1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza financiare në RTK rrit presionin politik

8 Dhjetor 2009

Publicistët në Kosovë thonë se Radio Televizioni i Kosovës, duhet të jetë një transmetues publik në shërbim të qytetarëve pa ndërhyrje politike.

https://p.dw.com/p/Kwh5
RTK në Prishtinë
RTK në PrishtinëFotografi: DW

Gazetarët e pavarur në Kosovë, thonë se kanë ngritur vazhdimisht zërin kundër ndikimit të politikës mbi transmetuesin publik të Kosovës. Radio Televizioni Publik i Kosovës në këtë fazë është duke përjetuar një krizë financiare dhe gjithë kjo është bërë nga ndikimet politike. Kriza financiare në RTK është thelluar sepse Korporata Elektroenergjetike e Kosovës ndërpreu kontratën me transmetuesin publik, ku nëpërmes faturave të energjisë bëhej parapagimi nga qytetarët.

Futja në buxhet rrit ndikimet politike

Rrahman Pararizi, kryetar bordi i RTK-së i tha DW-së se nëse transmetuesi publik detyrohet të futet në linja buxhetore atëherë ndikimet politike janë të pashmangshme. “Imagjinoni nëse një transmetues publik në një demokraci fragile siç është në Kosov,ë të financohet ngë buxheti i Kosovës, çfarë ndikimesh mund të ketë mbi politikat editoriale. Në këtë rast transmetuesi publik do të ndodhej gjithmonë në një kërcënim financiar," thotë Paqarizi.

Unioni i Transmetuesve Publik Evropian në një letër dërguar qeverisë së Kosovës, kërkon nga ekzekutivi i vendit që të mos ndërhyjë në politikat redaktuese të RTK-së. Mirëpo, kryeministri Hashim Thaçi ka përjashtuar mundësinë e ndikimit në transmetuesin publik, duke thënë se qeveria që udhëheq do të punojë për media të pavarura. “Unë gjithmonë kam qenë partner i mediave i zhvillimit dhe avancimit të tyre dhe vazhdimisht do ta keni mbështetjen në rritjen e transparencës nga qeveria, sepse kjo është edhe obligim," thotë kryeministri Thaçi.

Në RTK- kontrollohet lajmi

Mirëpo, kështu nuk mendojnë gazetarët nga Asociacioni i Gazetarëve Profesionist të Kosovës. Bul Salihu, anëtar bordi në këtë asociacion, thotë se në RTK- kontrollohet lajmi. “AGPK-ja kërkon nga mekanizmat ndërkombëtarë që të bëjnë presion mbi qeverinë dhe partitë politike që të ruhet në radhë të parë pavarësia editoriale e kësaj medieje. Po ashtu, AGPK-ja kërkon nga institucionet e Republikës së Kosovës që të gjejnë një mënyrë të qëndrueshme financimi, e cila do ta garantonte pavarësinë editoriale të RTK-së," thotë Bul Salihu.

Ndikimi sipas tij ka arritur pikën kulmore

Agron Bajrami, kryerdaktor i të përditshmes Koha Ditore, thotë se edhe më parë ka pasur ndikim të pushtetit mbi transmetuesin publik, mirëpo tani ndikimi sipas tij ka arritur pikën kulmore. “Gjatë të gjithë këtyre viteve që kur është themeluar RTK-ja, ky televizion i ka shërbyer më shumë politikës se sa qytetarit," thotë Agron Bajrami. Qytetarët e Kosovës ka vite që parapaguajnë transmetuesin publik me një shumë prej 3.5 eurosh në muaj. Mbledhja e këtyre të hollave është bërë nëpërmjet faturave të energjisë elektrike.

Kjo marrëveshje tash është ndërprerë në mënyrë të njëanshme nga ana e KEK-ut dhe po rrezikon ardhmërinë financiare të RTK-së. Kjo potencohet edhe në letrën e Drejtorisë së përgjitshme të Unionit Evropian të Transmetimeve. Kjo organizatë evropiane thotë se një transmetues publik i pavarur është një çështje jetike për Kosovën, në kohën kur vendi kërkon më shumë njohje si shtet i pavarur brenda Komunitetit Evropian.

Autor : Bekim Shehu

Redaktoi : Aida Cama