Kur dëshirohet jetesa normale krah përkrah, atëherë duhen bërë edhe lëshime! | Ballkani | DW | 14.03.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kur dëshirohet jetesa normale krah përkrah, atëherë duhen bërë edhe lëshime!

Intervistë me Prof. Lothar Altmann, nga Fondacioni për shkencën dhe politikën mbi skenarë të mundshëm pas përfundimit pas sukses të negociatave shqiptaro-serbe

Lothar Altmann

Lothar Altmann

DW: A do t'i rikthehet plani Ahtisarit edhe njëherë për rifillim negociatash?

Altmann: "Ka disa zëra që thonë se Sekretari i Përgjithshëm do t'ia kthejë edhe një herë planin Ahtisaarit për të rifilluar një raund të ri negociatash. Unë nuk besoj, se do të ndodhë kështu. Unë besoj, se në fillim fuqitë kryesore do të përpiqen të bindin Rusinë, që të mos vërë veton."

DW: Si mendoni ju si mund të arrihet kjo?

Altmann: "Është e paqartë se cilat janë interesat e Rusisë në çështjen e Kosovës. Deri tani ata nuk e kanë thënë që do të vënë veton, por vetëm se do të refuzojnë përkrahjen, në rast se Beogradi nuk do të pranonte (planin). Kjo e lë gjithçka të hapur. Unë kam përshtypjen, se Rusia këtu ka një mundësi, që t'i dëshmojë perëndimit, që ajo duhet të përfshihet si një partner tërësisht i barabartë në çështjet e rëndësishme të politikës botërore. Në këtë rast Kosova përbën një shans."

DW: Cili është shpërblimi që kërkon ajo për këtë?

Altmann: "Nuk mund të përfytyrohet se çfarë shpërblimi kërkon Rusia. Ajo nuk ka asnjë problem ekonomik, asnjë problem, ku do t'i nevojitej përkrahja e SHBA-ve apo të BE-së. E vetmja gjë, për të cilën tani po zhvillohen negociata, është marrëveshja e re e bashkëpunimit me BE-në, por këtu Rusia nuk mund të fitojë pikë nëse sillet ndryshe ndaj Kosovës. Nuk ka asnjë përfitim tjetër që mund të nxirrte Rusia, përveç atij thjesht imagjinar: Edhe ajo vendos."

DW: Atëherë e vetmja mënyrë për ta përforcuar këtë përshtypje do të jetë zvarritja e vendimmarrjes....

Altmann: Po, dhe prandaj Rusisë i duhet bërë e qartë, që zvarritja nuk do të thotë përmirësim, por keqësim të gjithë situatës. Në rast se vendimmarrja zvarritet deri në vjeshtë, ekziston rreziku që në Kosovë të ketë trazira, ku forca radikale do të përpiqen ta shfrytëzojnë këtë situatë për vete, dhe atëherë do të duhej t'i thuhej Rusisë: Ju keni përgjegjësi për keqësimin e situatës.

DW: Po a nuk do të ishte kjo një situatë kërcënimi?

Altmann: Ashtu është. Problemi është që do të krijohej një gjendje kërcënuese, pak a shumë në formën: "Ne do të keqësojmë situatën, do të krijojmë trazira, do të bëjmë presion ndaj serbëve, në mënyrë që t'ju detyrojmë juve, bashkësinë ndërkombëtare, që më në fund të na e pranoni pavarësinë. Kjo është një situatë shumë e vështirë dhe keqe, por ja që ky është realiteti.

DW: Por trazira ka pasur në Kosovë edhe për shkak të planit të Ahtisaarit, për shembull demonstratat e udhëhequra nga Albin Kurti...

Altmann: PO, sigurisht, por ato aktualisht janë aq të vogla, saqë mund të mbahen nën kontroll, përsa kohë që procesi po përparon. Në rast se ai ngec, atëherë me siguri që duhet përfytyruar që lëvizja e Kurtit do të rritet dhe që pastaj politikanët shqiptarë nuk do të jenë të vullneteshëm t'u kundërvihen kërkesave të tyre.

DW: Çfarë përfaqëson, sipas jush, fenomeni Kurti?

Altmann: "Nuk e kemi shumë të qartë, se a është një grup i vogël njerëzish idealistë, që bën sikur të ishte i madh, por që nuk ka ndonjë rreth të madh simpatizantësh, pasi në demonstrata nuk ka pasur shumë vetë. Apo ndoshta ajo thjesht instrumentalizohet nga njerëz a grupime që nuk dihet se përse duan të përshpejtojnë procesin, pikërisht tani, kur rruga drjet pavarësisë është më se e qartë, e duke e vënë atë të tërën në rrezik. Para së gjithash, ka rrezik, që Bashkësia Ndërkombëtare, të mos jetë më pozitive, në se ushtrohet një presion i tillë. Përfytyroj, që ato vende, të cilat që tani kanë shprehur dyshime karshi shpejtësisë, të jenë ngurtësohen dhe të krijojnë përçarje në BE."

DW: Një nga pikat kryesore të pakos së Ahtisaarit që kritikon Albin Kurti, është decentralizimi. Ai thotë se në Kosovë po krijohet një Republika Srpska e dytë. A është me vend një pohim i tillë?

Altmann: "Plani parashikon që ato të kenë më shumë kontakt me njëra tjetrën, të kenë mundësi të bashkohen, të lidhen me Serbinë, por nuk kemi një rajon të ri që do të jetë tërësisht serb. Prandaj, unë mendoj se kritikat e Kurtit nuk janë të justifikuara. Nga ana tjetër, duhet pranuar, që serbët kanë shqetësime dhe kërkesa me vend. Ky ishte qëllimi i planit të Ahtisaarit. Është e vërtetë që aty janë bërë shumë lëshime në dobi të serbëve, por kur dëshirohet jetesa normale krah përkrah, atëherë duhen bërë edhe lëshime."

DW: Në rast se Rusia vendos veton, atëherë cili është skenari i mundshëm?

Altmann: Së pari unë besoj se palët kryesore do të përpiqen t'ia mbushin mendjen Rusisë, që të mos verë veton. Ndoshta duhet të bëhet në pako edhe një plotësim, në të cilin do të mund t'u garantohet rusëve, që procesi nuk ka përfunduar ende, por që ndodhet në një fazë tranzicioni, gjatë së cilës qeveria kosovare duhet të dëshmojë që është në gjendje t'i marrë përsipër të gjitha kompetencat. Në rast se as kjo nuk arrihet dhe Rusia do të vërë veton, atëherë skenari është i sigurtë: Parlamenti në Prishtinë do të shpallë pavarësinë e do të thërrasë vendet në botë që ta njohin. Do të krijohet një farë kaosi. Forcat radikale shqiptare do të bëjnë thirrje për demonstrata kundër UNMIK-ut dhe komunave serbe. Do të duhet të dërgohen ndoshta edhe më shumë trupa për ta kontrolluar
situatën. Përveç kësaj, vendimi i secilit vend për ta njohur a jo Kosovën do të krijojë një përçarje të madhe brenda Bashkimit Evropian. Ndoshta disa vende myslimane ose edhe SHBA-të do ta njohin e Bashkësia Ndërkombëtare përsëri do të jetë e ndarë.

DW: Sa realist është ky skenar negativ?

Altmann: Është skenar negativ, por mendoj se është një skenar mjaft realist. Si do të reagojë ndryshe Prishtina në se me veton e Rusisë plani i Ahtisaarit do të lihet në ngrirje dhe do të mbetet në fuqi 1244? Kjo do të thotë që UNMIK-u mbetet përgjegjës edhe më tej dhe që UNMIK/u, krahas serbëve, do të jetë tabelë shënjestre për shqiptarët. Situtata mund të jetë shumë kaotike.

DW: Zgjedhjet në Shqipëri u kritikuan sërish nga Bashkësia Ndërkombëtare. Cili do të jetë efekti i tyre në ftesën që pret Shqipëria për anëtarësim në Nato?

Altmann: "Zgjedhjet nuk ishin tërësisht perfekte, por nuk mendoj se këto kritika të vogla do të hapin probleme të mëdha. Nato-ja po bëhet gjithmonë e më shumë si kompensim për zvarritjet në zgjerimin e BE-së, kjo për fat të keq duhet pranuar. Por, në anën tjetër, ajo ka një kuptim në lidhje me stabilitetin në rajon. Ka gjithmonë zëra që kërkojnë ngadalësim. Por kur ata kanë pranuar vende si Bullgaria dhe Rumania, mendoj, se në qoftë se Shqipëria në kuadër të Pratneritetit për Paqe gjatë këtyre dy viteve që kanë mbetur do të sforcohet, atëherë nuk shoh ndonjë problem. Është edhe në interes të amerikanëve dhe të italianëve, pra, të disa anëtarëve të Natos, që Shqipëria të hyjë në të."


  • Data 14.03.2007
  • Autor Anila Shuka
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArXi
  • Data 14.03.2007
  • Autor Anila Shuka
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArXi
Reklamë