1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kundër sidës mbron vetëm parandalimi

Sybille Golte31 Maj 2006

25 vite pas zbulimit të virusit HIV, zyra për sidën e OKB-së, UNAIDS, shënon sukseset e para në luftën kundër sëmundjes që dobëson imunitetin.

https://p.dw.com/p/ArLQ

Një çerek shekulli ka njerëzimi që jeton dhe vdes me sëmundjen e sidës. Mbi 25 milionë njerëz kanë vdekur ndërkohë nga kjo sëmundje, pothuajse po aq shumë njerëz sa vdiqën gjatë Luftës së Dytë Botërore. Zyra e OKB-së UNAIDS, publikon një herë në vit raportin e saj mbi viktimat që shkakton kjo sëmundje në mbarë botën. Në raportin e këtij viti, ndjehet për herë të parë një optimizëm i lehtë: Përhapja e sëmundjes ka ndodhur në mënyrë më të ngadaltë dhe fushatat parandaluese kanë arritur suksesin e duhur në disa rajone. Arsye kjo për t´u gëzuar? Në asnjë mënyrë. Mesazhi që arrin nga këto lajme është krejtësisht i gabuar.

Ja vlen t´i verifikosh me kujdes informacionet e sapo botuara. Në Afrikë, kontinentin që preket më rëndë nga sida, në disa vende ka rënë numri i të infektuarve të rinj, si për shembull në Zimbabve dhe Kenia. E njejta gjë vlen edhe për shtetet e ish Bashkimit Sovjetik. Por edhe një përhapje e ngadaltë mbetet përhapje. Informacionet mbi të infektuarit në Azi janë alarmuese. Në vendet me popullsinë më të dendur, si në Indi, Kinë dhe Indonezi, sida po përhapet në mënyrë shumë të shpejtë. Mesatarisht vendet aziatike ndodhen pas Afrikës: Në Indi për shembull janë vetëm 0,9% e të rriturve të infektuar me virusin HIV, ndërkohë që në disa shtete afrikane numri arrin në mbi 20% të popullsisë. Por ky fakt dëshmon vetëm një gjë: Azia ndodhet tani aty ku ndodhej Afrika përpara 10 vitesh. Në Afrikë numri i të infektuarve ka rënë disi, vetëm sepse kjo sëmundje arriti përmasa të llahtarshme në këtë kontinent dhe zgjoi kështu interesin e vendeve perëndimore. Azia ka ende tjetër rang.

Virusi i sidës po përhapet në rajonet më të fshehta dhe më të vështira. Në rradhë të parë kjo sëmundje përhapet nëpërmjet kontaktit seksual. Por qëndrimi negativ i kishës katolike kundrejt përdorimit të preservativëve dhe rregullat e shoqërisë myslimane mbi seksin përpara martesës, si për shembull në Indonezi, janë gjithashtu shkaqe të rëndësishme për përhapjen e kësaj sëmundjeje. Mbi seksin nuk flitet dhe pikërisht kjo është baza më e rrezikshme për luftimin e sidës.

Raporti i këtij viti i UNAIDS thekson: Gjitnjë e më shumë të infektuar marrin ilaçe që e luftojnë zhvillimin e sidës në organizëm. Por ndonëse ky virus u diagnostifikua për herë të parë përpara 25 vitesh, ende nuk ka asnjë ilaç që ta shërojë këtë atë. Mesazhi është i qartë: Kundër sidës mbron vetëm parandalimi. Në këtë prizëm nuk ka asgjë më të dëmshme se informacione mbi rënien e infektimieve të reja apo vaksina të mundshme kundër sidës. Në rast se, ashtu si në shumë vende të Afrikës, masat parandaluese fillojnë pasi një të tretat e popullsisë janë infektuar, atëherë virusi ka fituar me kohë.