1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryeministri i landit të Bavarisë: samit për koronavirusin

8 Dhjetor 2020

Markus Söder tha se Gjermania duhej të veprojë "më mirë shpejt se sa më vonë", pasi shifrat e COVID-19 mbeten të larta. Edhe Ministri i Ekonomisë, Peter Altmaier paralajmëroi se masat kanë qenë të pamjaftueshme.

https://p.dw.com/p/3mLNQ
Deutschland München | Sondersitzung Kabinett | Markus Söder
Fotografi: Matthias Balk/dpa/picture alliance

Kryeministri i landit të Bavarisë, Markus Söder kërkoi të hënën nga udhëheqësit e federatës dhe të landeve të Gjermanisë të zhvillojnë një takim tjetër të nivelit të lartë para Krishtlindjeve, pasi rastet e koronavirusit në të gjithë vendin mbeten të larta."Coronavirus thjesht nuk do të pushojë dhe ne duhet të reagojmë ndaj kësaj," i tha Söderi transmetuesit publik gjerman ARD.

"Ne duhet të shqyrtojmë a ka kuptim të presim deri më 10 janar. Duhet të veprojmë dhe mendoj më mirë më shpejt se sa më vonë," shtoi ai. Söderi kohët e fundit njoftoi një plan për të vendosur masa më të rrepta në landin e tij të Bavarisë, një vendim që ai e mbrojti si të nevojshëm.

Gjermania ka qenë nën një bllokim të pjesshëm që nga 2 nëntori, që besohej se do të zgjaste një muaj. Ai u zgjat deri më 10 janar, pas një takimi midis kancelares Angela Merkel dhe krerëve të 16 shteteve federale, pasi qeveria nuk pa asnjë përparim të vërtetë në muajin e kaluar. Qeveria tani po konsideron një lehtësim të kufizimit gjatë periudhës së Krishtlindjeve, duke e lehtësuar kufizimin maksimal për takimin prej 5 personash për takimet private e duke e bërë atë 10.

Peter Altmeier CDU mit Maske
Ministri i Ekonomisë, Peter AltmeierFotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Shumica e gjermanëve i mbështesin masat aktuale dhe do të mbështesin edhe një zbutje të kufizimeve rreth Krishtlindjeve, megjithëse jo në prag të Vitit të Ri. Por situata në Gjermani nuk duket të jetë nën kontroll dhe kjo i ka shqetësuar zyrtarët dhe epidemiologët.

Ministri i Ekonomisë, Peter Altmaier tha të hënën se masat e qeverisë për të frenuar pandeminë e koronavirusit kanë qenë të pamjaftueshme. Shkalla e lartë e infektimeve vazhdimisht ka qenë "shumë më e keqe sesa pritjet tona", tha Altmaier. "Njeriu mund dhe duhet të thotë se masat e mëparshme nuk kanë qenë të mjaftueshme për të thyer vërtet valën e dytë të infektimeve," shtoi ai.

Vaksinimi është i mundur në janar

Altmaier e mbështeti lutjen e Söderit për veprim, duke thënë se janë të nevojshme konsultime shumë intensive në ditët dhe javët e ardhshme, për të përcaktuar nëse do të ishin të nevojshme masa shtesë.

Shefi i kabinetit të kancelares Merkel, Helge Braun, i mbështeti thirrjet për një takim tjetër të kryeministrave të landeve dhe qeverisë federale përpara Krishtlindjeve. Ai tha se gjermanët duhet të përpiqen të zvogëlojnë kontaktet dhe foli në favor të kalimit në mësimin në distancë për disa fëmijë të rritur në pikat e nxehta të koronavirusit. Për më tepër, Braun tha se ai priste që vaksinimet e koronavirusit të fillonin në Gjermani "në ditët e para" të vitit 2021.

Autoritetet e BE pritet të marrin një vendim deri më 29 dhjetor për miratimin e vaksinës së parë për përdorim. Ndërkohë, Gjermania tashmë ka filluar të ngrejë qendrat e vaksinimit në të gjithë vendin.

 

aud  (dpa, AFP)