojnë 1.800 nënsipërmarrje, për shembull firma taksi që zbrazin kutitë e postës.

Bashkimi Evropian duhet të vendosë brenda këtij viti për liberalizimin e tregjeve postare. Qeveria gjermane është pro liberalizimit, por po shtohen qëndrimet, si për shembull ai i ministrit të punës Franz Müntefering dhe atij të financave Peer Steinbrück, kundër hapjes së njëanshme të tregut.

  • Data 19.03.2007
  • Autor Karl Zawadzky
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqxC
  • Data 19.03.2007
  • Autor Karl Zawadzky
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqxC