1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Kush nuk beson në mrekullitë në Lindjen e Mesme, nuk është realist"

5 Tetor 2009

Irani lejon kontrollin e impiantit të dytë atomik

https://p.dw.com/p/JxpJ
Pamje nga qyteti Qom (Ghom) në IranFotografi: Jürgen Sorges

"Nürnberger Nachrichten" shkruan lidhur me çmimin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, që iu dha sivjet avokatit iranian Soltani: "Ndarja strikte e shtetit nga feja, ose kisha dhe prioriteti i drejtësisë së pavarur janë arritjet më bekuara shoqërore të historisë. Vetëm këto garantojnë edhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sepse ato nuk mund të sakrifikohen për hir të një fuqie "më të lartë", apo të një ideologjie. Ky në fakt është edhe një nga mësimet e bashkimit të Gjermanisë, jubileu i të cilit u festua në fundjavë. Në Gjermaninë Lindore mbisundonte një parti jo duke iu referuar një feje, por një ideologjie të thuash gati si fetare."

"Frankfurter Allgemeine Zeitung" komenton zhvillimet lidhur me programin atomik iranian: "Irani islamik nuk ka interes, që ta izolojë vetveten edhe më shumë në arenën ndërkombëtare. Ndaj duhej patjetër që në Teheran të bëhet i qartë një "ndryshim kursi", i cili u vu re qysh në bisedimet e fundit të sukseshme në Gjenevë lidhur me programin bërthamor iranian. Në fund të këtij muaji inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare Atomike do të lejohen të kontrollojnë komplekset përpunuese, që Irani i ka vendosur në Gom. Ky është edhe një sukses i drejtuesit të Agjencisë Ndërkombëtare, El Baradei, të cilin e siguroi për këtë qeveria iraniane gjatë vizitës së tij në kryeqytet. Mosbesimin e bashkësisë ndërkombëtare Irani së fundi e përforcoi sërish duke deklaruar vetëm tani vonë ekzistencën e këtij kompleksi. A mundet vallë të marrim frymë lirisht tani?"

"General Anzeiger" komenton: "Kush nuk beson në mrekullitë në Lindjen e Mesme, nuk është realist. Një shprehje e vjetër popullore dhe një përvojë që përsëritet: Kompleksi i ri iranian e pasurimit të uraniumit në afërsi të qytetit Gom do të kontrollohet brenda këtij muaji nga inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare Atomike. Nga bisedimet në Gjenevë erdhi papritur lëvizje në grindjen atomike. Kryesisht iranianët kanë pranuar, që një pjesë të madhe uraniumit të pasuruar në doza të lehta në komplekset ekzistuese në Natan ta dërgojnë për pasurim të mëtejshëm jashtë vendit."

Autor: Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Angjelina Verbica