Ku vihen re dallimet kulturore mes migrantëve e gjermanëve? | Let′s Face It | DW | 22.09.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Let's Face It

Ku vihen re dallimet kulturore mes migrantëve e gjermanëve?

Migrantët që jetojnë në Gjermani vërejnë dallime kulturore me vendin e prejardhjes. Ato shfaqen kryesisht në qëndrimin ndaj homoseksualitetit, ndaj të moshuarve dhe familjes. #letsfaceit

Vende të tjera zakone të tjera? Me sa duket po. Në një sondazh të zhvilluar me 369 azilkërkues në Gjermani nga 11 vende të botës, mes tyre edhe azilkërkues nga Shqipëria, konstatohet, se migrantët shohin dallime të mëdha kulturore me vendin nga vijnë, shkruan agjencia gjermane e lajmeve, dpa. Sondazhi u zhvillua nga Këshilli i Ekspertëve për integrimin i Fondacioneve Gjermane dhe Fondacioni Robert Bosch në Berlin në një hapësirë kohore nga korriku 2017 deri në janar 2018, me azilkërkues që kanë ardhur në Gjermani nga viti 2014.

Qëndrimi ndaj homoseksualëve

Një nga temat kryesore, ku migrantët vënë re dallime është qëndrimi ndaj homoseksualitetit. Kështu 9 nga 10 të anketuar, besojnë, se për gjermanët është e "rëndësishme" ose "shumë e rëndësishme" që heteroseksualët dhe homoseksualët të kenë të njëjtat të drejta. Në vendin e tyre të origjinës, thonë të anketuarit, kjo ka rëndësi për vetëm afër 30% të njerëzve.

Në anketim gati 40% e të pyeturve që i kanë parë këto dallime e kanë "të vështirë" ose "shumë të vështirë" të pajtohen me këtë. Kjo ishte vlera më e lartë e anketimit.

Familja

Shumë migrantë të anketuar janë po ashtu të mendimit, se njerëzit në Gjermani nuk u japin respektin e duhur anëtarëve të moshuar të familjes dhe nuk kujdesen sa duhet për ta. Gati një e treta e të anketuarve janë të këtij mendimi. Sipas tyre ky respekt është më i madh në vendin e prejardhjes. Po ashtu të anketuarit janë të mendimit, se familja në Gjermani nuk ka atë rëndësi që ka në vendin e tyre.

Megjithë dallimet që perceptojnë migrantët nga ana kulturore dhe në barazinë gjinore apo të njerëzve, shumica e të anketuarve, (afër 80%) janë përgjigjur, se nuk kanë probleme të mëdha me këto dallime kulturore.

Ky anketim nuk është përfaqësues për të gjithë refugjatët në Gjermani, por ai reflekton vendet kryesore nga vijnë refugjatët. Personat e anketuar vijnë nga Shqipëria, Afganistani, Egjpti, Eritrea, Iraku, Nigeria, Irani, Pakistani, Somalia, Siria, Tunizia. Autorët e studimit rekomandojnë që tema të tilla të dallimeve kulturore të trajtohen më fort në kurset e integrimit.

la/dpa