1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kuvendi i Kosovës shkarkon qeverinë Mustafa

Bekim Shehu
10 Maj 2017

Kuvendi i Kosovës me 78 vota për, rrëzoi qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Isa Mustafa.

https://p.dw.com/p/2ck4h
Isa Mustafa
Isa MustafaFotografi: picture-alliance/AA/Kosovan Prime Ministry

Me 78 vota për dhe 34 vota kundër deputetët e Kuvendit të Kosovës rrëzuan qeverinë e udhëhequr nga Isa Mustafa. Mocioni i mosbesimit i paraqitur u iniciua nga partitë politike opozitare, por në seancë u mbështet edhe nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, që ishte partnere e koalicionit me LDK-në në qeveri. Me rrëzimin e qeverisë Mustafa tani është në dorën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që të shpërbëjë Kuvendin dhe të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme. Ai mund ta mandatojë edhe dikë tjetër për formimin e qeverisë. Nëse Presidenti vendos që të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme, atëherë ato duhen mbajtur jo më larg se 40 ditë nga shpërbërja e Kuvendit.

Partitë politike opozitare duke arsyetuar paraqitjen e mocionit për rrëzimin e qeverisë Mustafa, para deputetëve prezantuan një varg argumentesh"pse duhet rrëzuar kjo qeveri ”.

"Mosfunksionimi i legjislativit dhe ekzekutivit dhe mungesa e vendimmarrjes në interes të vendit, marrëveshja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që rezultoi që është shkelur kushtetuta, demarkacioni që i humb territor Kosovës, mosfunksionimi dhe ngecja në liberalizim, moszhvillimi ekonomik, ikja e mbi 200 mijë qytetarëve të Kosovës, papunësia e madhe dhe shumë ngecje të tjera", deklaroi Valdete Bajrami, deputete e NISMA për Kosovën, duke lexuar mocionin e opozitës. "Konsiderojmë që e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e lira dhe të parakohshme dhe demokratike”, vazhdoi Bajrami.

Mustafa: "mocioni i mosbesimit pa asnjë bazë argumentuese"

Kryeministri Isa Mustafa, nga ana e tij e quajti "pamflet politik pa asnjë bazë argumentuese” mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë që ai udhëheq.

"Dobësitë dhe keqpërdorimet që janë krijuar nga qeverisjet e kaluara t'i vishen kësaj qeverie, kjo është sjellje e papranueshme. Vlerësoj se peticioni për rrëzimin e qeverisë ka për pasojë destabilimin e vendit, përmes krijimit e mosbesimit në institucione dhe vakuumin institucional, sikundër që ka për qëllim fshehjen e aferave korruptive që janë krijuar nga qeveritë e kaluara”, tha Isa Mustafa. Ai numëroi një varg të arritjesh, sipas tij, të kësaj qeverie dhe tha se qeveria e tij timonin e ka kthyer nga Perëndimi duke e larguar nga Turqia.

Kryetari në largim i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i PDK-së, që ishte në koalicion me LDK, pas rrëzimit të Qeverisë, shkroi në rrjetet sociale: “Parlamenti sot votoi për t’i dhënë fund mandatit të Qeverisë. Kosovës i duhet një fillim i ri për të hapur kapituj të rinj emocionues të historisë sonë”.

Partitë politike opozitare pas rrëzimit të qeverisë thanë se këtë ditë ata do ta kujtojnë si ditë të shënuar “fitore ndaj pushtetit”. 

Haradinaj: me mashtrim u nis, me mashtrim mbaroi

Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, tha në një konferencë për medie se pas rrëzimit të qeverisë, në Kosovë duhet të zhvillohen zgjedhje të lira dhe korrekte dhe kërkoi mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së. 

“Ky koalicion ashtu siç kishte filluar me mashtrim, me mashtrim përfundoi. Sovrani duhet të flasë lirshëm, zgjedhjet duhet të jetë të lira dhe fer, që mos të vidhen votat dhe të mos pengohet procesi zgjedhor. Kërkojmë ndihmën e SHBA-së dhe BE-së, që zgjedhjet në Kosovë të jenë të lira dhe fer”, tha Ramush Haradinaj, duke kërkuar nga institucionet e shtetit që “mos të lejojnë që Serbia t’i fusë duart në Kosovë”. 

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), lidhën koalicion ndërmjet tyre më 9 dhjetor të vitit 2014. Në këtë marrëveshje koalicioni përfshihej edhe Lista Serbe dhe partitë e komuniteteve jo-serbe.

Përplasjet ndërmjet koalicionit qeveritar PDK-LDK, filluan pak kohë më parë. Shkas për këtë duket se ishte pikërisht çështja e demarkacionit me Malin e Zi, për faktin që nga të dyja kampet edhe nga PDK edhe nga LDK, kishte deputetë që nuk e mbështesnin kalimin e demarkacionit dhe rrjedhimisht koalicioni qeverisës nuk i kishte votat e mjaftueshme.

Prania ndërkombëtare në Kosovë, vazhdimisht ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë pro demarkacionit dhe që vendi mos të shkojë në zgjedhje, meqenëse Kosova nuk e ka luksin që të mbajë zgjedhje shumë shpesh.