Kushtetuta e Serbisë dhe Kosova | Studimi në Gjermani | DW | 02.10.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Kushtetuta e Serbisë dhe Kosova

Vëmendje e posaçme në gazetat e sotme gjermane i kushtohet miratimit në parlament të kushtetutës së Serbisë dhe shpalljes së referendumit.

E përditshmja Franfkurter Allgemeine Zeitung, nën titullin "Efekti i Kosovës" shkruan:

"Pak para fillimit të vitit të shtatë prej rrëzimit nga pushteti të Sllobodan Millosheviqit, me 5 tetor të vitit 2000, parlamenti i Serbisë mënjanoi një prej relikteve të fundit të regjimit të tij. Parlamenti miratoi një kushtetutë të re. Mirëpo si çdo temë tjetër e nxehtë në Ballkanin perëndimor, edhe kjo çështje ka të bëjë me statusin e Kosovës. Afrimi i ndarjes së saj dhe zgjedhjet e shpejta mundësuan që në parlament të krijohet një shumicë prej dy të tretave të votave, sa është e domosdoshme për miratimin e kushtetutës. Zgjedhjet e parakoshme janë të domosdoshme, sepse të shtunën kanë dhënë dorëheqjen katër ministra të partisë G17 Plus, të Mladjan Dinkiqit. Dorëheqjen kishin paralajmëruar muaj më parë, në qoftë se Serbia deri me një tetor, nuk e dorëzon në Hagë të akuzuarin për krime lufte dhe gjendocid Ratko Mlladiq. Për kushtetutën e re duhet të votojnë më shumë se gjysma e qytetarëve me të drejtë vote, në referendumin i cili do të zhvillohet me 28 dhe 29 tetor. Ndër zgjedhësit formalisht numrohen edhe rreth dy milionë shqiptarë, të cilët do ta bojkotojnë këtë votim. Megjithatë suksesi i referendumit duket i sigurt. Pastaj do të zhvillohen zgjedhje parlamentare, sipas mediave diku nga mesi i dhjetorit. Ndonëse, kushtetuta u miratua për një kohë shumë të shkurtër, kryeministri Koshtunica ka dështuar në të gjitha pikat. Kryeministri nuk i ka mbajtur dy premtimet kryesore, të dhëna me rastin e krijimit të qeverisë pakicë, në vitin 2003. Një, fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, sepse negociatat janë ndërprerë për shkak se Beogradi nuk e ka arrestuar dhe dorëzuar në Hagë Ratko Mlladiqin, për të cilin Karla Del Ponte supozon se është në territorin e Serbisë. Dhe dy, premtimin për ndarjen etnike të Kosovës në kantone dhe kushtëzimin e zgjidhjes së statustit të Kosovës me respektimin e mendimit të Serbisë. Ndërkohë po forcohet bindja se Këshilli i Sigurimit do ta imponojë zgjidhjen e statusit të Kosovës, përkundër vullnetit të Serbisë. Është e mundur që ky status të zgjidhet deri në fund të këtij viti, e më së largu në katërmujorin e parë të vitit tjetër. Koshtunica është i interesuar që zgjedhjet në Serbi të zhvillohen para zgjidhjes së statusit të Kosovës, sepse kjo do të mund të ndikonte në forcimin e mëtjemë të radikalëve nacionalistë. Të gjitha partitë janë të interesuara që shkëputja e Kosovës të bëhet në kohën e një qeverie kalimtare, sepse asnjë prej tyre nuk është e gatshme të marrë përgjegjësinë për shkëputjen e "djepit të kombit serb", shkruan Franfkurter Allgemeine Zeitung.
Një vëmendje të posaçme votimin në kuvendin e Serbisë i kushton edhe gazeta tjetër gjermane me autoritet, "Süddeutsche Zeitung". Në komentin me titull "Koalicioni tepër i madh i Beogradit", komentatori vëren se të gjitha partitë kanë rënë dakord me tekstin e kushtetutës së re, ku Kosova parashikohet si pjesë e pandashme e Serbisë.
"Është e mundur që pas marrveshjes së të gjitha partive për kushtetutën e re, të arrihet edhe marrveshja për zgjedhjet e parakohshme. Pas zgjedhjeve të këtilla, do të mund të krijohej një koalicion i madh i partive demokratike. Koalicioni do të ishte në interesin e Serbisë sepse do të zbuste frustrimet pas shkëputjes së Kosovës dhe do të pamundësonte ardhjen e radikalëve në pushtet. Për kryeministrin serb Vojisllav Koshtunica, miratimi i kushtetutës është suksesi i vetëm që mund ta prezantojë, pas ndarjes së Malit të Zi dhe ndërprerjes së negociatave me BE, për shkak të mosdorëzimit në Hagë të Ratko Mlladqit", konstaton e përditshmja "Süddeutsche Zeitung".

  • Data 02.10.2006
  • Autor Bahri Cani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arnf
  • Data 02.10.2006
  • Autor Bahri Cani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arnf