Kriza qeveritare në Izrael vazhdon | Politika | DW | 03.05.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Kriza qeveritare në Izrael vazhdon

Ministrja e jashtme, Zipi Livni i ka lënë të kuptohet kryeministrit Ehud Olmert që përballë kritikave që vazhdojnë, do të bëntë mirë të jepte dorëheqjen. Në rrëzimin e tij ajo megjithatë nuk dëshiron të marrë pjesë, tha Livni pas një mbledhjeje kabineti. Partia e Olmertit "Kadima" e siguroi Olmertin për mbështetjen e saj dhe u shpreh kundër dorëheqjes. Një informacion nga Betina Marks:

Kryeministri Ehud Olmert as nuk mendon të japë dorëheqjen. Ai vetë do të vërë në jetë rezultatet dhe kërkesat e raportit hetimor për luftën e fundit të Libanit, tha Olmerti dje në një mbledhje të kabinetit:

"Për mendimin tim është detyrimi i parë që ka kjo qeveri, e cila është përgjegjëse për gabimet, që edhe të marrë përgjegjësinë për gabimet. Të gjithë atyre që janë tani me ngut për ta shfrytëzuar raportin, për të nxjerrë prej tij përfitime politike, atyre unë u rekomandoj: me ngadalë njëherë"

I besuari dhe këshilltari i Olmertit, Tal Silberstein theksoi mbrëmë në televizionin izraelit në emër të presidentit:

"Kryeministri është i vendosur, të qëndrojë në post dhe që të mos japë dorëheqjen. Ai është i vendosur që të paraqesë vënien në jetë të diskutimeve të raportit hetimor. Për këtë ai ka ngritur një komision, i cili tani do të punojë shpejt"

Për këtë qëndrim me këmbëngulje në post, gjatë ditës së djeshme ai fitoi gjithnjë e më shumë mbështetjen e shokëve të partisë së tij. Në një mbledhje të zgjeruar të fraksionit të Partisë së tij Kadima, pjesa më e madhe e deputetëve, kryetarëve të bashkive dhe funksionarëve i shqiptuan atij besimin e tyre.

Me këtë mori fund edhe rebelimi i shkurtër në partinë më të madhe të Izraelit. Kjo në një kohë kur dje në mëngjes, punët dukeshin sikur presioni ndaj Olmertit do të shtohej kaq shumë, sa ai do të detyrohej të jepte dorëheqjen. Më parë pati dhënë dorëheqjen personi i tij i ngushtë i besimit, kryetari i fraksionit Avigdor Jicavi, duke i kërkuar me mirësjellje kryeministrit:

"Gjithcka për të cilën ngul këmbë unë është që ai të japë dorëheqje nga posti, në mënyrë që publiku t'i besojë sërish atij dhe aftësisë së tij për të drejtuar."

Ministrja e jashtme, Zipi Livni, për të cilën shumë patën besuar se do të vihej në krye të kryengritjes më vonë mori gjysmë kthese. Ajo i kishte lënë të kuptonte kryeministrit se duhet të jepte dorëheqjen, tha ajo. Por vendimin ai duhet ta marrë vetë:

"Në bisedë me kryeministrin unë kam shprehur mendimin tim, se ai duhet të japë dorëheqjen. Por unë nuk jam përpjekur kurrë ta rrëzoj atë, kemi të bëjmë me një vendim, të cilin ai duhet ta marrë vetë."

Tani fjalën e ka publiku izraelit. Në sondazhe, 75% e të pyeturve u shprehën për dorëheqjen e kryeministrit dhe 60% dëshirojnë zgjedhje të reja. Por nëse kjo mjafton për t'i nxjerrë masat në rrugë, për këtë mund të dyshohet. Për sot në mbrëmje, në Tel Aviv është parashikuar një manifestim i madh proteste. Organizatorët shpresojnë për pjesëmarrjen e qindra-mijëra vetëve. Këto shifra megjithatë duhet të merren me rezerva, sepse izraelitët ruajnë normalisht qetësinë, megjithë tensionet.


  • Data 03.05.2007
  • Autor Betina Marks
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqmL
  • Data 03.05.2007
  • Autor Betina Marks
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqmL