1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Le të lemë faktet të flasin"

30 Maj 2009

Intervistë me ambasadoren Audrey Glover, drejtuese e misionit vëzhgues të ODIHR-it në Shqipëri për zgjedhjet e 28 qershorit.

https://p.dw.com/p/I0D1
Audrey Glover, drejtuesja e ODIHR-it në Shqipëri.Fotografi: DW

DW: Zonja ambasadore Glover, cili është vlerësimi juaj, si kreu i misionit vëzhgues të ODIHR-it, për ecurinë e deritanishme të procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare, që do të zhvillohen në Shqipëri më 28 Qershor?

Ambasadorja Audrey Glover: Është vërtet pak si herët për ta vlerësuar këtë proces zgjedhor përgjatë progresit të tij. Misioni ynë vëzhgues ndodhet në Shqipëri që prej pothuaj tri javësh. Vëzhguesit tanë afatgjatë ndodhen në terren që prej 10 ditësh. Duhet kohë për të vlerësuar se çfarë po ndodh dhe çfarë nuk po ndodh. Jemi të kënaqur të shohim që ka një Ligj të ri Elektoral, për të cilin të dyja palët kanë rënë dakort. Ky ligj parashikon pajisjen e qytetarëve me karta të reja identiteti, gjë që vlerësohet nga misioni ynë si një zhvillim shume pozitiv.ODIHR-i pat sugjeruar më parë gjetjen e mënyrave krejtësisht të besueshme për identifikimin e votuesve. Kartat e reja të identitetit dhe hartimi i listës elektronike të votuesve përbëjnë një bazë të mirë për zgjedhjet parlamentare, që po afrojnë. Natyrisht është shumë e rëndësishme që çdo qytetar, i cili ka nevojë për një kartë identiteti, ta marrë atë. Fjala është për ata, që nuk kanë një pasaportë. Është e qartë që kjo është një cështje, e cila i takon qeverisë, por gjithashtu edhe partive politike, madje edhe vetë qytetarëve, pasi prej tyre varet, nëse dëshërojnë të shkojnë dhe të marrin kartën e identitetit. Pra përfshihen të tria palët. Duket qartë që kartat e identitetit janë të rëndësishme dhe që tani përbëjnë një çështje të kontestueshme.

DW: A mund të rrezikohet procesi në synimin për te siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme për shkak të kohës së pakët, që ka mbetur deri në 28 Qershor per pajisjen e qytetareve me keto karta? Në raportin e ndërmjetëm të misionit tuaj të sapopublikuar vihet në dukje se deri më tani vetëm gjysma e qytetarëve, që duhet të marrin kartën e identitetit e ka marrë atë, kurse gjysma tjetër jo.

Ambasadorja Audrey Glover: Mendoj se ka kohë deri në zgjedhje. Natyrisht nuk është e lehtë të parashikohet se si do të shkojë procesi i pajisjes me kartat e identitetit, por mendoj që ka ende kohë që njerëzit t´i marrin ato për zgjedhjet.

DW: Këto zgjedhje parlamentare, Zonja ambasadore, përkojnë në kohë me aplikimin e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe me të qënit tanimë, vend anëtar në NATO. Këto rrethana e bëjnë imperativ zhvillimin e tyre konform gjithe standarteve ndërkombëtare, apo cilësimin e tyre"zgjedhje të lira dhe të ndershme" për progres në procesin integrues europian. Si i shihni gjasat që më 29 qershor, ne raportin paraprak te misionit tuaj, ato te cilesohen "te lira dhe te ndershme"?

Ambasadorja Audrey Glover: Natyrisht, jemi shumë të vetëdijshëm për rëndësinë, që këto zgjedhje do të kenë për Shqipërinë. Dhe pikërisht për këtë ne jemi duke vëzhguar me shumë kujdes se çfarë po ndodh këtu. Më duhet të shpjegoj që ne vlerësojmë zgjedhjet përkundrejt standarteve të OSBE-së për zgjedhjet, të cilat janë shprehur shumë qartë në Dokumentin e Kopenhagës. Misioni ynë ka ardhur në Shqipëri si një mision krejtësisht i paanshëm. Përqasja jonë për të vëzhguar zgjedhjet është gjithmonë e mbështetur tek faktet, është një përqasje e paanshme. Ajo, që misioni ynë i vëzhguesve do të bëjë në javët e pakta, që kanë mbetur deri në zgjedhje, është të mbledhë informacione, fakte dhe të vëzhgojë gjithe procesin elektoral jo vetëm në KQZ, që po bën një punë të rëndësishme, por edhe në administratën vendore të zgjedhjeve, e cila ëhtë gjithashtu shumë e rëndësishme. Do të vëzhgojmë regjistrimin e kandidatëve, gjithë fushatën elektorale, kur ajo do të fillojë, ndonëse ka patur një lloj fillimi fushate tanimë. Sigurisht do të vëzhgojmë çështjen e kartave të identitetit dhe median. Në misionin tonë vëzhgues kemi një sektor të posaçëm për monitorimin e medias. Do të analizojme gjithë këtë informacion. Para ditës së zgjedhjeve misioni ynë do të paraqesë edhe dy raporte të tjera paraprake. Informacioni i marrë do të përbëjë bazën për deklaratën paraprake në konferencën e shtypit një ditë pas zgjedhjeve të 28 Qershorit. Dy muaj më pas do të paraqesim raportin përfundimtar, që do të përmbajë gjithë informacionin dhe burimin e tij. Natyrisht raporti përfundimtar do të përmbajë edhe mesazhe lidhur me procesin e zhvilluar elektoral. Kjo është mënyra sesi ODIHR-i punon. Prandaj është e pamundur që në cilindo moment vëzhgimi përgjatë procesit elektoral të thuash, sesi po shkon ky proces, sepse gjërat janë vazhdimisht në ndryshim dhe për ta thënë duhet parë e gjithë tabloja, e ndërtuar mbi fakte.

DW: Në asnjë nga zgjedhjet e kaluara, qoftë parlamentare, qoftë lokale, Shqipëria nuk i plotësoi të gjitha standartet ndërkombëtare. Me falni që po kembengul. Çfarë shansesh shihni kesaj here?

Ambasadorja Audrey Glover: Le të shpresojmë që në këto zgjedhje me ligjin e ri elektoral do të konsolidojnë arritjet në zgjedhjet e kaluara dhe... këto zgjedhje do të jenë të mira.

DW: A ka ndonjë mesazh për gjitha palët e përfshira në procesin zgjedhor në raportin e ndërmjetëm, që misioni juaj, sapo e ka publikuar?

Ambasadorja Audrey Glover: Mendoj se është e rëndësishme që të gjitha palët e përfshira të bëjnë atë, që duhet të bëjnë dhe ato vetë e dinë se cila është pjesa e tyre. Qeveria, partitë politike dhe vetë qytetarët, që do të votojnë.. duhet të sigurojnë që këto zgjedhje do të jenë të mira.

DW: Kanë kaluar 13 vjet nga zgjedhjet lokale të vitit 1996, ku ju drejtonit misionin vëzhgues të ODIHR-it në zgjedhjet e atij viti. Cilat janë ndryshimet, që mund të vini re tani në raport me atë vit lidhur me performancën e partive politike, atmosferën, shoqërinë..?

Ambasadorja Audrey Glover: Nuk kam qenë në Shqipëri në vitin 1996, kam qenë drejtore e Zyrës së OSBE për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, ODIHR-it me seli në Varshavë. Është shumë vështirë, siç thashë pak më parë, të vlerësosh në këtë fazë sesi do të shkojë procesi elektoral. Por ajo, që mund të them tani, është se ka patur shumë ndryshime pozitive që nga 1996. Nëse do të lexoni raportin për zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005 dhe atë për zgjedhjet lokale të vitit 2007, do të shihni që nga vëzhgimi i tyre rezulton se një numnër i madh i standarteve të OSBE -se për zgjedhjet u arritën. Në ato zgjedhje qenë shqetësuese përpjekjet e partive politike për fitore afatkshkurtëra në raport me ecurinë e tyre politike në përgjithësi. Por në të dyja ato zgjedhje pati shumë aspekte pozitive. Ligji i ri elektoral është tepër pozitiv dhe pasqyron disa nga rekomandimet, që ODIHR-i bëri në të kaluarën. Shpresojmë që zgjedhjet do të shkojnë mirë.

DW: A dëshëroni të shtoni dicka tjetër Zonja Ambasadore?


Ambasadorja Audrey Glover: Jemi të kënaqur që jemi këtu gjithë misioini po punon shumë mirë. Kemi marrëdhënie shumë të mira pune me autoritetet e këtushme, vëzhguesit afatgjatë janë në terren dhe prodhojnë raporte për misionin tone. Kemi kërkuar 400 vëzhgues afatshkurtër për të vëzhguar në ditën e votimit. Por kjo varet nga shtetet pjesëmarrëse, nëse do t'i dërgojnë apo jo. Shpresojme të kemi një numër të madh vëzhguesish afatshkurtër, kemi rekrutuar të tillë vëzhgues nga ambasadat e ndyshme në Tiranë. Do të kemi shumë njerëz në ditën e votimit, që do të mbulojne gjithë vendin dhe do të bëjnë të mundur të hartojmë si përherë një raport të paanshëm. Le të lemë faktet të flasin. Ne vijmë këtu krejtësisht të paanshëm, pa ide, paragjykime dhe gjykime të mëparshme. Në përfundim të zgjedhjeve do të hartojme një raport të mbështetur në fakte duke vleresuar këto zgjedhje në bazë të plotësimit të standarteve të OSBE-së.

Intervestoi: Ani Ruci

Redaktoi: Angjelina Verbica