1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lambrecht: Gjermania përkrah Kosovës për në dhe NATO

Bekim Shehu
5 Maj 2022

Ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, Christine Lambrecht gjatë vizitës së saj në Kosovë, tha se Gjermania e mbështet shumë qartë rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE po ashtu edhe në NATO.

https://p.dw.com/p/4AtL5
Kosovo Pristina | Verteidigungsministerin Christine Lambrecht
Fotografi: Office of the Kosovo Prime Minister

Ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, Christine Lambrecht, tha në Prishtinë se Gjermania e mbështet Kosovës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe do t'i qëndrojë përkrah edhe për mbështetje ushtarake në kuadër të KFOR-it. Po ashtu Lambrecht është e vetëdijshme për synimet e Kosovës për anëtarësim në NATO, dhe edhe në këtë rrugëtim do ta mbështesë, ndonëse ka shumë pengesa. Këto deklarata ministrja gjermane e Mbrojtjes i bëri në një konferencë për medie së bashku me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, gjatë qëndrimit të saj të shkurtër në Kosovë.

”Gjermania e mbështet shumë qartë rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE po ashtu edhe në NATO. Ky rrugëtim duhet të bëhet, por mund të ketë edhe pengesa. Kjo nënkupton që edhe sa i përket anëtarësimit në BE, po mundohemi t'i japim shtytje këtij procesi në mënyrë që pengesat të hiqen. Ne e shoqërojmë Kosovën në procesin e anëtarësimit në NATO”, tha Lambrecht.  Sipas saj, Gjermania qëndron krah Kosovës edhe sa i përket mbështetjes ushtarake dhe këtë e bën përmes KFOR-it.

Kosovo Pristina | Verteidigungsministerin Christine Lambrecht
Ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine LambrechtFotografi: Office of the Kosovo Prime Minister

"Unë e kam siguruar palën kosovare, se ne qëndrojmë krah Kosovës edhe për sa i përket mbështetjes ushtarake, ne jemi në kuadër të KFOR-it prej vitesh të angazhuar dhe do të jemi edhe më tej. Ne do ta vazhdojmë angazhimin tonë edhe për sa i përket trajnimit të FSK-së, (Forcës së Sigurisë së Kosovës) dhe do të mbetemi partnerë edhe në të ardhmen”, tha Lambrecht. Ministrja gjermane e Mbrojtjes gjatë vizitës në Prishtinë nuk foli vetëm për mbështetjen ushtarake, por u ndal edhe te dialogu politik Kosovë-Serbi, për të cilin ajo shpreson që të ketë progres.

"Shpresoj që ky proces të marrë një dinamikë të re dhe shpresoj që do të ketë vendime të mira më 13 maj në Bruksel. Hapat e parë do të mund të ishin për njohjen reciproke të dokumenteve dhe ky do të ishte një sinjal i mirë”, tha Lambrecht. Se mund të ketë diҫka konkrete në takimin e kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me datën 13 maj, kur do të takohen në Bruksel, e tha edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili vetëm një ditë më parë në Berlin takoi kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

"Më 13 maj, unë shpresoj që përfundimisht do t'i kemi marrëveshjet për zgjidhje reciproke për targat, edhe për çështjen e mospagesës së energjisë në veri të Kosovës, e po ashtu edhe për nevojën për të përshpejtuar çështjen e zbardhjes së fatit të të pagjeturave, të të zhdukurve me dhunë”, tha Kurti. Për këto tema, Kurti tha, se  bisedoi në Berlin edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuҫiq, në një darkë joformale që kishte organizuar kancelari gjerman, Olaf Scholz që nuk mori pjesë në të, por që i pranishëm ishte i dërguari i BE-së në dialog Mirosllav Lajҫak. "Unë besoj që dialogu i Kosovës me Serbinë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duhet të zhvillohet brenda vlerave të BE-së, të ketë karakter transformues, edhe Kosova edhe Serbia, me qytetarët e tyre, të përfitojnë dhe t'i afrohemi anëtarësimit në BE. Ky dialog duhet të rezultojë me marrëveshje, por kjo marrëveshje duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër. Nuk mund të them që njohja reciproke të jetë elementi i vetëm, por duhet të jetë në qendër”, tha kryeministri Kurti.

Edhe në Berlin kancelari gjerman, Olaf Scholz, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Kurti, tha se "njohja është pjesë e dialogut dhe do të duhet të përfshihet në marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë”. Kancelari gjerman mësohet, se në vjeshtë do ta vizitojë rajonin e Ballkanit dhe këtë e konfirmoi në Prishtinë ministrja e tij e Mbrojtjes Christine Lambrecht.