1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza nuk u zgjidh

26 Shkurt 2010

Kushtëzimi i socialistëve për vazhdimin e pjesëmarrjes në parlament me hapjen e kujtive të votimit të zgjedhjeve të fundit të përgjithshme duket se ka ricikluar krizën politike.

https://p.dw.com/p/MDOW
Mevlüt Çavuşoğlu në Tiranë
Mevlüt Çavuşoğlu në TiranëFotografi: DW

Hyrja dhe dalja e deputetëve të PS nga seanca e ditës së enjte duket se ka rikthyer në të njëjtat pozicione marrëdhëniet mes mazhorancës së djathtë dhe opozitës së majtë. Nga dy propozimet që kanë bërë socialistët për hetim të plotë të zgjedhjeve të kaluara parlamentare, duke përfshirë dhe hapjen e kutive të votimit. Por dhe nga përgjigjja e menjëhershme e demokratëve se pranojnë çdo aspekt hetimor parlamentar, përveç hapjes së kutive të votimit, kuptohet se konflikti është i njëjtë dhe thjesht ka ndërruar vend. Nga jashtë parlamentit më parë, tani brenda ambjenteve të tij.

Analisti politik Mero Baze
Analisti politik Mero BazeFotografi: DW

Analisti politik Mero Baze mendon se hyrja e PS-së në parlament ishte një drojë e tyre se kriza politike që është në përgjegjësi të qeverisë mund të zhvendosej brenda kësaj partie. Sipas tij, kjo do të arrihej me mekanizmin e djegies së mandateve, apo me presione të tjera. Ky gjest nuk e zgjidh krizën. Mund të zgjidhë një krizë hipotetike brenda socialistëve, por jo krizën politike që ka mbërthyer prej muajsh Shqipërinë, thotë Mero Baze për DW. "Ky gjest i jep fund dhe kredos morale të bojkotit. Bojkoti, si strategji e socialistëve nuk është se nuk dha rezultat. Mendoj që dha shume rezultat: ndërkombëtarizoi çështjen, detyroi kryeministrin Berisha të pranonte krizën, e detyroi atë të pranonte tryezën e presidentit. Dhe futja në parlament duhet të jetë edhe fundi i metodës së bojkotit. Dalja nga parlamenti mbrëmë nuk ishte bojkot, nuk ishte fillimi i një bojkoti, ose zyrtarisht nuk jemi në termat e një bojkoti".

Partia Socialiste, Tiranë
Partia Socialiste, TiranëFotografi: DW
Partia Demokratike, Tiranë
Partia Demokratike, TiranëFotografi: DW / Cama

Baze nuk e shikon të përshtatshëm për situatën qëndrimin e kryetares së parlamentit për të vijuar punimet e parlamentit, pa shqyrtuar më parë propozimet e socialistëve. "Anashkalimi i propozimeve që ka bërë PS nuk ndihmon afrimin, por duket sikur hedh më shumë benzinë zjarrit", thotë analisti Mero Baze.

Ai nuk e shikon të konsumuar rolin e tryezës së presidentit të Republikës në kërkim të gjetjes së një zgjidhje për konfliktualitetin. "Mendoj se kriza, kështu siç po shkon do të ketë sërish nevojë të transferohet tek tryeza e zotit Topi. Sidomos për t`i dhënë një shtysë projektligjeve të miratuara nga opozita, që nga ana e saj ndihet e lehtësuar se ka bërë të gjitha detyrimet e lëshimet e mundshme. Dhe është radha e shumicës për të vepruar"

Kryeredaktori i të përditshmes "Albania", Armand Metaj
Kryeredaktori i të përditshmes "Albania", Armand MetajFotografi: DW

Por kryeredaktori i të përditshmes "Albania", Armand Metaj, mendon se nga tryeza e presidentit nuk mund të pritet më asnjë rezultat. Edhe në dy raundet e para palët thuajse nuk bënë asnjë lëvizje nga qëndrimi i tyre, thotë Metaj për DW. "Për mendimin tim tryeza e presidentit mund të jetë tani në një sens honorific, thjesht si i thonë fjalës për të mos e nxjerrë presidentin duarbosh. Dhe mendoj se edhe vetë qëndrimi i presidentit për shumë kohë të zhvillimeve politike në vend, problematikës që ka patur, nuk është se ka pas ndonje rol domethënës. Pra të mundësojë ndonjë rol të mëtejshëm në zgjidhjen e krizës".

Sa i takon qëndrimit të socialistëve në vijim, Metaj thotë se ata më shumë se nga e shkuara, duhet të shikojnë përpara. "Të këmbëngulë që zgjedhjet e ardhshme lokale të jenë me të gjitha standartet e kërkuara, siç do të ishin në cdo vend anëtar të NATO-s, dhe që aspiron për të qënë po anëtar i BE-së".

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama