1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lance Armstrong triumfon për herë të shtatë në Tour de France

Wolfgang van Kann25 Korrik 2005

Me triumfin e shtatë të Lance Armstrong ka përfunduar Turi i 92-të çiklistik i Francës dhe njëkohësisht karriera e amerikanit. Një informacion nga Wolfgang van Kann:

https://p.dw.com/p/AsKg
Lance Armstrong, Ivan Basso (majtas) dhe Jan Ullrich (djathtas) në ceremoninë e përfundimit të Turit të Francës
Lance Armstrong, Ivan Basso (majtas) dhe Jan Ullrich (djathtas) në ceremoninë e përfundimit të Turit të FrancësFotografi: dpa

Nuk ishte aq shumë fakti që amerikani 33 vjeçar Lance Armstrong e fitoi për të shtatë herë Turin e Francës për çiklistët profesionistë, ai që i befasoi vëzhguesit. Më tepër kjo kishte të bënte me lehtësinë me të cilin e arriti Armstrong këtë rekord të përjetshëm. Menjëherë në hapje të turit ai demonstroi fuqinë e vet dhe në garën e parë me kronometër la pas pranë vetes vetëm italianin Ivan Basso, i cili në përfundim do të renditej i dyti. Nëpër male ai u mbrojt pa problem kundër çdo lloj sulmi dhe nuk u trondit as në rastet kur ekipi i vet tregonte formë të dobët ditore. Dhe ai festoi pa u rrezikuar etapër e parë të fituar vetë në një kohë kur suksesi i tij në këtë tur ishte tashmë i përcaktuar.

Me triumfin e shtatë të Armstrongut në Turin e Francës përfundon një erë që do të jetë e vështirë të përsëritet. Nga 1999 deri në 2005 Armstrong fitoi në Turin e Francës shtatë herë radhazi; para tij këtë nuk e kishte arritur asnjë çiklist tjetër. Ai arriti gjithsej 22 fitore etapash. Në 2001 ai fitoi Turin e Zvicrës. Në 1993 ai morri në Oslo titullin e kampionit të botës në garën në rrugë dhe në vitin 2000 në Sidnej medalje bronzi në garën me kronometër. Dhe të gjitha këto suksese nuk ishin asgjë për Armstrongun krahasuar me kancerin e tij testikular duke filluar nga fundi i vitit 1996.

Për gjermanin Jan Ullrich turi përfundon me ndjenja të përziera. Nga njëra anë ai dështoi në synimin për ta sulmuar Armstrongun në turin e sivjetshëm që në fillim dhe për ta fituar turin duke humbur kështu edhe duelin e pestë me amerikanin. Nga ana tjetër në krahasim me një vit më parë ai shënoi përmirësim duke u ngjitur nga vendi i katërt në atë të tretë.

Atij nuk iu ndanë as prapësitë. Një ditë para fillimit të turit u përplas me makinën e ekipit dhe edhe në garën në Vogeze u rrëzua një herë keq. Pa këto fatkeqësi ai ndoshta do të kishte dalë para Ivan Bassos, por nuk do ta kishte shmangur fitoren e Armstrongut.

Kur është fjala për fituesin e vitit të ardhshëm përmenden shumë emra: Natyrisht italiani Basso, bashkëatdhetari i tij Cunego, i cili këtë herë mungonte, spanjolli Alejandro Valverde që ia doli ta linte në një etapë prapa Armstrongun, por që iu desh ta ndërpriste më vonë turin, apo ukrainasi Jarosllav Popoviç nga ekipi i Armstrongut.