Kthim në izolim | FOKUS | DW | 27.06.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Kthim në izolim

Pas një fitoreje të thellë në zgjedhje, Mahmud Ahmadinexhat do të jetë presidenti i ri i Iranit

Presidenti i ri iranian Mahmud Ahmadinexhad

Presidenti i ri iranian Mahmud Ahmadinexhad

Në zgjedhjet e balotazhit për postin e presidentit në Iran, kandidati konservator Mahmud Ahmadinexhad triumfoi në mënyrë të papritur. Ministria e Brendshme në Teheran bëri të ditur të shtunën e kaluar se 48 vjeçari me 62% të votave arriti të shkëputej ndjeshëm nga Hashemi Rafsanxhani që mori vetëm 37% të votave. Me këtë vendim të zgjedhësve Irani do të izolohet përsëri.
Konservatorët iranianë kishin theksuar në mënyrë të përsëritur përpara zgjedhjeve presidenciale se një pjesëmarrje sa më e lartë në to do të ishte prova se sa demokratike do të ishin këto zgjedhje. Kështu do t'i dëshmohej botës se iranianët nuk janë thuajse aspak të gatshëm të vënë në pikëpyetje sistemin në fuqi të republikës islamike. Tani atyre do t'u duhet të ndërrojnë argument pasi pjesëmarrja në zgjedhjet e balotazhit ishte më e ulët së në raundin e parë. Sidoqoftë ato i dhuruan fitore të thellë një konservatori, kryetarit të bashkisë së Teheranit Mahmud Ahmadinexhat.
Por përkrahësit konservatorë të udhëheqësit të lartë shpirtëror në Iran Ajatolla Ali Kameneit nuk do të gjenden në vështirësi shpjeguese: fitorja elektorale e benjaminit 48-vjeçar të udhëheqësit të lartë do të shitet tani si një vazhdim konseguent i revolucionit islamik në të cilin u vihet në ndihmë të varfërve dhe u shkurtohen privilegjet të pasurve. Me një papunësi që kap nivelin 40% ushtria e të varfërve është e madhe në Iran. Shumë më e madhe se ajo e milionerëve në veri të Teheranit. Ndërtimi i banesave sociale, kreditë e lira dhe shumë masa të tjera pritet tani t'u vijnë në ndihmë të varfërve. Kjo nuk është për t'u sharë nëse të tilla plane nuk do të shoqëroheshin me synimin e deklaruar për rifutjen e një regjimi strikt islamik dhe për rikthim në pozicionet nacionaliste. Shumë hapësira në shoqëri të siguruara gjatë viteve nga klasa e mesme dhe ajo e lartë në Iran janë tani në rrezik si p.sh. një mënyrë më tolerante veshjeje për gratë apo më shumë orientim drejt një stili perëndimor jetese.
Por masat e pritura mund të jenë shumë më të rënda në aspektin politik: kështu Ahmadinexhat ka deklaruar ndërkohë se nuk do të pranojë t'i diktojnë çfarë të bëjë në çështjen e energjisë bërthamore. Të njëjtën deklaratë kishin bërë dhe presidenti në largim Katami dhe kandidati i mundur Rafsanxhani por këta të fundi ishin shprehur edhe të gatshëm për diplomaci ndërkohë që Ahmadinexhat do të ndjekë me siguri një linjë më të ashpër e cila do ta rikthejë Iranin në izolimin ndërkombëtar. Një izolim i cili rrezikon projektet e nevojshme ekonomike të domosdoshme për krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e standartit të jetesës. Irani nuk mund t'i shmanget lidhjeve globale dhe këtë nuk e ndryshon as rritja e konsiderueshme e të ardhurave të shtetit kohët e fundit për shkak të çmimeve rekord të naftës. Nafta duhet shitur dhe blerësit, Europa e para së gjithash Kina, kërkojnë të shesin produkte dhe shërbime në Iran dhe të investojnë. Por këto ata nuk do t'i bëjnë nëse në vend do të sundojë përsëri një regjim ekstremist islamik me qëndrim armiqësor ndaj të huajve.
A janë vetë iranianët përgjegjës për gjendjen e krijuar? Përgjigja është: pjesërisht! Qëndrimi i tyre larg qëndrave të votimit është nga njëra anë rezultat i zhgënjimit të thellë nga përpjekjet e dështuara për reforma të Mohamad Katamit. Nga ana tjetër perëndimi u bëri thirrje të bojkotonin zgjedhjet. Në një koalicion të çuditshëm që shtrihej nga Shtëpia e Bardhë deri në qarqet e majta europiane, nga përkrahësit e Shahut e deri tek islamistët e majtë muxhahedinë, iranianëve iu predikua se këto nuk ishin zgjedhje por një vendim mes murtajës dhe kolerës, mes së keqes dhe akoma më së keqes. Ata që lëshuan këto thirrje në Uashington, Paris, Berlin dhe Londër tani mund të rrinë të qetë pasi përgjegjës për pasojat nuk janë ata por njerëzit në Iran.

  • Data 27.06.2005
  • Autor Peter Philipp
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqkJ
  • Data 27.06.2005
  • Autor Peter Philipp
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqkJ