1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lashet: Çdo pasaportë e re nënshtetësie gjermane presupozon sukses integrimi

Intervistuan Aishe Tekin dhe Rainer Sollih5 Shtator 2006

Ministri i integrimit në landin e Rinit Verior dhe Vestfalisë (NRW) në Gjermani, Armin Lashet në intervistë për Deutsche Welle-n vë në dukje, se ka plane pë ta lehtësuar dhënien e nënshtetësisë gjermane. "Ne duam që t´i inkurajojmë emigrantët, madje të bëjmë reklamë edhe që ata ta marrin nënshtetësinë gjermane."

https://p.dw.com/p/AqzX
Ministri i integrimit në NRW, Armin Lashet
Ministri i integrimit në NRW, Armin LashetFotografi: dw-tv

- Landi i Rinit Verior dhe Vestfalisë në Gjermani është i vetmi që ka krijuar ministrinë e integrimit për të huajt. Ministër i integrimit është Armin Lashet. Nisur nga fakti që në Bon janë të vendosura një sërë institucionesh me karakter ndërkombëtar siç janë: selia e OKB-së, ministria për bashkëpunimin ekonomik dhe zhvillimin, organizatat e ndihmës për zhvillimin si dhe radioja Deutsche Welle, ministri Lashet i ka vënë qëllim vetes që ministria e tij të forcojë bashkëpunimin me këto institucione, si urë lidhëse me shoqëritë e vendeve prej nga vjen shumica e emigrantëve në Gjermani. Kjo ishte dhe njëra prej arësyeve që ai vizitoi të hënën (04.09) Deutsche Welle-n, ku u takua me gazetarët. Ndër temat që u interesuan më shumë pjesëmarrësve në konferencën e shtypit ishin: integrimi i myslimanëve në shoqërinë gjermane si dhe nisma për futjen nëpër shkolla të lëndës për njohuritë mbi islamizmin. -

Deutsche Welle: Zoti ministër, ju synoni t´i jepni orientim migracionit. Kjo do të thotë që ju doni të pranoni migrantë, por duke përcaktuar qysh në fillim se cilët prej tyre duhet të vijnë në Gjermani. Sipas mendimit tuaj për cilët emigrantë ka nevojë landi i Nordrin-Vestfalisë, por edhe Gjermania?

Armin Lashet :Integrimi ka dy anë. Nga njëra anë, integrimi i atyre që jetojnë prej shumë kohësh tek ne, e ky është një grup shumë i madh. Synohet që atyre t´u hapen mundësi për karrierë, për arsim, që nuk i kanë pasur deri më sot. Së dyti: është kompetenca e Federatës, ligji i emigracionit që ekziston prej disa vjetësh. Në këtë drejtim ka nevojë për përmirësim, sepse mundësitë aktuale janë të kufizuara. Në bazë të këtij ligji mund të vijnë këtu ata që janë në gjendje të hapin aktivitet privat duke sjellë me vete një milionë euro dhe duke hapur dhjetë vende pune. Ky kusht është mjaft i rreptë. Për të mundësuar tërheqjen e emigrantëve të kualifikuar duhet që në vjeshtë të bëjmë disa përmirësime. Për sa i përket atyre që do të vijnë ne do të orientohemi edhe sipas interesave të Republikës Federale të Gjermanisë.

Deutsche Welle: Le të ndalemi tek emigrantët që jetojnë sot në Gjermani! Shpesh herë ata konsiderohen më shumë si grup problematik se sa si bashkëqytetarë. Ndonëse ka shumë probleme, një ndër më të rëndësishmit është çështja e pjesëmarrjes së tyre në shoqëri. Nëse dikush do ta ndjejë veten pjesë të kësaj shoqërie, një kusht themelor është nënshtetësia. Gjermania ndryshe nga shumë vende të tjera evropiane nuk e lejon nënshtetësinë e dyfishtë. A keni planifikuar ju të ndërmerrni hapa të reja në këtë drejtim?

Armin Lashet : Është e vërtetë që vende të ndryshme evropiane veprojnë ndryshe lidhur me të drejtën e nënshtetësisë. Por dua të theksoj, që e drejta ndërkombëtare ka si parim themelor shmangien e nënshtetësisë së dyfishtë. Ne duam që ta lehtësojmë dhënien e nënshtetësisë gjermane dhe duam që t´i inkurajojmë madje të bëjmë reklamë edhe që emigrantët ta marrin nënshtetësinë gjermane. Ne duam gjithashtu të nisim edhe një fushatë për nënshtetësinë, sepse çdo pasaportë e re e nënshtetësisë presupozon edhe një sukses për integrimin.

Deutsche Welle: Zoti ministër, ç´mendim keni ju lidhur me modelin e landeve Baden-Vyrtenberg dhe Hesen për kalimin e një provimi për marrjen e nënshtetësisë, gjë kjo që i vendos barriera të forta procedurës?

Armin Lashet : Ne jemi shprehur kundër testit lidhur me formin dhe bindjet e aplikuesit, madje ne jemi edhe kundër propozimit të Hesenit për testin mbi njohuritë bazë shkencore. Në fakt është e nevojshme që cilido të ketë njohuritë bazë mbi shtetin. Madje aplikanti duhet të ketë njohuri edhe se si funksionon demokracia. Ndërkohë zyra federale për migracionin dhe për refugjatët është duke përpiluar kurset për dhënien e nënshtetësisë, që përmbajnë pyetje, të cilat do të vlejnë për të 16 landet e federatës. Një gjë të tillë e bën çdo vend klasik emigracioni, kjo është mëse në rregull, por jo pyetësorët e propozuar deri më sot.

Deutsche Welle: Zoti ministër ndodhemi vetëm pak ditë përpara përvjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Ndaj dhe e shoh me interes të trajtoj temën e "integrimit të myslimanëve" në Gjermani. Këto ditë po flitet shumë për "luftë midis kulturave" dhe si kundërpeshë ndaj kësaj për "dialog midis kulturave". Shpesh herë këto dialogje në nivele të larta s´japin asnjë rezultat të prekshëm. Sipas mendimit tuaj, si duhet të jetë "dialogu i kulturave" dhe çfarë duhet bërë ndryshe nga sa është bërë deri më sot?

Armin Lashet :Dialogu i kulturave tek ne fuknksionon mjaft mirë. Besoj se 11 shtatori s´ka të bëjë me politikën tonë tëë integrimit. Myslimanët që jetojnë këtu u shokuan po aq sa edhe ne prej sulmeve të 11 shtatori, apo prej shpërthimeve të tjera të bombave, ata mund të jenë po ashtu edhe vet viktimë e sulmeve të tilla. Ndaj në këtë mes duhet të bëjmë një diferencim të qartë: kundër islamistëve ekstremistë duhet vepruar me të gjithë forcën, gjë që ne e bëjmë. Por shumica e myslimanëve që jetojnë tek ne kanë të bëjnë po aq pak me sulmet e 11 shtatorit, sa kam të bëjë unë si katolik me sulmet e organizatës IRA në Irlandën e Veriut."


Deutsche Welle: Pavarësisht nga problematika e terrorizmit, e mendoni se dialogu i kulturave deri tani po zhvillohet i hapur dhe me ndershmërinë e duhur?

Armin Lashet: Natyrisht që ky dialog po zhvillohet ndërkohë në nivel mjaft akademik. Ka shumë aktivitete për dialogun mes të krishterëve, mylsimanëve dhe hebrejve. Por ky dialog nuk e arrin shumicën e njerëzve. Sepse shumica e njerëzve përbëhet nga njerëz të thjeshtë, madje edhe nga shtresat që janë larg arsimimit. Si rjedhojë është e vështirë që t´ia arrish kësaj me trajtime teorike të tri besimeve monoteike. Ndaj duhet që t´i bëjmë të dyja: politika e integrimit është shumë praktike, i ndihmon njerëzit që të dalin nga mungesa e perspektivës. Ndërsa edhe dialogu akademik është i nevojshëm dhe duhet të vazhdojë."

Deutsche Welle: Pikërisht për shkak të diskutimit mbi islamizmin, terrorizmin dhe 11 shtatorin bashkësia e emigrantëve myslimanë është e shqetësuar. Ndonëse janë mediet ato që e përgatisin këtë atmosferë, vlen të theksohet, se mediet përcjellin atë që thonë politikanët. A nuk do të duhej që ky diskutim të orientohej drejt një kursi profesional, në mënyrë që të shmangen përgjithësimet dhe dyshimi të mos jetë kolektiv ndaj grupeve të besimit mysliman?

Armin Lashet : Natyrisht që një gjë e tillë duhet bërë. Por gjatë javëve të fundit s´kam dëgjuar askënd që të ketë shprehur dyshim të përgjithshëm ndaj myslimanëve. Tani shihen më konkretisht grupet islamike. Unë besoj, se në një farë mënyre ekziston i njëjti mendim edhe me njerëzit në Turqi dhe kemi të njëjtën situatë si në Turqi. Edhe atje ka vuajtje prej terrorizmit, edhe në Turqi ushtrohen sulme. Ndaj atje do ta kuptojnë shumë mirë, që autorët e dhunës vëzhgohen saktë dhe nuk ka dyshime të përgjithshme ndaj popullsisë. Për fat të mirë kjo s´ka ndodhur në Gjermani. Samiti mbi islamizmin, për të cilin ka ftuar në dhjetor ministri i punëve të brendëshme, s´ka të bëjë aspak me luftën kundër terrorizmit, por është komponent i dialogut të kulturave me besime të ndryshme në Gjermani.

Deutsche Welle:Zoti ministër së fundi të ndalemi edhe tek lënda e re e planifikuar të futet nëpër shkolla mbi njohuritë për islamizmin, fillimisht në Këln dhe Duisburg, iniciativë kjo e landit të Nordrin-Vestfalisë. Çfarë do të jetë ndryshe në këtë lëndë dhe cilët do të jenë partnerët tuaj nga pala islamike?

Armin Lashet :Duhet ta sqarojmë, sepse në vende të tjera evropiane kjo është shumë pak e njohur. Ne kemi në Gjermani një traditë të veçantë të shtetit dhe kishës: Kjo është lënda e veçantë e fesë nëpër shkolla me orientim të qartë mësimor. Kisha katolike dhe ajo evangjeliste përcjell me autoritetin e vet mësimin e fesë nëpër shkolla nën mbikqyrjen e shtetit dhe të shkollës. Kjo nuk ndodh kështu në vende të tjera. Përderisa në vend kemi shumë myslimanë, atëherë edhe ata duhet ta gëzojnë këtë të drejtë për fenë e tyre. Tani për tani ne na mungojnë partnerët unikë të bisedimeve nga pala myslimane. Sepse grupime të ndryshme flasin me zëra të ndryshëm. Ndaj në Duisburg dhe në Këln jemi duke u përpjekur që me komunitetet lokale të xhamive dhe me shoqatat e myslimanëve të krijojmë një lëndë të mësimit të fesë mbi bazën e kushtetutës sonë. Kjo lëndë do të jetë në gjuhën gjermane dhe do të jepet prej mësuesve gjermanë të kualifikuar për këtë lëndë dhe nën mbikqyrjen e shkollës gjermane. Nëse kjo rezulton e sukseshme natyrisht që do të shërbejë si model edhe për qytete dhe lande të tjera në Gjermani.