LDK-ja me organe të reja drejtuese | Ballkani | DW | 19.12.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

LDK-ja me organe të reja drejtuese

Këshilli i përgjithshëm i LDK-së zgjodhi sot organet e reja drejtuese të partisë. Në këtë mbledhje nuk morën pjesë përkrahësit e Nexhat Dacit.

LDK, partia politike me e madhja në Kosovë, që nga dita e martë, ka organet e reja drejtuese të partisë. Këshilli drejtues i partisë, përbëhet nga 21 anëtarë, në mesin e të cilëve janë pesë nënkryetarë dhe sekretari i përgjithshëm. Nënkryetar i parë i LDK-së, u zgjodh, Eqrem Kryeziu, ndërsa, sekretar i përgjithshëm Ramë Manaj. Katër nënkryetarët e tjerë, janë, Kolë Berisha, Nekibe Kelmendi, Fadil Ferati dhe Lutfi Haziri.

Në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të LDK-së, morën pjesë 94 anëtarë, nga 107 sa u zgjodhen në kuvendin e përgjithshëm të LDK-së, kuvend ky që u manifestua edhe me dhunë fizike ndërmjet delegatëve. Kryetari i ri i LDK-së, Fatmir Sejdiu, i cili propozoi këshillin drejtues të partisë, tha se, ai beson se ka bërë një zgjedhje të mirë.

Në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të LDK-së, nuk morën pjesë përkrahësit e Nexhat Dacit, i cili në garën zgjedhore për kryetar të partisë, 10 ditë më parë u mund nga presidenti Fatmir Sejdiu. Nexhat Daci, pranoi humbjen në garën për kryetar, mirëpo, vazhdon ta cilësojë të paligjshme zgjedhjen e këshillit të përgjithshëm të partisë.

Mospjesëmarrja e asnjë përkrahësi tjetër të Nexhat Dacit, në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të LDK-së, sipas analistëve shënon edhe ndarjen e LDK-së në dy fraksione. Mirëpo, kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, vazhdon të besojë se LDK-së do të mbetet një. Kryesia e re e LDK-së, zgjedhjet brenda partisë, i cilëson të përfunduara. Ata thonë se Nexhat Daci, mund të mbetet vetëm anëtar i këshillit të përgjithshëm të LDK-së. Ndryshimet në organet drejtuese të LDK-së, e kanë vënë në pikëpyetje edhe funksionimin e koalicionit qeveritar me AAK-së.

Ata qysh tash paralajmërojnë se mund të ketë ndryshime në qeverisjen e vendit. Akoma i paqartë ndërkaq mbetet, pozicioni i presidentit Fatmir Sejdiu, i cili në bazë të kornizës kushtetuese me të cilën akoma administrohet Kosova, nuk mund të ushtrojë dy poste atë të kryetarit të LDK-së dhe të presidentit të Kosovës.

Burime brenda LDK-së, thonë se, kryetari Sejdiu, do të vazhdojë të ruaj postin e presidentit të Kosovës, ndërsa, ushtrues detyre në postin e kryetarit të LDK-së, do të emërojë nënkryetarin e parë Eqrem Kryeziun.


  • Data 19.12.2006
  • Autor Bekim Shehu
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AraH
  • Data 19.12.2006
  • Autor Bekim Shehu
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AraH
Reklamë