1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryetarja e Kuvendit, Topalli premton zgjidhje të shpejtë të çështjes së imunitetit të Mediut

Arben Muka/ Tiranë4 Qershor 2008

Topalli reagoi pas kritikës së ashpër të ambasadorit amerikan në Tiranë, Xhon Uithers në lidhje me imunitetin e ish-ministrit të mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ajo tha se çështja e imunitetit 'do të zgjidhej sa më shpejt'.

https://p.dw.com/p/EDWo
Salla e seancave plenare të Parlamentit të Shqipërisë
Salla e seancave plenare të Parlamentit të ShqipërisëFotografi: AP Photo

Prononcimi i ashpër i kryediplomatit amerikan në Tiranë, John Uithers për vonesat dhe ndërhyrjet e politikës në hetimin e tragjedisë së Gërdecit duket se kanë bërë efekt të menjehershëm. Shqetësimi i ambasadorit se heqja e imunitetit të ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu, për t’u hetuar për këtë tragjedi dhe meraku i tij, që në këtë hetim të mos kishte interferenca politike, ka sjellë reagimin reflektues të kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli. Topalli, e cila një ditë më parë i kishte drejtuar një letër prokurores së republikës, ku i kërkonte materiale shtesë për implikimin e ish-ministrit të mbrojtjes, para se parlamenti të shqyrtonte heqjen e imunitetit të tij, foli krejt tjetër para gazetarëve në Tiranë. Ajo premtoi se çështja e imunitetit të Mediut "do të zgjidhej sa më shpejt".

Për Topallin kishte rëndësi dhe miratimi me konsensus në parlament i një ligji të përmirësuar për imunitetet e deputetëve, "për të krijuar një standart të ri në jetën parlamentare në Shqipëri".

Pas letrës së ambasadorit amerikan ka reaguar dhe shefi i opozitës Edi Rama. Ai tha se opozita nuk ka shfrytëzuar dhe nuk po shfrytëzon fatkeqësinë e banorëve që humbën jetën dhe u plagosën në tragjedinë e Gërdecit. Por nuk mund të lejojmë që kryeministri, kryetarja e parlamentit dhe ish-ministri i mbrojtjes të tentojnë të fshehin hetimet rreth kësaj ngjarjeje. "Ata nuk mund të hedhin në erë hetimet për nxjerrjen e një të vërtete, pa të cilën nuk ka një Shqipëri demokratike dhe europiane", deklaroi Edi Rama.

Cështja e heqjes së imunitetit për ish-ministrin e mbrojtjes, Fatmir Mediu nuk është futur në kalendarin e punës së parlamentit për tre javët e ardhshme. Por pas qëndrimit të ambasadorit amerikan në Tiranë dhe deklaratave ditën e mërkurë të Jozefina Topallit, pritet që kalendari i punës të rishikohet për ta futur atë në rendin e ditës, ndoshta në fillim të javës që vjen.

Në komunikatën që shpërndahu të martën në mbrëmje ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, John Ëithers thuhej mes të tjerave se "qeveria dhe populli amerikan do të jenë thellësisht të shqetesuar nëse ndonjë faktor, parti apo udhëheqës politik bën deklarata apo ndërmerr veprime që, në një mënyrë do të përfshinin ndonjë axhendë politike në çka duhet të jetë një hetim i paanshëm dhe i pavarur, bazuar mbi sundimin e ligjit".