1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Spanja dhe Greqia përgatiten për shkurtimet e radhës

27 Shtator 2012

Spanja po përgatitet që qeveria të zbulojë propozimin e saj për buxhetin e vitit 2013, i cili pritet të ketë edhe më shumë shkurtime dhe të tendosë më tej ekonominë e vendit. Vendime të ngjashme priten edhe në Greqi.

https://p.dw.com/p/16GFe
Mariano Rajoy, kryeministri i Spanjës vazhdon kursimet
Mariano Rajoy, kryeministri i Spanjës vazhdon kursimetFotografi: AP

Të enjten, (27.09) qeveria e kryeministrit Mariano Rajoy pritet të prezantojë shkurtime në shumën rreth 39 miliardë euro (50.2 miliardë dollarë) në buxhetin e vitit të ardhshëm. Ndërkohë Rahoy la të hapur dje mundësinë që Spanja të ketë nevojë të aplikojë për një plan ndërkombëtar shpëtimi.

Pritet që Rajoy të dërgojë mesazhin që Spanja mund të bëjë shkurtime pavarësisht recesionit të saj dhe papunësisë prej 25%. Papunësia tek të rinjtë është rreth 50%.

Protestat kundër shkurtimeve dhe masave shtrënguese vijuan përgjatë natës dhe të enjten, me mijëra spanjollë të mbledhur jashtë parlamentit.

Protest Sparpaket Valenzia Spanien
Protestat kundër kursimeve nuk e lëkundin qeverinëFotografi: picture-alliance/dpa

Sytë tek Athina

Ndërkohë, drejtuesit e koalicionit qeveritar grek do të takohen të enjten për të finalizuar detajet e raundit tjetër të masave shtrënguese. Greqia duhet të kursejë rreth 11.5 miliardë dollarë, në mënyrë që të kualifikohet për këstin e ardhshëm të parave nga ndihmat ndërkombëtare. Çështjet më të debatueshme mbeten shkurtimi i pensioneve, tepricat brenda shërbimit publik dhe rritja e moshës së pensionit në 67 vjeç. Kryeministri grek Antonis Samaras do të prezantojë javën e ardhshme në parlament projektbuxhetin, i cili pritet të kundërshtohet drejtpërdrejt nga opozita.

Të mërkurën (26.09), 50 mijë njerëz dolën në shenjë proteste në rrugët e Athinës dhe vendi u përfshi në një grevë të përgjithshme 24-orëshe. Planet e masave shtrënguese për Greqinë janë nën shqyrtimin e trojkës ndërkombëtare: Bashkimit Evropian, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Qendrore Evropiane, të cilët muajin e ardhshëm do të vendosin nëse këto plane janë praktike dhe përmbushin kushtet për shpëtimin e Greqisë.

Autor: Elona Elezi (Reuters, AFP, dpa)

Redaktoi: Auron Dodi