1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kusht është Mikel Albisu?

Marc Koch4 Tetor 2004

Protret i kreut të arrestuar të ETA-s

https://p.dw.com/p/ArGE
Salis-de-Bearn, vendi ku u arrestua kreu i ETA-s
Salis-de-Bearn, vendi ku u arrestua kreu i ETA-sFotografi: AP

Është fundi i palavdishëm i karrierës së një pseudonimi. Studenti bask Mikel Albisu Iriarte i nënshkruante kritikat e tij letrare me emrin "Antza", që do të thotë pamje e jashtme. 20 vjet më vonë pseudonimi përfaqëson njërin nga terroristët më të kërkuar në botë. Nën emrin e luftës "Antza" Mikel Albisu ishte drejtuesi dhe truri i organizatës ilegale ETA. Askush nuk ka mundur të qëndrojë kaq gjatë në krye të organizatës, prandaj arrestimi i tij shkakton edhe tek ministri i brendshëm spanjoll José Antonio Alonso lehtësim të kontrolluar.

"Nuk ka nevojë të theksohet diçka, vetëm që kjo është në të mirë të të gjithë spanjollëve."

Mikel Albisu lindi më 1961 në San Sebastian. Ai është fëmija i madh nga gjithsej katër i një familjeje nacionaliste. Si student ai vë në skenë pjesë teatrale, shkruan tregime dhe fiton madje një çmim letrar për një punim me titull: "Shigjeta e zjarrit". Në mes të viteve tetëdhjetë shigjeta godet për herë të parë. Albisu çliron thuajse i vetëm dy të burgosur të ETA-s. Fillon ngjitja e tij në organizatë, ai studion në Paris politikë dhe është përgjegjës për kontaktet ndërkombëtare të ETA-s.

Kur në vitin 1992 në një aksion spektakolar arrestohet krejt udhëheqja e atëhershme e bandës terroriste Mikel Albisu merr përsipër drejtimin e ETA-s. Organizata vazhdon të vrasë, por në të njëjtën kohë Albisu arrin diçka të paparë. Ai shpall armëpushim dhe negocion me qeverinë konservatore. Bisedimet dështojnë, ETA e përfundon armëpushimin në nëntor 1999 dhe vret më pas 23 vetë.

Qeveria në Spanjë përgjigjet me një strategji tolerance zero dhe përforcon bashkëpunimin me policinë franceze, sepse terroristët shfrytëzojnë si zonë tërheqjeje fshatra në jugperëndim të Francës. Bashkëpunimi i ngushtë çoi edhe në arrestimin e kreut të ETA-s.

Mikel Albisu nuk u ngjit në krye nëpërmjet bombave. Spanja nuk ka kërkuar as ekstradimin e tij, sepse ai nuk mund të akuzohet për asnjë pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në atentate. Megjithatë ai është bashkëfajtor për 120 viktima të terrorit. Askush nuk mund të pretendojë që me këtë arrestim ETA është mposhtur përfundimisht, por gëzimi për fundin e karrierës së emrit të luftës "Antza" është megjithatë i madh.