Legalizim në vend të kriminalizimit! | Bota | DW | 28.03.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Legalizim në vend të kriminalizimit!

Pas protestave masive, presidenti Bush angazhohet për ligjet e emigracionit. Bëhet fjalë për një reformë gjithëpërfshirëse të ligjit të emigracionit në SHBA

Xhorxh Bush

Xhorxh Bush

Në Miluejk, Fëniks dhe në Los Anxhelos të Kalifornisë gjatë ditëve të fundit kanë protestuar nëpër rrugë qindra mijëra imigrantë dhe punëtorë të huaj kundër ligjit në fjalë. Arturo Rodriguez, shef i "Unionit të punëtorëve të fermave", deklaroi në Los Anxhelos: "Gjatë ditëve të ardhëshme do të bashkohen miliona njerëz me protestën tonë. Do të krijohet një lëvizje në të gjithë Amerikën në favor të reformës së imigracionit."

Sipas vlerësimit të sindikatave vetëm në bujqësinë e SHBA rreth 30 deri në 40% e të punësuarve janë ilegalë. Shumica e tyre vijnë nga vendet e Amerikës Latine. Nëse ligji i aprovuar nga dhoma e përfaqësuesve do të kalojë edhe në senat, atëherë të gjithë këta do të trajtohen si kriminelë, por edhe sipërmarrësit e tyre duhet të llogarisin me masa ndëshkuese dhe me burgim. E gjitha pavarësisht nga fakti që ata bëjnë një punë që nuk e preferojnë amerikanët. Punonjësit ilegalë të fermave vjelin pambukun, luleshtrydhet apo portokallet me paga që janë nën nivelin e pagës minimale ligjore, ata janë të pasiguruar dhe jetojnë vazhdimisht me frikën, se mund të zbulohen.

Presidenti Bush do ta legalizojë statusin e tyre. Ai është kundër ligjit të republikanëve që përfaqësojnë vijën e fortë. Në një ceremoni të dhënies së nënshtetësisë për shtetasit e rinj të ShBA presidenti të hënën tërhoqi vëmendjen për traditën e gjatë pozitive të emigracionit në Amerikë: "Emigracioni është tipar i një kombi të vetëdijshëm dhe të sukseshëm. Fakti që shumë njerëz nga e mbarë bota largohen prej familjes dhe braktisin vendin e tyre duke rrezikuar gjithçka për të ardhur në Amerikë, tregon diçka pë rvendin tonë. Talenti i tyre dhe puna e rëndë e kanë bërë Amerikën një ndër vendet kryesore të botës së lirë."

Por Bushi e di edhe se, çështja e emigracionit është e ngarkuar me emocione dhe një pjesë e partisë është kundër tij. Ndaj ai është angazhuar me forcë për reformën, që nga njëra anë synon të forcojë mbrojtjen e kufijve të ShBA kundër emigrantëve ilegalë dhe nga ana tjetër të trajtojë ata që jetojnë e punojnë në ShBA, për t´u dhënë shansin që të legalizojnë ekzistencën e tyre së paku përkohësisht. "Punëtorët e huaj në vend duhet të kërkojnë leje të kufizuar qëndrimi dhe pune. Nëse ata duan të kërkojnë nënshtetësinë amerikane, duhet të llogarisin me kohë të gjatë pritjeje siç është procedura. Programi për punëtorët e huaj do t´i përgjigjet nevojave të ekonomisë në rritje dhe do t´u mundësojë njerëzve që të mbajnë familjet e tyre pa i shkelur ligjet."

Por ndryshe e sheh këtë Xhek Martin i organizatës "Fondacioni amerikan për reformën e imigracionit": "Ne kemi nevojë për një reformë që për herë të parë siguron kufijtë tanë. Nuk duhet të ketë më emigrantë ilegalë. Vetëm pas kësaj ne mund t´u lejojmë të huajve që të punojnë këtu, me kusht që ata të mos minojnë pagat dhe kushtet e punës së amerikanëve."

Numri i emigrantëve ilegalë vitet e fundit është rritur vrullshëm në ShBA. Këtë javë senati do të shqyrtojë këtë çështje pasi janë paraqitur projekte kontradiktore për reformën e ligjit të emigracionit. Disa janë që imigrantëve t´u jepet një status i kufizuar, të tjerë mendojnë që ata të legalizohen me leje të përhershme pas gjashtë vjetësh qëndrimi. Ashtu si edhe për shumë çështje të tjera aktualisht Amnerika me temën e emigracionit të krijon përshtypjen e një kombi të përçarë.

  • Data 28.03.2006
  • Autor Daniel Sheshkeviç
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArM2
  • Data 28.03.2006
  • Autor Daniel Sheshkeviç
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArM2
Reklamë