1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi në Tiranë

Ani Ruci24 Tetor 2005

Pas ardhjes në pushtet të forcave të djathta dhe të kryeministrit të tyre Sali Berisha, kjo është vizita e parë në Tiranë e kryeministrit i Kosovës, Bajram Kosumi

https://p.dw.com/p/Aqsv
Fotografi: AP

Vizita e Kosumit përkon me mbledhjen në New York, të Këshillit të Sigurimit të KB për fillimin e negociatave lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës. Dhe më tej ajo ndjek vizitën që kreu javën e kaluar në Tiranë, kryetari i Misionit të KB në Kosovë, Soren Jesen Petersen. Në dritën e këtyre lëvizjeve dhe sidomos të ngjarjes së sotme, jashtëzakonisht të rëndësishme, që po ndodh në Këshillin e Sigurimit qëllimi i vizitës së Bajram Kosumit është padyshim qëndrimi zyrtar i Tiranës ndaj statusit pëfundimtar të Kosovës, ndikimi i saj në diplomacitë fqinje dhe më tej, ndonëse zyrtarisht flitet për diskutime lidhur me situatën në rajon dhe zhvillimin e metejshëm të marrdhënieve Kosovë- Shqipëri. Në fakt qëndrimi zyrtar i Tiranës për statusin e Kosovës është i njohur. Ministri i Jashtëm e Shqipërisë, Besnik Mustafaj, në javët e fundit ka deklaruar me këmbëngulje se mbështet opsionin e Grupit të Kontaktit për një "pavarësi të kushtëzuar të Kosovës". Termi ngjalli dhe vazhdon të ngjallë rezerva që shkojnë deri në kundërshtim nga faktoret politikë të Prishtinë, të cilët nuk kanë lëvizur nga qëndrimi i tyre i njohur i pavarësisë, pa përcaktuar atë si "të kushtëzuar apo të pakushtëzuar."

Cili do të jetë qëndrimi zyrtar që do të mbajë kryeministri i Kosovës, Kosumi ndaj opsionit që mbështet Tirana? A do të ketë ndonjë modifikim nga ana e kryeministrit Berisha për shprehjen e publikuar nga ministri i tij, Mustafaj? Këto qartësime priten me
interes nga bisedimet e sotme në Tirana, Kosumi - Berisha.
Por burimet zyrtare pranë këtij të fundit zbardhin një pjesë tjetër të qëndrimeve zyrtare që Tirana pritet t´i artikulojë sërish. Sipas tyre kreu i qeverisë së Tiranës do të rikonfirmojë sërish se" Shqiperia inkurajon liderët shqiptarë të kosovës për një dialog të vazhdueshëm me Beogradin, paralelisht me negociatat për statusin".
Sipas të njëjta burimeve nuk do të mbetet jashtë vëmendjes së Zotit Berisha një çështje tepër e ndjeshme për faktorin ndërkombëtar dhe fqinjët; ajo e kufinjve. Kryeministri Berisha pritet t´i përsërisë homologut të tij nga Prishtina se "Shqipëria është për mosndryshim të kufijve ndërkombëtarë të Ballkanit,përfshirë edhe kufijtë ndërkombëtarë të Kosovës." Por pavarësisht nga këto deklarime të njohura thelbi i bisedimeve të sotme mbetet statusi. Opsioni i Tiranës për pavarësi të kushtëzuar të Kosovës nuk është pritur me rezerva vetëm në Prishtinë. Argumentimi i ministrit të jashtëm Mustafaj se "e kushtëzuar" do të thotë një proces i monitoruar që do të prodhojë në fund të fundit pavarësi ka lenë të pakënaqur edhe opozitën e majtë në Tiranë. Socialistët, që e kryesojnë atë, e kritikojnë termin si "të pasaktë dhe deklarativ" dhe shprehen në mënyrë konseguente thjesht për pavarësi, pa asnjë lloj epiteti. Ish ministrja e jashtme, socialistja Arta Dade ka kërkuar zyrtarisht që një delegacion nga Komisioni parlamentar i politikës së Jashtme të vizitojë këtë javë Prishtinën për të diskutuar me faktorët e atjeshëm.
Tirana, është përgëzuar vazhdimisht nga faktori nderkombetar per rolin e saj konstruktiv dhe moderator ne Ballkan, i parë ky rol, në kuadrin e një rajoni në paqe dhe në stabilitet. Këto lëvdata i janë atribuar për qëndrimin e saj ndaj çështjes së Kosovës dhe zhvillimeve në Maqedoni. Por precipitimi i ngjarjeve dhe mbërritja e tyre në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit të KB, duket se po nxit një vullnet për të dalë nga roli i mësipërm tradicional. Tirana ndonëse nuk është palë në negociatat për statusin e Kosovës, po përpiqet të bëhet faktor aktiv, si me opozitën ashtu edhe qeverinë e saj. Berisha ka marrë nismën e organizimit, javën e ardhshme, të një tryeze në Prishtinë, me krerët e qeverive të vendeve fqinje me Kosovën. Kjo si hapi i parë për të gjeneruar më pas një lëvizje të kryetarëve të qeverive të Ballkanit që janë shprehur pro pavarësisë së Kosovës. Veç Berishës në tryezën e Prishtinës janë ftuar edhe kryeministri maqedonas, Vlado Buçkovski dhe ai malazes Milo Gjukanoviç. Tezat e këtij takimi ka të ngjarë të jenë një fokus tjetër i bisedimeve të sotme Berisha - Kosumi.