1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kthim prapa në Bruksel

Bernd Johann14 Shtator 2014

Moska fiton me pikë: marrëveshja e asociimit mes BE-së dhe Ukrainës do të hyjë në fuqi vetëm në fund të vitit 2015. Perspektiva evropiane në Ukrainë është kështu e diskutueshme, mendon Bernd Johann.

https://p.dw.com/p/1DBuK
Karel De Gucht
Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Warnand

Çfarë kthese! Bashkimi Evropian sapo ashpërsoi sanksionet kundër Rusisë, për të detyruar Moskën të hapë rrugë në konfliktin për lindjen e Ukrainës. Menjëherë më pas Brukseli dhe Kievi shtyjnë zbatimin e planifikuar të një marrëveshjeje për tregti të lirë, që duhet të ishte themeli i lidhjes së Ukrainës me BE-në. Ata duan të fitojnë kohë për të marrë parasysh kundërshtimet e ruse ndaj marrëveshjes. BE vërviti kërbaçin kundër Moskës por tani po përpiqet ta ëmbëlsojë me kulaç.

Vendimi u mor në Bruksel pas një takimi mes komisionerit të BE-së për tregtinë Karel de Gucht dhe ministrave përgjegjës nga Kievi dhe Moska. Biseda ishte e shkurtër por vendimi me shumë rëndësi: deri në fund të 2015 Brukseli dhe Kievi do të pezullojnë zbatimin e plotë të marrëveshjes. Kështu synohet të shmanget një luftë doganore me Rusinë. Njëkohësisht ekziston shpresa që kështu të mund të gjehet një zgjidhje paqësore në lindje të Ukrainës.

Moska nuk do një Ukrainë evropiane

Megjithatë 15 muaj është një kohë e gjatë. Moska ka paraqitur më shumë se 2000 ankesa kundër marrëveshjes së asociimit. Derisa të negociohet për gjithçka konflikti në lindje të Ukrainës mund të ngrijë dhe zona të jetë e humbur për Kievin. Separatistët që operojnë me mbështetjen ruse duan ndarje dhe e shfrytëzojnë armëpushimin në fuqi për të forcuar pozicionin e tyre.

Kremlini e ka minuar që në fillim lidhjen e Ukrainës me BE-në. Ai nuk e sheh Ukrainën si një shtet sovran por si një zonë të influencës ruse. Me Unionin Euro-aziatik e para së gjithash me unionin doganor të ish republikave sovjetike Moska ka paraqitur prej kohësh një kundërprojekt ndaj BE-së. Një Ukrainë me orientim evropian nuk është pjesë e konceptit.

Marrëveshja rrezikon të humbasë peshë

Përse atëherë Rusia duhet të ketë një interes serioz për bisedime me Kievin dhe Brukselin? Për vite me radhë BE dhe Ukraina kanë negociuar. Kremlini gjatë kësaj kohe vetëm ka bllokuar: fillimisht erdhën kërcënimet politike, më pas sanksionet ekonomike dhe në fund Moska veproi edhe ushtarakisht kundër Ukrainës. Nëse do të merreshin parasysh të gjitha kundërshtimet ruse ndaj asociimit në BE, nga marrëveshja me shumë gjasa nuk do të mbetej shumë. Përshtatja e Ukrainës me normat evropiane duhet të ishte nxitje për reforma ekonomike, për të cilat vendi ka nevojë urgjente. Por ky stimulim do të humbasë nëse marrëveshja shtyhet për kohë të gjatë.

Symbolbild EU Ukraine Fahnen
Fotografi: picture-alliance/dpa

Zhgënjim i madh për ukrainasit

Qindra mijëra vetë në Ukrainë dimrin e kaluar dolën në rrugë për një perspektikë evropiane të vendit të tyre. Ata mbështesnin marrëveshjen e planifikuar të asociimit. Fakti që Brukseli dhe Kievi tani nën trysninë e Moskës duan të pezullojnë një pjesë të qenësishme të marrëveshjes duhet të zhgënjejë shumë ukrainas. Atmosfera e trazuar prej luftës në lindje të vendit mund të shkaktonte një valë të re protestash, të cilat të drejtoheshin jo vetëm kundër Rusisë por edhe kundër Evropës.

Të martën (16.09.2014) Parlamenti Evropian dhe Parlamenti i Ukrainës duan të ratifikojnë marrëveshjen e asociimit. Por pjesë të qenësishme të marrëveshjes tani janë pezulluar. BE u përkul para presionit të Moskës. Një Ukrainë evropiane duket se mund të ekzistojë vetëm me miratimin e Rusisë.