1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kuvendi i Kosovës debaton për herë të parë për sigurinë në vend

Bekim Shehu, Prishtinë20 Korrik 2005

Sot në kuvendin e Kosovës po debatohet për herë të parë për çështjen e sigurisë në Kosovë e cila sipas deputetëve nuk është në nivelin e duhur. Deputetët theksuan mosefikasitetin e policisë ndërkombëtare dhe vendore për zbardhjen e shumë rasteve të dhunës që kanë ndodhur gjatë gjashtë vjetëve të pasluftës. Ata kërkuan që çështja e sigurisë të kalojë në përgjegjësi të institucioneve vendore

https://p.dw.com/p/Aqts
Godina e parlamentit, Prishtinë
Godina e parlamentit, PrishtinëFotografi: DW

Siguria në Kosovë gjatë gjashtë vjetëve të shkuara nuk ka qenë në nivelin e dëshiruar në këtë linjë vazhdon edhe të jetë, prandaj kërkohet nga të gjithë në Kosovë që të angazhohen, në mënyrë që qytetarët e vendit të mos ndjehen të rrezikuar. Përgjegjësit e shumë akteve të dhunës që kanë ndodhur në Kosovë duhet të dalin përpara drejtësisë. Kështu u kërkua nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët sot, po debatojnë për herë të parë mbi çështjen e sigurisë në Kosovë. Komisioneri i policisë ndërkombëtare, Kai Viturp, i cili para deputetëve u paraqit me një fjalim të shkurtër, nuk përmendi suksese të policisë që ka zbardhur ndonjë rast kriminal që ka ndodhur në Kosovë. Ai dënoi shpërthimet e muajit të shkuar që ndodhën në Prishtinë. Sulmet me bombë ndodhën në disa institucione ndërkombëtare dhe vendore. Në këto shpërthime janë përdorur eksplozive ushtarake që kanë kushtuar jetën e civilëve dhe përgjegjësve të rendit. Këto akte janë kryer nga grupe të ndryshme kriminale që për qëllim kanë destabilizimin e vendit sidomos tani, ku koha e bisedimeve për statusin e Kosovës po afron, tha Kai Vitrup, mirëpo nuk tha nëse policia është në rrugë të mirë për kapjen e përgjegjësve dhe nxjerrjen e tyre përpara drejtësisë. Ai tha, se hetimet për këto raste janë duke vazhduar dhe konstatoi se gjendja e sigurisë në Kosovë megjithë incidentet është stabile. Ky konstatim dhe kjo punë e policisë ndërkombëtare dhe vendore nuk u lavdërua nga deputët e kuvendit, prandaj në këtë linjë ata kërkuan që Kosova të ketë të gjithë mekanizmat e sigurisë në kompetencë të institucioneve vendore. Kryetari i PDK-së në opozitë, Hashim Thaqi, ndërkaq, në fjalën e tij, përmendi shumë raste të dhunës që kanë ndodhur gjatë gjashtë vjetëve të pasluftës të njohura për qytetarët. Ai përmendi edhe krimin e organizuar, siç tha, në organet qeveritare dhe në këtë linjë theksoi, se reagimet e organeve përgjegjese për këto akte nuk kanë qënë adekuate.

Sidoqoftë, debati në kuvend për çështjen e sigurisë në Kosovë akoma po vazhdon dhe ky debat po realizohet vetëm një ditë pasi shefi i UNMIK-ut, Soren Jesen Petersen, i dorëzoi qeverisë draft-rregulloren për krijimin e ministrisë së rendit dhe të drejtësisë. Megjithkëtë angazhim institucional që siguria në Kosovë të jenë në nivelin e duhur, incidentet dhe aktet e dhunshme nuk kanë të ndalur. Rasti i fundit u regjistrua mbrëmë kur një mjet shpërthyes u vendos para stacionit qëndrorë të policisë në Prishtinë, mirëpo, organet e rendit arritën që t'a mënjanojnë atë më një shpërthim të kontrolluar.