1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lamtumirë kontinentit të vjetër - Bush viziton Evropën

Koment nga Miodrag Soriç9 Qershor 2008

George W. Bush vjen në Evropë. Vizita e tij e pestë në kontentin e vjetër, do të jetë e fundit e tij si president. Nga pikëpamja politike nuk pritet ndonjë ndryshim i madh, prandaj shpresat në Evropë janë janë të pakta.

https://p.dw.com/p/EGU6

Presidenti amerikan George W. Bush vjen për një vizitë shtatëditore në Evropë dhe duket sikur kjo nuk i intereson kërkujt. Natyrisht që ai do të pritet miqësisht, në Ljubjanë me rastin e takimit të nivelit të lartë SHBA dhe BE, në Romë, në Paris, në Londër dhe sigurisht edhe në Berlin. Megjithatë të gjithë janë të vetëdijshëm se ky president nuk do dhe as mund të ndikojë më në marrëdhëniet transatlantike. Koha e tij ka mbaruar. Evropianët vazhdojnë të ndjekin me interesim të madh fushatën elektorale për zgjedhjen e pasardhësit të Bushit, simpatizojnë Barack Obamën i cili prezantohet krejt ndryshe dhe shpresojnë që të jetë ai që do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë. George Bush – tingëllon pak si politika e gabuar e së djeshmes, të cilën nuk ka dëshirë ta kujtojë kërkush.

Megjithatë është ende herët për të bërë bilance. Në fund të fundit nuk është nevoja të bëhen profecira të mëdha për të thënë se me erën e Bushit lidhen kujtime negative. Kujtime nga njëra anë për luftën e humbur në Irak, nga ana tjetër për luftën që duket pa rrugëdalje në Afganistan. Amerika i humbi vlerat e saj në Guantanamo dhe në burgun Abu Ghraib. Imazhi i Amerikës në botë ra shumë gjatë periudhës që Bushi mbajti postin e Presidentit.

Ajo që krijon forca, janë fitoret. Bush nuk ka të tilla për të treguar. Lufta kundër terrorit do të zgjasë për një kohë të gjatë. Në Lindjen e Afërme armët kanë pushuar, por paqja nuk duket ende. Irani duket së vazhdon si dhe më parë të dojë të zhvillojë armë atomike. Qeveria e Teheranit luan me kohën dhe shpreson që të kuptohet më mirë më një president tjetër amerikan. Shtete të tjera mendojnë të njëjtën gjë.

Nëse në kuadër të vizitës së Bushit, kancelarja gjermane Angela Merkel rreshton në gazetë problemet aktuale në marrëdhëniet bilaterale, ajo sigurisht që nuk e bën këtë sepse shpreson që ky president do i zgjidhë ato. Pengesat tregtare dhe në fushën e investimeve që vështirësojnë pa nevojë tregëtinë midis BE-së dhe SHBA-së, nuk mund të mënjanohen nga administrata aktuale në Uashington. Ankesat e Merkelit do të përsëriten edhe vitin e ardhshëm para një presidenti tjetër amerikan.

Vizita e pritshme e Bushit në Evropë është për të lënë lamtumirën. 11 herë është takuar ai vitet e fundit me Kancelaren gjermane, pesë herë vizitoi Gjermaninë. Bush do të premtojë edhe një herë miqësi më të mirë midis SHBA-së dhe Evropës, një miqësi që është rënduar shumë nga vendimi i gabuar për të zhvilluar luftën në Irak. Evropa dhe Amerika varen nga njëra tjetra në çështjet e politikës së sigurisë. Një president i ri në Uashington do i japë jetë të re këtij komuniteti vlerash midis botës së re dhe asaj të vjetër. Tani vlen të bëhet durim dhe të tregohet miqësi.