Kryeministri kosovar Albin Kurti në Bruksel me krerët e BE-së | Ballkani | DW | 27.04.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Kryeministri kosovar Albin Kurti në Bruksel me krerët e BE-së

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti të martën ndodhet në Bruksel për të zhvilluar takime të nivelit të lartë me krerët e institucioneve të BE-së.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti udhëton në Bruksel, një ditë pasi në kryeqendrën evropiane ishte Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, i cili u takua me kreun e diplomacisë evropiane Josep Borrell dhe ku u diskutua për rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi. Gjatë qëndrimit në Bruksel Kurti takohet me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli, me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe me drejtuesin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

Para nisjes për në Bruksel, kryeministri kosovar Albin Kuti zhvilloi biseda në një takim virtual me diplomatin amerikan Mathew Palmer dhe ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett. Ky i fundit shkroi në Twitter se ka pasur diskutim të gjerë me kryeministrin Albin Kurti dhe diplomatin amerikan Matthew Palmer lidhur me dialogun Kosovë-Serbi. "Procesi i dialogut i udhëhequr nga BE mbetet thelbësor për suksesin ekonomik të Kosovës dhe integrimin Euro-Atlantik”, shkroi Kosnett.

Nga pala kosovare nuk është konfirmuar, se kur mund të zhvillohet takimi ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit serb Aleksandër Vuciq, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi por, pas Takimit të Vuçiq me Borrel në Bruksel, flitet se një takim Prishtinë-Beogradmund të realizohet më 11 maj. Për këtë nuk është e njoftuar qeveria e Kosovës, ku sipas zëdhënësit të saj Përparim Kryeziu, për një takim të tillë duhet të ketë dakordim nga të gjitha palët. "Datat, vendet dhe agjendat e takimeve kanë kuptim dhe zbatim kur merremi vesh, jo kur imponohen njëanshëm”, shkroi zëdhënësi Kryeziu.

"Non-paper" - Fake news

Gjatë ditës së djeshme një medium kosovar publikoi një dokument "non-paper”, ku shkruhej se ky "dokument”, është përgatitur nga Gjermania dhe Franca, si nismë e përbashkët e këtyre dy shteteve për rifillimin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje finale. Aty shkruhej se "në Kosovë do të krijohej një "distrikt autonom i Kosovës së veriut” sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Kisha Ortodokse Serbe do të këtë "status të privilegjuar”, ndërsa Serbia, pas ratifikimit të Marrëveshjes ligjërisht obliguese, obligohet se "nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe rajonale”.

I menjëhershëm ishte reagimi i ambasadës gjermane në Prishtinë, ku thuhet se publikim i dokumentit "non-paper”, është fake news, dhe se ky dokument nuk është gjermano-francez. Këtë reagim e bëri në llogarinë e tij në Twitter, ambasadori gjerman Joern Rohde, duke thënë se Gjermania e përkrah dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe i ngarkuari Miroslav Lajçak.

"E ashtuquajtura "non paper” gjermano-franceze e publikuar nga Koha Ditore është lajm i rremë. Mund të ketë dokument, por sigurisht që nuk është gjermano-francez. Ne e përkrahim plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe Miroslav Lajçak, siç e theksoi përsëri ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Maas, të enjten e kaluar në Prishtinë”, ka shkruar ambasadori Joern Rohde.