Kushtrimi i luftës së Orbanit ndaj BE-së | Evropa | DW | 27.09.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kushtrimi i luftës së Orbanit ndaj BE-së

Kryeministri hungarez Orbán ankohet fort ndaj procesit sipas tij të padrejtë bazuar në nenin 7 kundër vendit të tij. Por kjo i shkon perfekt përshtat strategjisë së tij politike e kjo në çastin më të favorshëm se kurrë.

Një video-clip i qeverisë së Orbanit përflitet ndërkohë anë e mbanë në Hungari. Eshtë një klithje indinjate kundër Parlamentit Europian, e shoqëruar me muzikë dramatike. "Të mos dorëzohemi prej presionit!", është titulli, "Ta mbrojmë Hungarinë!".

Me videon prej 25 sekondash qeveria hungareze reagon ndaj të ashtuquajturit raporti Sargentini i Parlamentit Europian, që u miratua më 12 shtator me shumicën e dy të tretave të eurodeputetëtve. Në këtë raport Hungaria akuzohet për shkelje të rënda të të normave të shtetit ligjor. Ky raport shërben si bazë për procesin e hapur kundër Hungarisë konform nenit 7. "Mazhoranca e hapur ndaj migracionit në Parlamentin Europian do të na bëjë ne të heshtim, sepse ne mbrojmë vendin tonë dhe Europën me një gardh kufitar", thuhet në video. Në të paraqiten fotografi jo të përshtatshme të dy deputetëve, holandezes nga radhët e ekologjistëve Judith Sargentini dhe e liberalit belg, Guy Verhofstadt. Në sfond fotografia është plotësuar me një imazh të sfumuar të miliarderit amerikan të bursës me origjinë hungareze George Soros.

Kjo video është pjesë e fushatës aktuale të qeverisë së Viktor Orbanit dhe që ndërkohë po shfaqet në të gjitha mediet e afërta me qeverinë në Hungari. Në këto media politikanë qeveritarë pothuajse çdo ditë sulmojnë ashpër krerët e qeverive dhe të shteteve të tjera të BE-së sikur ata janë kundër Hungarisë, e më së shumti në fokusin e sulmeve të tyre është presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel. Orbán akuzon Merkelin personalisht, se do t'ia heqë nga dora Hungarisë mbrojtjen e kufijve. Historiania e tij Mária Schmidt shkruan, se kancelarja do të përfundojë planin e perandorit Wilhelm dhe të Hitlerit për gjermanizimin e Europës.

E panjohura deri më tani që fshihet pas këtyre toneve të ashpra është, se raporti Sargentini dhe procesi sipas nenit 7 vijnë në një çast ideal për Viktor Orbán dhe përshtaten perfekt me strategjinë e tij politike. Qëllimi afatgjatë i shpallur i Orbanit është një BE si union ekonomik, në të cilin çështjet e vlerave dhe të shtetit ligjor të jenë ekskluzivisht çështje të shteteve të veçanta anëtare. Si një levë për t'ia arritur kësaj Orbani po përdor tani temën e migracionit - një temë, që në vendin e tij ai e përdor me sukses në luftërat elektorale dhe për konsolidimin e pushtetit të tij. AI beson se kjo temë në mbarë Europën për vite të tëra do të jetë temë përcaktuese shoqërore dhe me të mund të fitohen pikë politike.

Si rrjedhojë debatin në BE për gjendjen e shtetit ligjor në Hungari Orbani e paraqet si një "akt hakmarrjeje të Brukselit" ndaj politikës hungareze të migracionit. Rreziku i migracionit, kështu ka deklaruar kryeministri i Hungarisë, do të jetë edhe në fokusin e luftës elektorale për zgjedhjet e BE-së vitin e ardhshëm. Orbani shpreson, që sikurse e formulon ai, mazhoranca "liberale-e majtë" e hapur ndaj migracionit në Palramentin Europian do të ndëshkohet nga zgjedhësit. Në këtë kontekst tone të tilla të ashpra si nuk janë dëgjuar kurrë më parë mund të interpretohen si një luftë e shpallur hapur ndaj BE-së.

Formalisht Viktor Orbán dhe partia e tij Fidesz luftën elektorale për zgjedhjet europiane e zhvillojnë si një parti anëtare e grupit të Partisë Popullore Europiane (EVP). Kryeministri hungarez insiston, që partia e tij të vazhdojë të mbetet anëtare e EVP dhe do që aleanca partiake të ndjekë kursin e tij të rreptë kundër migracionit. Në EVP vazhdon një situatë pat politik sa i përket përjashtimit të Fidesz nga radhët e saj.

Praktikisht Fidesz luftën elektorale do ta zhvillojë krah për krah partive populiste të djathta dhe forcave nacionaliste në Europë. Oferta për bashkëpunim ndërkohë kanë bërë pothuajse të gjitha forcat nga ky kamp që nga FPÖ-ja e Austrisë e deri tek Lega Nord në Itali. Orbán jo vetëm që deklaron, se nëse e përjashtojnë Fidesz nga EVP ai do të farkëtojë aleancë partish kundër migracionit, por ai mban edhe kontakte të mira personale me politikanë si Geert Wilders, Steve Bannon apo Matteo Salvini.

Italians Innenminister Matteo Salvini trifft den ungarischen Premierminister Viktor Orban in Mailand (Reuters/M. Pinca)

Viktor Orban me Matteo Salvinin - Takimi më 28 gusht 2918 në Milano

Një sukses të vogël kundër Brukselit ndërkohë mund ta shënojë kryeministri i Hungarisë në hapje të fushatës elektorale për zgjedhjet europiane: qeveritë dhe partitë më të mëdha qeverisëse në shtetet e Vishegradit - krahas Hungarisë këtu bëjnë pjesë edhe Polonia, Çekia dhe Sllovakia - kanë deklaruar, se nuk do ta mbështesin procesin e bazuar në nenin 7 kundër Hungarisë. Vendime të ngjashme mund të marrin edhe Rumania, Bullgaria e Kroacia. Të paktën një pjesë e madhe e deputetëve të Parlamentit të BE-së nga kampi qeverisës prrej këtyre partive kanë votuar kundër raportit Sargentini. Polonia ndërkohë është e konfrontuar vet me procesin e nenit 7, dhe jo pa të drejtë edhe Rumania e të tjerë i tremben një procesi të ngjashëm ndaj vendit të tyre.

Ndonëse Orban e di që procesi sipas nenit 7 kundër Hungarisë është pothuajse pa shanse, sepse për sanksionet dhe heqjes e së drejtës së votës duhet të ketë konsensus në Këshillin Europian, gjë që është po me aq pak gjasa për Poloninë si edhe për Hungarinë: Megjithatë do të ishte një sukses i madh për Orbanin nëse procesi do të dështonte tani qysh në fillim, sepse është e qartë që në Këshillin Europian nuk do të arrihet shumica e 4/5 për hapjen e procedurës. Për këtë do të duhej që së paku të votojnë kundër gjashtë vende. Ende nuk mund të parashikohet si do të votojnë vendet, por nëse ndodh ky skenar, atëherë Orbani do të jetë i mbrojtur prej përpjekjeve të BE-së që nga viti 2010 për ta kthyer Hungarinë në rrugën e shtetit ligjor. Një gjë e tillë do të shënonte për të një fitore të madhe kundrejt Brukselit.