Kryetari i Bashkisë së Stambollit, Imamoglu: Mesazh kundër populizmit | Bota | DW | 30.07.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Kryetari i Bashkisë së Stambollit, Imamoglu: Mesazh kundër populizmit

Ekrem Imamoglu është ylli i ri i politikës turke që nga zgjedhja e tij si kryetar i bashkisë së Stambollit. Në një intervistë për DW, 49-vjeçari flet për pikëpamjet e tij politike dhe për sekretin e suksesit të tij.

Deutsche Welle: AKP-ja konservatore islamike e Presidentit Erdogan ishte para fitores suaj elektorale ajo që vendoste në Stamboll për rreth një çerek shekulli. Kur shpallët kandidaturën tuaj, ishin të paktë ata që besuan se opozita do të fitonte. Cili ishte faktori vendimtar në zgjedhje?

Ekrem Imamoglu: Të gjithë besuam fort se mund ta bindnim opinionin për ne. E dinim se mund të fitonim, sepse i kishim veshët në rrugë. Ne kishim një ndjesi për atë që mendojnë, ndjejnë, për të cilën kanë nevojë njerëzit. Jeta ime personale më ndihmoi shumë: unë kam pasur mundësi të fitoj përvojë si kryetar i lagjes Beylikdüzü për pesë vjet. Beylikdüzü është një lagje në anën evropiane të Stambollit, në bregun e Detit Marmara. Me 350.000 banorë nuk kemi të bëjmë aspak me metropol, megjithatë unë e dija se çfarë u intereson njerëzve.

Edhe njëherë sa për kujtesë: Raundi i parë i zgjedhjeve për kryetarë bashkie në Stamboll u zhvillua më 31 mars 2019. Ju i fituat zgjedhjet me rezultat të ngushtë, pas kësaj zgjedhjet u anuluan me një vendim të Komisionit të Lartë Zgjedhor (YSK) dhe u përsëritën më 23 qershor 2019. Në përpjekjen e dytë, për ju votuan rreth 800.000 vetë më shumë, sesa për homologun tuaj të AKP. Pjesëmarrja e votuesve ishte rreth 84 përqind. Çfarë i çoi votuesit në kutitë e votimit?

Mendoj se për këtë kishte shumë arsye. Nga njëra anë, njerëzit me të vërtetë besuan, se mund të bëjnë ndryshime, po të votojnë dhe përfshihen në një proces demokratik. Pas anulimit të zgjedhjeve të para, në shoqëri u zhvillua edhe një kuptim i vërtetë i drejtësisë. Së treti, njerëzit donin të dëshmonin qëndrimin e tyre të qëndronin përballë rrymave antidemokratike. Të gjitha këto arsye, për mendimin tim, kanë qenë faktorët vendimtarë. Për më tepër, natyrisht, pas zgjedhjeve të para, ne patëm një bazë, ku mund të mbështeteshim. Sinqerisht, unë prisja një rezultat edhe më të mirë (qesh)

Në një kohë të polarizimit në rritje, si kandidat i partisë kemaliste CHP, ju morët vota nga kampe të ndryshme politike. Mënyra si jetoni ndoshta kontribuon për suksesin tuaj: iu jeni një njeri fetar që ndjek një mënyrë jetese laike dhe dilni në rrugë në 1 maj, Ditën e Punës, për të drejtat e punëtorëve. "Ju vetë" jeni programi. Si do ta përcaktonit qëndrimin tuaj politik?

A nuk është e mrekullueshme që jam programi im? Mund t'ju jap edhe një arsye pse kjo është kaq e mrekullueshme (qesh): Kur vlerësoj rrethanat politike, unë përqëndrohem para së gjithash te faktet. Nuk ekziston askush që unë e ndjek ideologjikisht. Kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave të një punëtori, unë e bëj këtë. Nëse dua të përjetoj më shumë botë shpirtërore, ky është vendim im privat. Mendoj se shumë nga publiku e kanë parë që jam njeri i sinqertë. Unë e jetoj jetën time si shumica e njerëzve të këtij vendi. Sidoqoftë, ata që përpiqen të zhvillojnë programe politike bazuar në qëndrime të caktuara ndaj jetës, nuk do të jenë kurrë në gjendje ta kuptojnë një qëndrim të tillë.

Rexhep Tayipp Erdogani citohet të ketë thënë: "Kush qeveris Stambollin, qeveris Turqinë". A është zgjedhja juaj si kryetar bashkie i qytetit më të madh të vendit simbol i një fillimi të ri politik për gjithë Turqinë?

Këto zgjedhje kanë qenë sigurisht një moment historik i rëndësishëm. Megjithatë, ky mund të jetë vetëm fillimi i një procesi të gjatë. Për të qenë me të vërtetë të suksesshëm në plan afatgjatë, duhet të jemi të ndërgjegjshëm se duhet të jemi të suksesshëm si opozitë, veçanërisht në nivelin lokal dhe komunal.

Në përgjithësi, ky sukses për mua i kalon kufijtë e Turqisë. Sepse mesazhi që qëndron pas këtij suksesi është një mesazh kundër populizmit global. Një person që është mbi ligjin është në çdo kohë dhe në çdo vend një problem për çdo vend në tokë. Kjo vlen për çdo sistem politik. Sidoqoftë, më duhet të them se besimi im për demokracinë në Turqi ka qenë i pathyer në çdo kohë.

Ekrem Imamoglu është një politikan turk i Partisë Republikane Popullore (CHP). Ai u zgjodh kryetar bashkie i Stambollit më 23 qershor 2019 dhe e filloi detyrën më 27 qershor 2019.

 

Intervistën e zhvilloi Bulent Mumay