1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Debati për seksizmin në radhët e CDU-së

Rachel Klein
27 Shtator 2016

E uritur për pushtet dhe intrigante apo në kërkim të drejtësisë. Një e re anëtare e CDU-së e kritikon këtë parti për seksizëm.

https://p.dw.com/p/2QcdK
Jenna Behrends CDU Politikerin Berlin
Jenna Behrends nxjerr në dritë një temë të pakëndshme për politikanët...Fotografi: picture-alliance/dpa/S.Kembowski

Jenna Behrends, 26 vjeç, studente e juridikut, e cila u anëtarësua para një viti e gjysmë në CDU është anëtare e këshillit të qarkut Berlin-Mitte.

Ajo botoi së fundi një artikull në revistën online "Edition F" një shkrim ku kritikon seksizimin në radhët e partisë kristiandemokrate, CDU. Fjala është për ngacmime me shprehje dhe fjalë me ngjyrim seksual. Pas këtij artikulli u tha se autor i shprehjeve të tilla është senatori i brendshëm i Berlinit, Frank Henkel (CDU).

Por Jenna Behrends thotë se akuzat e saj nuk drejtohen vetëm kundër burrave, por edhe grave anëtare të kësaj partie që e kanë quajtur "karrieriste të pangopur” që ka bërë karrierë duke fjetur sa me njërin e sa me tjetrin.

 

Reagime të ndryshme

Pas artikullit të Jenna Behrends pati shumë reagime dhe intervista. Disa e mbështetin atë, të tjerë e kritikojnë. Sandra Cegla p.sh. kryetare e grupit të grave të kësaj partie për qarkun Berlin-Mitte, e quajti Jenna Behrends „një njeri të dyshimtë që përhap të pavërteta dhe intriga". Senatori i brendshëm i Berlinit, Frank Henkel, tha se është i zhgënjyer prej deklaratave të Jenna Behrends dhe se është i gatshëm për të biseduar me të.

 

Mbështetje nga rrethet e tjera të CDU-së

Ndërsa anëtarët e CDU-së në Berlin thonë se Jenna Behrends është e uritur për pushtet dhe intrigante, sekretari i përgjithshëm i CDU-së Peter Tauber, tha se „është e rëndësishme që po hapet një debat i tillë, sepse seksizmi nuk është vetëm problem i politikës. Blogeristja dhe feministja Anne Wizorek tha se është shumë e rëndësishme që Janna Behrends e ka nisur këtë debat. Tani duhen bërë propozime për të gjetur zgjidhje konkrete.