Kuvendi i Kosovës me rezolutë kundër referendumit serb | Ballkani | DW | 15.01.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Kuvendi i Kosovës me rezolutë kundër referendumit serb

Me anë të një rezolute në seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës i kërkoi qeverisë mos të lejojë mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë. Policia ndaloi kamionët me materiale zgjedhore në kufi.    

Kuvendi i Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme miratoi një rezolutë me të cilën u shpreh kundërshtimi i plotë që në Kosovë të mbahen votime për referendumin e Serbisë për ndryshime kushtetuese që zhvillohet të dielën me 16 janar. Rezoluta u harmonizua nga katër grupe parlamentare, të pozitës dhe opozitës, Vetëvendosje, LDK, AAK dhe grupi i pakicave gjashtë plus mori votat e 77 deputëve të pranishëm në sallë në seancën që u thirr nga kryeministri, Albin Kurti. Partia tjetër opozitare PDK, nuk  mori pjesë në punimet e seancës, por një ditë më parë, ata u shprehen se janë kundër lejimit të mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë.  

Ndër pikat e rezolutës që u miratua thuhet se "Kuvendi i Republikës së Kosovës, si përfaqësues i qytetarëve të Republikës së Kosovës, shpreh qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit të Republikës së Serbisë në Republikën e Kosovës cënon sovranitetin dhe rendin Kushtetues të Republikës së Kosovës, si dhe është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës, si dhe me normat dhe praktikat ndërkombëtare”.

Anadaj me anë të kësaj rezolute, "Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria dhe institucionet gjegjëse të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet brenda kompetencave të tyre për të mos lejuar cënimin e sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, nga mbajtja e referendumit të një shteti të huaj në territorin e Republikën së Kosovës”.

Lista Serbe: Të ndërpritet fushata antiserbe

Lista Serbe që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe që në kuvend përfaqësohet me 10 deputetë, "që të ndërpritet ‘fushata anti-serbe' dhe të lejohet mbajtja e referendumit serb”, sipas deklaratës së kreut të saj, Igor Simiq.

"Edhe një herë nga ky vend, në emrin tim personal dhe në emër të Listës Serbe, popullit serb, ju ftojmë të ndryshoni vendimin tuaj dhe të mundësoni referendumin në përputhje me parimet aktuale. Kjo është një thirrje për arsye, një thirrje për përgjegjësi, që të fillojmë të respektojmë popullin tonë dhe të drejtat e tyre themelore njerëzore”, tha Igor Simiq, ku pas kësaj kërkese deputetët serbë lëshuan sallën.

Kosovo Merdare | Grenze zu Serbien

Kufiri në Merdare

Policia e Kosovës ndali kamionët me fletëvotime

Edhe para se të miratohej rezoluta në Kuvendin e Kosovës, policia ndërmori veprimet e para për ta ndaluar mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë. Policia ndaloi në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdare dy kamionë me fletëvotime që ishin nisur nga Serbia për në Kosovë. "Bazuar në informacionet zyrtare, detyrat dhe autorizimet policore, është ndaluar hyrja në Republikën e Kosovës e këtij materiali i cili po transportohej pa leje përkatëse”, thuhet në një njoftim të policisë. Kamionet me materiale zgjedhore u janë dorëzuar autoriteteve doganore, ndërsa, gjashtë persona janë intervistuar dhe më pas janë kthyer mbrapa në Serbi.

Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, ndërkaq, tha se i ka njoftuar autoritetet ndërkombëtare lidhur me këtë ҫështje, ndërsa ishte kritike edhe ndaj misionit të OSBE-së, që sipas tyre "nuk mori përsipër materialin e referendumit, por as nuk është paraqitur në Merdarë, ku është dashur ta marrë materialin, siç është bërë çdo herë deri më tani në proceset e mëparshme zgjedhore”.

Pristina, OSZE-Gebäude

OSBE në Prishtinë

OSBE: Ndjekim nga afër zhvillimet

Misioni i OSBE-së ka deklaruar, se po vëzhgon nga afër zhvillimet e fundit në raport me referendumin e Serbisë, dhe tha se nuk ishte në gjendje të pranojë materiale zgjedhore për faktin, se nuk kishte pelqim nga të gjitha palët, në këtë rast të qeverisë së Kosovës. "Në mungesë të pëlqimit, nuk është e mundur që misioni të kryejë një operacion me magnitudë të tillë, i cili duhet të mbajë standardet më të larta profesionale të zgjedhjeve”, tha misioni i OSBE-së duke potencuar se "në mungesë të pëlqimit të nevojshëm, siç është bërë e qartë në deklaratat e mëparshme, dhe siç i është komunikuar të gjitha palëve, nuk është dëshmuar e mundur që Misioni të zhvillojë një operacion të tillë me këtë rast”.

Tre krerët e Kosovës, presidentja, kryeministri dhe kryetari i kuvendit me një deklaratë të përbashkët thanë të premten se nuk do të lejojnë mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë, sepse kjo do të ishte shkelje e kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Ata thanë se  serbët e Kosovës mund të votojnë përmes postës apo zyrës ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë.

Kosovo | Sitzung der Regierung

Mbledhje e qeverisë së Kosovës

Ambasadorët në Kosovë të  vendeve më të industrializuara QUINT, Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian, shprehën keqardhjen e tyre që "qeveria e Kosovës nuk ka lejuar OSBE-në, të grumbullojë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e Serbisë. Ata u takuan me udhëheqësit më të lartë të Kosovës duke u bërë thirrje që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur më herët, praktikë kjo e grumbullimit të votave nga OSBE-ja për zgjedhjet e Serbisë.

Megjithë këtë QUINT-i kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të mos rrisin tensionet lidhur me referendumin, të cilin e kanë cilësuar si "hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit në Serbi”. "i bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hap perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal”, theksohet në reagimin e QUINT-tit.