Ku ndodhet Ivan Rybkin? - Kandidati për postin e presidentit rus është zhdukur pa gjurmë | Bota | DW | 10.02.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Ku ndodhet Ivan Rybkin? - Kandidati për postin e presidentit rus është zhdukur pa gjurmë

Në këto momente ekzistojnë vetëm spekullime mbi shkaqet e "zhdukjes" së Rybkinit. Ka njerëz që thonë se Rybkini e ka inskenuar vetë "zhdukjen" e tij, për t´u paraqitur si viktimë e aparatit represionist rus. Pra sispas tyre kjo cështje është thjesht një taktikë elektorale. Por ka edhe të tjerë që thonë se forcat e sigurimit rus e kanë përndjekur me dhunë kritikuesin e shefit të Kremlinit. Por policia ka deklaruar se nuk ka asnjë informacion mbi rastin e Rybkinit. Ata nuk e dinë ku ndodhet ai. Në të njejtën kohë, një zëdhënës i zyrës së sigurimit në Moskë i ka garantuar gruas së Rybkinit, se burri i saj jeton ende dhe se do të kthehet së shpejti në shtëpi. Këto kontradikta janë tipike për jetën politike të Rusisë.

Ka mundësi që Rybkini të kthehet së shpejti shëndoshë e mirë në shtëpi dhe të fillojë të akuzojë sërisht Putinin për politikën e tij. Njerëzit do ta pranojnë edhe këtë ngjarje si të gjitha të tjerat që botojnë cdo ditë mediat ruse.

Demokracia në Rusi ka dicka të turbullt dhe të paqartë në vetvete. Njerëzit nuk u besojnë as politikanëve, as bosave të ekonomisë që pasurohen nga dita në ditë dhe as mediave elektronike, të cilat kontrollohen nga shteti.

Banorët e Moskës i ka pushtuar një ndjenjë ankthi. Askush nuk e di se kur do të shpërthejë prapë një bombë në stacionin e metrosë apo në ndonjë restorant. Askush nuk e njeh numrin e saktë të viktimave të terrorit më të fundit në metronë e Moskës. Sipas informacioneve të para bëhej fjalë për 39 njerëz. Por tani flitet për një numër shumë më të madh. Thuhet se qindra njerëz humbën jetën gjatë këtij atentati. Numri i saktë i viktimave nuk do të bëhet i ditur. Eshtë e kuptueshme se Kremlini nuk ka interes që numri i viktimave të jetë shumë i madh. Akti terrorist ka kohë që interpretohet si dështimi i forcave të sigurisë. Dhe përgjegjësinë politike për to e mban presidenti i vendit. Putini, i cili ndodhet në mes të fushatës elektorale, nuk dëshiron të merret me debatin mbi pro-të dhe kontrat e rifillimit të punës së shërbimit sekret FSB, i cili është institucioni pasardhës i KGB-së. Për këtë arsye, Kremlini u ka dhënë urdhër mediave që të mos informojnë mbi numrin e saktë të viktimave në metronë e Moskës. Mediat në Rusi nuk janë shumë investigative. Ato nuk shkruajnë kurrë për shembull se sa ushtarë rusë vriten gjatë betejave në Ceceni. Edhe mbi këtë temë spekullohet dhe në Rusi. Pra nuk është aspak cudi përse njerëzit në Rusi nuk shfaqin ndonjë interes të madh për teatrin politik në vendin e tyre.

  • Data 10.02.2004
  • Autor Miodrag Soric
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArU4
  • Data 10.02.2004
  • Autor Miodrag Soric
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArU4
Reklamë