● Letërkëmbim mes drejtuesve të partive opozitare dhe kancelarit gjerman Gerhard Shrëder ● Shtohet kriminaliteti në Gjermani ● A po fryn era e demokracisë edhe në Lindjen e Mesme? | Studimi në Gjermani | DW | 04.03.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

● Letërkëmbim mes drejtuesve të partive opozitare dhe kancelarit gjerman Gerhard Shrëder ● Shtohet kriminaliteti në Gjermani ● A po fryn era e demokracisë edhe në Lindjen e Mesme?

Dhuna nëpër shkolla gjithnjë e më e pranishme

Dhuna nëpër shkolla gjithnjë e më e pranishme

Letërkëmbimi mes drejtuesve të partive opozitare, Angela Merkel dhe Edmund Stoiber, me kancelarin gjerman Gerhard Schrëder, ku përfaqësuesit e opozitës hedhin idenë e një "Pakti për Gjermaninë" zë faqet kryesore të gazetave të sotme gjermane. Megjithëse problemet në vend janë tepër të mprehta - statistikat e fundit flasin për mbi pesë milionë të papunë dhe shtim të varfërisë në Gjermani - politikanët vazhdojnë të mos tunden prej istikameve të slloganeve të tyre politike. Në lidhje me këtë temë në gazetën "Frankfurter Allgemeine Zeitung" lexojmë:

"Në letrën e vet Shrëderi i kujton opozitës pesë herë gjërat që kanë vendosur bashkarisht, për detyrimet e përbashkëta dhe përgjegjësinë e përbashkët. Sa i përket çështjes së "Paktit për Gjermaninë" Shrëderi është po aq refuzues sa edhe Myntefering. Bisedime mund të zhvillohen për tema të tilla, që ai i konsideron urgjente, por jo për të dhjetë pikat e "Paktit për Gjermaninë" që ofron opozita. Për një koalicion të vërtetë të dyja palëve u mungon si vullneti edhe një projekt i përbashkët. Dhe përbetimet e Shrëderit për "përgjegjësinë e përbashkët" të qeverisë dhe të opozitës janë vetëm një fiksion. Përgjegjësia për fatet e vendit është në duart e shumicës që drejton. Kjo përgjegjësi u mbetet atyre deri ditën e zgjedhjeve, edhe në rast se pranojnë propozimet e opozitës."

Artikullshkruesi i "Fränkischer Tag" kërkon që në diskutimet në fjalë të përfshihet dhe të thotë fjalën e vet edhe presidenti gjerman:

"Presidenti Horst Këhler duhet t'u drejtohet publikisht Shrëderit, Merkelit dhe Shtoiberit dhe t'u thotë se pret prej tyre hapa konkretë. Me apele drejtuar ndërgjegjes së tyre nuk arrihet më dot gjë. Në rast se dikur do të rezolutojë se gatishmëria për bisedime për të cilën flasin të dyja palët është vetëm një koncesion që bëjnë për shkak të zgjedhjeve në landin NRW atëhere kjo do të ishte turp për këta strategë."

Gazeta "Këlnische Rundschau" trajton problemin e shtimit të kriminaliteti në Gjermani, sikurse bëhet e qartë prej të dhënave të fundit statistikore për landin Nordrhein-Westfalen.

"Shifrat nuk gënjejnë. Gatishmëria për dhunë në shoqërinë tonë po shtohet. Këtë prirje alarmuese e vërteton statistika e fundit për kriminalitetin e landit NRW. 108.000 raste plagosjesh trupore brënda një viti. Shifra të tilla nuk janë tronditëse vetëm për policinë. Numri i madh i të rinjve të gatshëm për dhunë bën të qartë, se problemi nuk mund të zgjidhet dhe të mbahet nën kontrroll vetëm me mjete policore. Familja, kopshti apo shkolla duhet t'i mësojë dhe edukojë fëmijët dhe të rinjtë më tepër me frymën e respektit të jetës, të shëndetit dhe të pronës së tjetrit. Bërthama e dhunshme nga radhët e të riatdhesuarve me origjinë gjermane që vijnë kryesiht nga Rusia dhe vende të tjera të ish-bllokut lindor, po vihet gjithnjë e më tepër në fokus të opinionit publik. Për herë të parë në statistikat e landit NRW regjistrohen deliktet e personave të riatdhesuar me origjinë gjermane. Por këto të dhëna nuk përmbajnë ndonjë krahasim me deliktet e vendasve, apo se sa prej personave të dhunshëm kryejnë akte të tilla në mënyrë të përsëritur."

Kalojmë në një temë nga politika ndërkombëtare. Gazeta "Landeszeitung" merret me zhvillimet në Liban.

"Me rreth pesëmbëdhjetë vjet vonesë era e transformimeve që i solli lirinë Evropës Lindore dhe Juglindore, po fryn edhe në drejtim të Lindjes së Mesme. Administrata amerikane beson se mund të korrë sukseset e para të strategjisë së saj "cikloni në shkretëtirë". Në të vërtetë "kryqëzata amerikane për demokracinë" solli zhvillime specifike historike dhe pjekuri për të marrë vendime vetëm për vende të caktuara. Po era në velat e transformimit është më mirë se sa era kundër saj, sikurse ndodhi kjo shpesh në Evropë në vitet 1989/90. Në Lindjen e Mesme Evropa duhet të tregojë guxim në dy drejtime. Nga njera anë duhet të bazohet më tepër tek ideja e demokratizimit se sa e stabilizimit dhe nga ana tjetër Evropa duhet të mësojë të pranojë se edhe zgjedhjet demokratike mund të sjellin në pushtet kundërshtarë fundametalistë të demokracisë."

  • Data 04.03.2005
  • Autor PP
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArwT
  • Data 04.03.2005
  • Autor PP
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArwT