Kryeministri britanik Toni Bler paraqet prorgramin e presidencës së BE-së nga 1 korriku deri më 31 dhjetor | Evropa | DW | 23.06.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kryeministri britanik Toni Bler paraqet prorgramin e presidencës së BE-së nga 1 korriku deri më 31 dhjetor

Si plan konkret për presidencën britanike gjashtë muajt e ardhshëm Bler përmendi planin e BE-së për financat, direktivat për shërbimet publike dhe realizimin e premtimeve të dhëna Turqisë dhe Kroacisë: nëse plotësohen disa kushte, do të fillojnë bisedimet për antarësimin.

Toni Bler duke folur në Parlamentin Evropian

Toni Bler duke folur në Parlamentin Evropian

Me një fjalim prej 3 minutash që u prit me duartrokitje entuziaste, kryeministri britanik Toni Bler prezantoi në Bruksel programin e presidencës së Britanisë së Madhe në gjashtëmujorin e ardhshëm në BE. Bler u dëshmua si mbrojtës i idealeve evropiane:
"Idealet mbijetojnë nëpërmjet transformimit dhe vdesin prej mosveprimit në periudhat e sprovave".

Me insistim Bler iu kundërvu kritikave në adresë të tij, sipas të cilave ai dëshiron një Evropë të tregut dhe një zopnë të madhe të tregtisë së lirë. Sipas tij ai gjithnjë është angazhuar për një Evropë politike dhe për vlerat dhe solidaritetin e përbashkët. Por kjo Evropë mund të bëhet realitet vetëm nëpmërjet transformimit dhe frocës së re, nëpëmrjet modernizimit dhe për këtë i bëhet thirrje udhëheqjes së saj: "Ka ardhur koha që ne t´i masim forcat tona me realitetin. Ne duhet të dëgjojmë alarmin e njerëzve, që nga të gjitha anët po u bien trumpetave kundër mureve rrethuese. Ndaj shtrohet pyetja: nëse e kemi ne vullnetin politik që t´u përgjigjemi këtyre kërkesave dhe që udhëheqja jonë të jetë pjesë e zgjidhjes dhe jo pjesë e problemit?"

Një buxhet i BE-së që vazhdon të shpenzojë 40% të volumit të tij për bujqësinë, nuk i shërben modernizimit të nevojshëm. Ai që mendon, se këtu kemi të bëjmë me alternativën mes një Evrope sociale dhe një zone të lirë tregtie, synon me këtë vetëm t´i trembë ata që duan ta ndryshojnë Evropën. Vetëm duke ndryshuar, duke u modernizuar Evropa mund të ketë forcë dhe peshë për të rifituar përkrahjen tek njerëzit. Atyre që kanë frikë se mos cënohet modeli social i Evropës, Bler iu tha: "Ç´është ky model social me 20 milionë të papunë? Qëllimi i modelit tonë social duhet të jetë që të forcojmë aftësinë tonë të konkurrencës dhe t´u ndihmojmë njerëzve që të ambjentohen me globalizmin dhe t´i shfrytëzojnë shanset që ofron ky proces. Ne kemi nevojë për një Evropë sociale që të funksionojë", nënvizoi Bler, i cili duke filluar nga 1 korriku do jetë president i radhës i Këshillit të BE-së.

Kryetarët e dy grupeve të mëdha të Parlamentit të Evropës e përshëndetën deklaratën e Blerit për Evropën politike, por ata shprehën dyshim në kredibilitetin e fjalëve të tij. Hans Gert Pëtering nga grupi parlamentar i konservatorëve dhe kristjandemokratëve i bëri thirrje kryeministrit britanik: "Nëse fjalët tuaja pasohen nga veprat, nëse kjo do të duket qartë në punën tuaj në praktikë, atëherë ne duam një Evropë të përbashkët dhe do të jemi në anën tuaj."

Kryetari i grupit parlamentar të socialistëve në Parlamentin Evropian, Martin Shulc, i tërhoqi vëmendjen Toni Blerit për të qenë më korrekt me argumentat: "Unë dëgjova me vëmendje kur thatë, se nuk është koha për t´i akuzuar për tradhëti ata që duan ta ndryshojnë Evropën. Kjo është e drejtë. Por nga ana tjetër nuk është koha as për t´i çuar në muezum ata që duan të mbrojnë modelin social evropian. Edhe kjo është e drejtë, zoti kryeministër, " theksoi Shulc.

  • Data 23.06.2005
  • Autor Klaus Bofo
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArE0
  • Data 23.06.2005
  • Autor Klaus Bofo
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArE0