1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ky është vetëm fillimi! - Reagime pas largimit të Mubarakut

12 Shkurt 2011

Me gëzim dhe lehtësim është pritur dorëheqja e presidentit egjiptian Mubarak. Nga mbarë bota vjen përkrahje e inkurajim për ngritjen e një shoqërie demokratike në Egjipt. Ndërkohë nga sheshi Tahrir hiqen barrikadat.

https://p.dw.com/p/10GBq
Sheshi Tahrir pas largimit të MubarakutFotografi: DW

Presidenti amerikan Barack Obama e ka përshëndetur dorëheqjen e presidentit Mubarak. Në një fjalim në Uashington, Obama tha se njerëzit në Egjipt e bënë të qartë se do të pranojnë vetëm një demokraci të vërtetë. "Ka shumë pak momente në jetën tonë, kur ne kemi privilegjin të jemi dëshmitarë të historisë. Ky është një nga ato momente. Ky është një nga ato raste. Populli i Egjiptit e tha fjalën e tij, zëri i tij u dëgjua, dhe Egjipti nuk do të jetë më ai që ka qenë."

Me largimin e tij, Mubaraku iu përgjigj etjes së popullit egjiptian për ndryshim, tha presidenti amerikan. Por ky nuk është fundi i tranzicionit në Egjipt, tha ai. Është vetëm fillimi. Dhe në fund të qëndrojë demokracia.

Flash-Galerie Ende Hosni Mubarak Ära Barack Obama
Presidenti amerikan dhe ai egjiptian në një takim në vitin 2010 në zyrën ovaleFotografi: dapd

Jam i sigurtë që do të ketë ditë të vështira përpara dhe se shumë çështje kërkojnë ende përgjigje tha Obama, duke theksuar njëkohësisht besimin e tij, se populli i Egjiptit mund t'i gjejë këto përgjigje, dhe se do ta bëjë këtë në mënyrë paqësore, me konstruktivitet dhe në frymën e bashkimit, i cili ka qenë shenja dalluese këto javët e fundit. Me këtë rast Obama i bëri thirrje ushtrisë egjiptiane që të respektojë të drejtat e popullit dhe t'i hapë rrugë zgjedhjeve të lira dhe korrekte.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon lëvdoi popullin egjiptian për protestën e guximshme dhe paqësore: "Në këtë moment historik e përsëris thirrjen time për një tranzicion paqësor, transparent dhe të rregullt. Kjo do të thotë para së gjithash zgjedhje të lira dhe të besueshme." Ban konfirmoi gatishmërinë e Kombeve të Bashkuara për të asistuar në këto procese ndryshimi popullin egjiptian.

Reagime evropiane

Kancelarja gjermane Angela Merkel duke përshëndetur largimin e presidentit Mubarak, i uroi egjiptianëve një shoqëri pa cenzurë, tortura dhe korrupsion. "Sot është një ditë e gëzimit të madh. Ne jemi të gjithë dëshmitarë të një kthese historike dhe unë i bashkohem gëzimit të njerëzve në Egjipt, të miliona njerëzve në rrugë", tha Merkel.

Ndërsa në Londër kryeministri britanik, David Cameron i ofroi njerëzve në Egjipt ndihmën e Britanisë së Madhe. "Jemi të gatshëm të ndihmojmë ku mundemi", tha ai.

München Sicherheitskonferenz Merkel Cameron
Kryeministri britanik David Cameron në një bisedë me kancelaren Angela Merkel gjatë konferencës së fundit të sigurisë në Mynih më 5 shkurt 2011Fotografi: dapd

Qeveria e re duhet të punojë për të mundësuar një shoqëri të hapur, të lirë dhe demokratike, theksoi Cameron. " Ata që drejtojnë tani Egjiptin kanë një detyrim të marrin seriozisht dëshirat e popullit egjiptian, tanimë duhet të ketë një lëvizje të vërtetë drejt rendit demokratik dhe civilizues." Edhe e ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme Catherine Ashton, duke përshëndetur ndryshimet në Egjipt i siguroi egjiptianët për mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Reagime nga bota arabe

Edhe Arabia Saudite ka mirëpritur tranzicionin paqësor të pushtetit në Egjipt, njofton agjencia shtërore e lajmeve të shtunën. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar të Arabisë Saudite ka shprehur shpresën që forcat e armatosura egjiptiane do të vendosin paqen stabilitetin dhe gjendjen normale, njofton agjencia shtetëore e lajmeve

AG/Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti