Ku mbetet gjeometria variabël dhe fleksibiliteti i BE? | Studimi në Gjermani | DW | 04.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Ku mbetet gjeometria variabël dhe fleksibiliteti i BE?

Vendimi i ministrave të jashtëm të BE-së, për të miratuar tekstin e përbashkët të mandatit për hapjen e negociatave të antarësimit me Turqinë është ndër temat kryesore që komenton shtypi i sotëm gjerman. Sa i përket politikës së brendëshme, në fokus vazhdon të jetë pokeri për postin e kancelarit në Berlin.

default

"Frankfurter Allgemeine Zeitung" lidhur me antarësimin e Turqisë në BE vëren: "Qeveria austriake do të kritikohet, se e shfaqi me shumë vonesë guximin e saj për rezistencë të hapur. Por e para, asnjëherë nuk është e këndshme të të damkosin si bllokues, dhe së dyti Vjena ka të drejtë në këtë çështje. Të habit ngurtësia dhe mungesa e kreativitetit të atyre, që fatin e vet e shohin vetëm tek një antarësim i plotë i Turqisë në BE. E ku mbetet gjeometria variabël dhe fleksibiliteti? Mund të mendohen shumë forma të një afrimi të ngushtë të Turqisë në BE, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë të politikës së jashtme. Ndërsa fiksimi vetem tek antarësia bart me vete rrezikun, që unioni i evropianëve të dështojë për shkak të zgjerimit deir në strapacim. E pra kush është në këtë mes i ngurtë?", shtron pyetjen "Frankfurter Allgemeine Zeitung".

Ndërsa "Neues Deutschland" ka një mendim krejt tjetër. Duke komentuar të njëjtën temë, kjo gazetë ndalet në historikun e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Evropës: "Plagët e historisë siç duket janë shumë të thella. Përpara 400 vjetësh turqit me ambicje ushtarake ndodheshin në prag të portave të Vjenës, ndërsa tani në mënyrë krejt paqësore turqit preferojnë të pranohen në BE. Por papritur Vjena është kundër. ... Më shumë se aspekti i politikës së brendëshme, në qëndrimin e Vjenës ka luajtur rol politika e jashtme. Vjena e ndjen veten si mbrojtëse të interesave për antarësimin e Kroacisë në BE, shteti i fundit katolik ky në drejtim të Turqisë. Fakti që BE-ja i pezulloi bisedimet me Kroacinë, për shkak të mungesës së bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës, krijoi shqetësim në Vjenë. Ndërsa tani luhet me kartën e Turqisë për të përmirësuar shanset e Kroacisë. Një poker jo dinjitoz, prej të cilit BE-ja humbet kredibilitetin", komenton "Neues Deutschland".

Për "Hamburger Abendblatt": "Vjena e morri aranxhimin e saj, gjë që natyrisht asnjëherë nuk do ta pranojë zyrtarisht. Për arësye historike, Republika e alpeve ka antipati ndaj Turqisë dhe ndjehet e lidhur me Kroacinë. Ndërsa Turqia sërish e ndjeu, se Evropa vendin mes Bosforit dhe kufirit me Irakun e pranon me gjysmë zëri në gjirin e saj. Madje disa në BE do të gëzoheshin nëse një ditë Ankaraja do të tërhiqet vet nga rruga drejt BE-së", nënvizon "Hamburger Abendblatt".

"Märkische Oderzeitung" analizon: "BE-ja vazhdon të marshojë ashtu siç pritej për të nxitur me forcë shembjen e vet. ... Grindjet e fundjavës së shkuar paralajmërojnë tollovinë që do të pasojë për shumë çështje përmbajtësore të pasqaruara, që u lënë hapësirë politikanëve kryeneçë të BE-së, për ta vështirësuar antarësimin Ankarasë. E gjitha kjo s´ka të bëjë fare me ndershmërinë", shënon "Märkische Oderzeitung".

Lidhur me pokerin për postin e kancelarit në Berlin dhe deklaratën e kancelarit Shrëder pas zgjedhjeve në Drezden, se nuk insiston më për të qenë kancelari i ardhshëm gazeta "Heilbroner Stimme" komenton: "Data ish zgjedhur mësë miri. Pikërisht në ditën e 15 vjetorit të ribashkimit të Gjermanisë, Gerhard Shrëderi dha kontributin e vet, duke i kursyer vendit një debat të mëtejshëm torturues lidhur me personin dhe postin e tij. Ishte po ky Shrëder, që në mbrëmjen pas votimeve u prezantua me një dominancë të pashembullt, duke e pretenduar për vete pushtetin dhe duke ia hequr çdo pretendim rivales së tij Angela Merkel për postin e kancelares, dhe që shfaqet tani i dëshpëruar dhe i lodhur për të deklaruar tërheqjen", shkruan "Heilbroner Stimme".

"Kieler Nachrichten" komenton: "Tërheqja e Shrëderit nga pretendimi për kancelar është shpallur si karta më e rëndësishme e socialdemokratëve në bisedimet e koalicionit. Vetëm nëse socialdmeokratët do të arrijnë maksimumin sa i përket përmbajtjes në negociatat me kristjandmeokratët, kancelari do të tërhiqet mbi bazën e kësaj logjike. E kjo do të zgjasë. Dinjiteti i postit, që shumë njerëz e lidhin me detyrën e kancelarit, do të bjerë viktimë në pokerin e koalicionit. Në sfondin e një situate të tillë duhet të jesh shumë optimist që të shpresosh se me një koalicion të madh do të kemi katër vjet të qëndrueshme që do ta çojnë përpara Gjermaninë", tërheq vëmendjen "Kieler Nachrichten".

  • Data 04.10.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArtW
  • Data 04.10.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArtW