1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kusari-Lila: Tregtia e lirë duhet të jetë e bazuar në axhendën zhvillimore jo atë politike

27 Qershor 2011

Në takimin e radhës Prishtinë-Beograd, Serbia duhet të pranojë vulat e doganave të Kosovës, ndryshe qeveria e Kosovës në muajin korrik do të ndalojë të gjitha mallrat e Serbisë në Kosovë, thotë ministrja Kusari-Lila.

https://p.dw.com/p/11kL9
Ministrja kosovare e Tregtisë dhe Industrisë, Znj. Mimoza Kusari Lila.
Ministrja kosovare e Tregtisë dhe Industrisë, Znj. Mimoza Kusari Lila.Fotografi: DW/Bekim Shehu

DW: Zonja ministre, fundjavën e kaluar (25-26.6.), ju realizuat një vizitë në Shqipëri, ku në fokus ishte sqarimi me shtetin shqiptar rreth shkëmbimeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Çfarë probemesh ka Kosova me Shqiperinë rreth qarkullimit të lirë të mallrave?

Kusari-Lila: Ka tri vjet që në vazhdimësi janë paraqitur probleme kur prodhuesit kosovarë kanë synuar eksportin në tregun e Shqipërisë, pasi doganat e Shqipërisë në raste të caktuara kanë përdorur çmime reference më të larta sesa çmimi i tregut për këto produkte, që kanë qenë për eksport për tregun e Shqipërisë. Rrjedhimisht kjo ka rritur edhe çmimin e produkteve tona në tregun e Shqipërisë, që do të thotë se ka ulur konkurrencën e këtyre produkteve. Kjo ka ndodhur në disa raste të caktuara, por që kanë ndikim të madh në Kosovë sepse ka qenë produkte bujqësore, që do të thotë se një numër i madh i fermerëve që merren me prodhimin e produkteve bujqësore mbesin ose pa punë ose humbasin tregun. Vizita jonë në Shqipëri kishte qëllim bisedimet me autoritetet shqiptare, që mos të aplikohen çmime reference. Gjatë vizitës kemi pasur një mirëkuptim të madh sidomos nga kryeministri Berisha dhe tash kemi një marrëveshje nga doganat e Kosovës dhe Shqipërisë, që nuk do të shohin aplikimin e çmimeve referente për produkte me origjinë nga këto dy vende. Pas kësaj marrëveshje dërgesat e para nga Kosova kanë shkuar në Shqipëri dhe jemi informuar se nuk ka pasur aplikim të ëmimeve të referencës. Ky është një lajm i mirë.

DW:Zonja ministre, Kosova më shumë ka probeme në shkëmbime tregtare me Serbinë dhe Bosnjen e Hercegovinën sesa me Shqipërinë. Ju keni paralajmëruar masa reciprociteti ndaj këtyre vendeve. Për çfarë masash bëhet fjalë?


Kusari-Lila: Ajo çfarë kemi paralajmëruar në muajin maj ka qenë aplikimi i taksës doganore prej 10%, taksë kjo që aplikohet për të gjitha vendet që nuk janë nënshkruese të marrëveshjes së tregtisë së lirë. Kjo ka qenë vetëm një paralajmërim për këto dy shtete për pranimin e vulave të doganave të Repubikës së Kosovës. Megjithatë afati i gjysmës së qesrhorit i bërë publik që në fillim të majit, ka koinciduar me fillimin e dialogut Kosovë-Serbi, dhe ne kemi pasur një lutje nga përfaqësuesit e BE-së, që mos të fillojmë aplikimin e taksës doganore pasi ka shenja pozitive se Serbia do të pranojë vulat e doganave të Kosovës. Aplikimi i një mase të tillë do t'i jepte Serbisë shkas që mos t'i pranojë vulat e doganave të Kosovës. Ne e kemi pranuar shtyrjen e këtij afati por me një kusht që në raundin e bisedave në korrik të arrihet marrëveshja për pranimin e vulave të doganave të Kosovës. Në rast të kundërt do të shkohet me aplikimin e masave të plota të reciprocitetit, që do të thotë ndalimin e hyrjes në Kosovë të të gjitha mallrave që kanë origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina dhe po ashtu edhe për tranzit, siç veprojnë këto dy vende me mallrat e Kosovës.

DW: Këto masa reciprociteti për të cilat flisni, e dëmtojnë ekonominë kosovare, kur dihet se Kosova me së shumti importon mallra nga Serbia?

Kusari-Lila:Vlera e përgjithshme e importeve që vjen nga Serbia brenda vitit është 260 milion euro, vlera e përgjithshme e importeve që vijnë nga Bosnja e Hercegovina është 80 milion euro. Vlera e përgjithshme në vit që importon Kosova nga të gjitha vendet është afër dy milliard euro. Në biseda me odat ekonomike të Kosovës dhe asociacionet tjera na është konfirmuar se nuk do të ketë problem me zëvëndësimin e këtyre produkteve me produktet nga vende tjera. Ndikimi negativ mund të jetë vetëm për disa kompani kosovare, që kanë bashkëpunuar me kompanitë serbe, por në momentin kur blen je në pozicion më të mirë sesa kur shet mallra, prandaj brenga më shumë duhet të jetë për këto dy vende që kanë shitur në Kosovë, sesa e Kosovës e cila ka qenë konsumatore nga këto dy vende.

DW: Zonja ministre, sa jeni e bindur se këto masa mund të respektohen, kur kemi parasysh faktin që institucionet e Kosovës, nuk i kontrollojne dy pikat kufitare me Serbinë në veri të Kosovës dhe serish mund të futen mallra në Kosovë?

Kusari-Lila: Po, është e vërtetë që pikat doganore 1 dhe 31 në veri të Kosovës nuk kontrollohen nga institucionet e Kosovës, kjo do të jetë një sfidë e radhës, por do të jetë një mundësi e mirë për të evidentuar kontrabandën që bëhet nëpërmjet këtyre dy pikave, duke u ditur edhe vlera e saj.

DW: A e dëmtojnë këto masa frymën e dialogut Kosovë -Serbi?

Kusari-Lila: Natyrisht nëse nuk arrihet një marrëveshje me Serbinë në korrik, atëherë mund të ketë një tërheqje të Serbisë, mirëpo nëse dëshirojnë të mbrojnë interesat e vendit të tyre, atëherë duhet të jenë më të kujdeshëm për ruajtjen e tregut. Ne jemi duke i ndihmuar Serbisë para opinionit të saj, sepse ata e dinë që Kosova është një realitet, që pavarësia e Kosovës nuk mund të kthehet prapa, por që vazhdimisht e mbajnë retorikën politike për konsum të brendshëm në Serbi. Mirëpo duke u ballafaquar me një situatë kur rrezikohen interesat ekonomike të vendit ata kanë një arsye më tepër për të pranuar vulat e Republikës së Kosovës, duke u arsyetuar me humbjet që mund t'i kenë për tregun e tyre. Prandaj unë mendoj se me një masë të tillë ne vetëm ndihmojmë dialogun sesa mund ta rrezikojmë.

DW: Në 30 qeshor në Prishtinë do të mbahet takimi i CEFTAS-as, i cili kryesohet nga Kosova. Mendoni se në këtë takim do të arrihet ndonjë marreveshje me Serbinë dhe Bosnjen e Hercegovinën për shkëmbim të lirë tregtar me Kosovën ashtu siç e parasheh marrëveshja e CEFTA-as?

Kusari-Lila: Ky do të jetë një takim që do të tregojë se kah po shkon rajoni, sepse takimi është në nivel të zëvëndësministrave të tregtisë nga vendet anëtare të marrëveshjes se CEFTA-as. Nëse në këtë takim kemi pjesëmarrje edhe të vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, atëherë kemi shenja pozitive për të ardhmen e rajonit dhe unë besoj se vendet e rajonit do të shohin nga e ardhmja. Tregtia e lirë nuk duhet të jetë e bazuar në axhendën politike por duhet të jetë e bazuar në axhendën zhvillimore. Deri tash nuk është thënë nga askush se nuk do të ketë pjesëmarrje nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, prandaj unë besoj se takimi i Prishtinës do të jetë një rast i mirë drejt proceseve integruese të rajonit.

Intervistoi: Bekim Shehu

Redaktoi: E. Xhani