1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza financiare hedh hijen mbi Asamblenë e OKB-së

Tomas Nehls/Nju Jork25 Shtator 2008

Në Nju Jork anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së konsultohen për reagimin ndaj krizës financiare ndërkombëtare. Ministri i jashtëm gjerman u informua nga ekspertë amerikanë për shkaqet e krizës financiare

https://p.dw.com/p/FOlW
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, Nju Jork
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, Nju JorkFotografi: AP

Megjithë krizën fiinanciare vendet e industrializuara theksojnë, se do t´i mbajnë premtimet për bashkëpunimin me vendet në zhvillim. Edhe për Gjermaninë është e qartë: Ne nuk heqim dorë nga synimet e mileniumit.

Nuk e pati të nevojshme të vizitonte bursën e Nju Jork. Ministri i jashtëm gjerman, njëkohësisht edhe zëvendëskancelar e përjetoi vetë në qytet gjendjen e krijuar nga falimentimet e shumëfishta dhe dëshpërimin e vëzhguesve profesioniste në Mid-Taun Manhattan. Kriza financiare e lë në hije mbledhjen e asamblesë së përgjithshme të OKB-së, tha ai:

"Kjo prek thellë në imazhin për vetveten që një vendi që e sheh veten si mëmëdheu i tregut të lirë."

Me ekspertët e financave ai organizoi një darkë të përbashkët për të marrë vesh më shumë detaje për këtë zhvillim. Aty doli në pah edhe skepticizmi i brendshëm amerikan ndaj përpjekjeve për të gjetur zgjidhje me shuma miliardëshe. Jo për shkak të mungesës së mjeteve financiare, por për shkak të barrës që do t´i ngarkohej qytetarëve. Me një farë kënaqësie Shtajnmajeri konstaton në fund se ata janë të bindur, se pa rregulla të forta nuk mund të shkohet më tej. Prandaj edhe janë të gatshëm të dëgjojnë Evropën.

"Ne duhet të vendosim rregulla për të penguar rrëshqitje të investimeve të rrezikshme të kapitalit dhe të financave, të cilat kthehen në dëm të shumëkujt. Unë vetëm mund të shpresoj, që dëmi të mbetet i pakët për ekonomitë nacionale."

Nga ana tjetër ministrja gjermane për zhvillimin Hajdemari Vicorek-Cojl e sheh vetën të konfrontuar me tronditje të mëdha financiare ekonomike. Ajo mbërriti aty me frikën, se miliardat e vëna në dispozicion mund të vënë në rrezik premtimet financiare për zhvillimin në vendet e varfëra në mbarë botën.

Për fat të mirë si në një forum për Afrikën, ashtu edhe në analizën për masat e realizuara deri tani për luftimin e varfërisë rezultati ishte tjetër.

"Në diskutime është thënë vazhdimisht se premtimet do të mbahen. Dhe unë duhet të them, se kush beson, se në një situatë të shtimit të krizave, sidomos me rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës mund t´i tërheqë premtimet e veta, ai do ta shohë veten të konfrontuar me një botë, ku sundon gjithnjë e më shumë çrregullimi dhe dhunë. Prandaj është në interesin tonë, që ta praktikojmë këtë bashkëpunim."

Tani ministrja, e cila para tetë vjetësh përjetoi orën e lindjes së synimeve të mileniumit të OKB-së dhe që sot angazhohet për zbatimin e tyre si e ngarkuara e posaçme e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, shpreson në rrugëzgjidhje të tjera, sepse në fund të vitit, në Doha të Arabisë do të jetë raundi tjetër i madh i bisedimeve. Vlerësimi i saj lëkundet nga optimizmi në pesimizëm.

"Besoj, se kush bisedon këtu me përfaqësues dhe përfaqësuese të vendeve në zhvillim, krijon natyrisht një përshtypje krejt tjetër për seriozitetin e problemit se sa po të rrish në Bon apo në Berlin."