1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Letër publike serbëve të Kosovës

Bekim Shehu1 Shtator 2005

Qeveria e Kosovës i është adresuar me një letër publike serbëve të Kosovës, të cilëve u kërkon që të përfshihen në jetën institucionale, ndërsa serbëve të larguar të kthehen në shtëpitë e tyre

https://p.dw.com/p/Aqtb
Fotografi: dpa

Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, i përkrahur edhe nga dy forcat politike në pushtet LDK-së dhe AAK-së, u ka drejtuar një letër serbëve të Kosovës, në të cilën ju bën thirrje që ata të përfshihen në institucionet e këtushme dhe serbët e larguar nga Kosova të kthehen në shtëpitë e tyre. Kryeministri ka kërkuar për këtë nismë edhe mbështetjen e opozitës, në mënyrë që ata të vënë firmat e tyre në letër. Opozita deri tani nuk i është përgjigjur thirrjes së kryeministrit. Sipas saj kjo letër është dashur të diskutohet në forumin politik të Kosovës dhe të marrë konsensusin e të gjitha subjekteve politike.
Zyrtarë të njërës nga subjektet politike në pushtet, AAK-së, nismën e kryeministrit e cilësojnë si një veprim të duhur. Zëdhënësi i kësaj partie nënshkruese e letrës, Ernest Luma, thotë se kjo letër është dëshmi që institucionet e Kosovës janë të interesuara që të gjithë qytetarët e vendit të integrohen në jetën shoqërore dhe institucionale.
Udhëheqësit kosovarë ndërkaq, përmes letrës i ftojnë sërish serbët e zhvendosur të kthehen në pronat e tyre në Kosovë, u premtohet angazhimi i institucioneve për krijimin e një mjedisi të sigurt në vend, ndërsa thirrja u bëhet edhe atyre që pas luftës kanë uzurpuar pronat e serbëve, t'i lirojnë ato. Mbrojtja e objekteve fetare, pavarësisht se cilës fe i takojnë, thuhet në letër, është pjesë e pandashme e kulturës dhe e trashëgimisë sonë. Populli i Kosovës di dhe mund ta ruajë pasurinë kulturore e fetare të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, poashtu procesin nëpër të cilin po kalon vendi e sheh shumë të rëndësishëm dhe kërkon nga të gjithë qytetarët pa dallim, që të mos bëhen pengesë e këtij procesi që e çon vendin drejtë progresit dhe perspektivës. Sidoqoftë, udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës që nga themelimi i institucioneve të përkohshme, dy herë më parë kanë nënshkruar letra të ngjashme me këtë të fundit, me të cilat u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës të zhvendosur të kthehen në shtëpitë e veta dhe përfaqësuesve të tyre të inkuadrohen në jetën institucionale. Nisma e fundit e qeverisë me këtë letërthirrje u bë pikërisht në kohën kur në Kosovë po vazhdon misionin e tij për vlerësimin gjithpërfshirës të standardeve, emisari, Kai Aide.