Kuba: lamtumirë ekonomisë së centralizuar? | Bota | DW | 20.06.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Kuba: lamtumirë ekonomisë së centralizuar?

Kuba nis përfundimin e dekadave të ekonomisë së planit të centralizuar. Qeveria njofton më shumë autonomi për ndërmarrjet shtetërore. Por vetëm shumë pak njerëz i besojnë vërtet kësaj.

Ishin vetëm disa fjali në një fjalim të gjatë, por ato u tërhoqën vëmendjen njerëzve. Në Kongresin e Shoqatës së Ekonomistëve dhe Kontabilistëve Kubanë (ANEC), fundjavën e kaluar Presidenti i Kubës Miguel Diaz-Canel konfirmoi atë që kishte paralajmëruar fundjavën e kaluar në Havanë ministri i Ekonomisë, Alejandro Gil. Që nga viti i ardhshëm, planet e prodhimit në ndërmarrjet shtetërore nuk do të vendosen më nga "lart", por do të hartohen nga vetë punëtorët. Pra, ndërmarrjet shtetërore do të kenë më shumë autonomi.

Me këtë, qeveria u jep fund dekadave të centralizimit të ekonomisë. "Kjo është një masë e guximshme dhe revolucionare që kërkon objektivitet, realizëm dhe ndërgjegjësim", lëvdoi veten Diaz-Canel. Ajo synohet të kontribuojë për të ndihmuar rigjallërimin e ekonomisë në krizë të ishullit të Karaibeve. Qeveria ka theksuar vazhdimisht se për shkak të mungesës kronike të devizave, duhet të reduktohen importet dhe të prodhohet më shumë në vend. Por për këtë duhet të bëhen më efektive ndërmarrjet shtetërore. Masa duhet parë gjithashtu në këtë sfond.

"Është mirë të tregohet kujdes"

"Më shumë autonomi për ndërmarrjet shtetërore nevojitet urgjentisht, por nëse njoftimi i Díaz-Canelit do të thotë me të vërtetë një" fund të ekonomisë së planifikuar ", për këtë duhet të jemi shumë të kujdesshëm", i thotë DW Bert Hoffmann, ekspert për Kubën në GIGA (Instituti Gjerman i Studimeve Globale dhe i Zonave). "Forcat e qëndrimit në vend janë të forta dhe njoftimet nuk do të thonë se do të ketë zbatim konsekuent".

"Për të zbatuar në mënyrë efektive këtë masë, e cila është kërkuar prej vitesh, është i nevojshëm një ndryshim i mentalitetit", tha Díaz-Canel në fjalimin e tij. Edhe kubanët e pyetur shprehen mjaft skeptikë, përsa i përket fundit të ekonomisë së planifikuar. Fjala mbetet te kultura në ndërmarrje dhe te autoritetet, të cilat "urdhërave nga lart" nuk u vënë pikëpyetje. Ndryshimi i këtyre pritet të jetë sfida më e madhe. Gjithashtu, më shumë autonomi ka shumë kohë që është premtuar.

Presidenti i Kubës Miguel Diaz Canel

Presidenti i Kubës Miguel Diaz Canel

Në fakt, që në Kongresin e Partisë Komuniste të Kubës (KPP) në prill të vitit 2011 u shpall autonomi më e madhe për ndërmarrjet shtetërore. Ripërtëritja e sektorit shtetëror konsiderohet thelbi i reformave të inicuara nga Presidenti i atëhershëm, Raul Castro. Rreth 70 për qind e kubanëve vazhdojnë të jenë të punësuar ende në agjencitë qeveritare dhe bizneset.

Ligji për Reformën e Ndërmarrjeve Shtetërore i dhjetorit 2014 u dha ndërmarrjeve shtetërore më shumë hapësirë veprimi në planifikimin financiar dhe në zhvillimin e sistemeve vetjake të pagave dhe stimujve, por iniciativat e deritashme legjislative kanë qenë të përmbajtura, përsa i përket decentralizimit.

"Përballë përkeqësimit dramatik të situatës së jashtme - Venezuela, Mais Medicos, Trump - Kuba ka pak alternativa të tjera për të mobilizuar se burimet e brendshme", thotë Hoffmann. Në fakt, klima gjeopolitike për Kubën është përkeqësuar ndjeshëm. Kriza ekonomike dhe politike e aleates më të afërt të Kubës, Venezuelës, po bëhet gjithnjë e më e ndjeshme në ishull. Furnizimet me naftë nga Karakasi kanë rënë me më shumë se gjysmën.

Dhe me fundin e programit mjekësor Mais Médicos (More Doctors) me Brazilin, çdo vit mungojnë rreth 400 milionë dollarë në valutë të huaj. SHBA, nga ana tjetër, nën Presidentin Donald Trump e ashpërsoi politikën e bllokadës.

Për Hoffmannin, problemi shkon përtej autonomisë më të madhe për ndërmarrjet shtetërore dhe te dëshira për më shumë kapital të huaj. "Për sektorin privat dhe kooperativat, duhet edhe më shumë liri dhe më shumë siguri ligjore". Programi i qeverisë ka qenë në të vërtetë një reformë e ngadaltë dhe graduale, mendon ai. "Tani duket sikur nuk kanë më kohë dhe duhet të reformojnë më shpejt se sa donin. Por edhe atëherë vështirë se mund të priten përmirësimet e shpejta në gjendjen e furnizimit. Kuba ka përpara kohë të vështira. "