1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza financiare botërore ka prekur edhe Trustin Pensional të Kosovës

27 Mars 2009

Për shkak të mungesës së tregut të kapitalit në Kosovë afro 300 milionë eurot që ka mbledhur Trusti janë investuar në formë aksionesh në tregje të huaja.

https://p.dw.com/p/HLEo
Duke këmbyer para
300 milionë eurot e Trustit pensional janë investuar në formë aksionesh në tregje të huaja.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Kriza mbarëbotërore ka bërë që çmimi i këtyre aksioneve të Trustit Pensional të Kosovës të bjerë dhe humbjet e vlerës llogariten në afro 100 milion euro.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë ka filluar të praktikohet sistemi i Trustit Pensional të Kosovës. Ky sistem është një sistem i krijuar prej Bankës Botërore, i cili është praktikuar në disa vende të botës. Fillmisht ky sistem është praktikuar në vendet e Amerikës Latine dhe më vonë edhe në disa vende të Evropës. Po ç'rezultate ka treguar deri tani ky sistem?


"Ende është herët të themi se cilat janë rezultatet e këtij sistemi, sepse rezultatet mund të shihen vetëm në dhjetë apo 15 vitet e ardhshme. Është një sistem që kërkon kohë për të parë rezultatet, sepse natyra e sistemit është e tillë," - shpjegon për DW Adrian Zalli, drejtori i Trustit Pensional të Kosovës.


Kriza financiare botërore e ka prekur edhe Trustin Pensional të Kosovës, sepse rreth 300 milion eurot që ka mbledhur ky trust që nga përfundimit të luftës në Kosovë, janë investuar në formë aksionesh në vende të ndryshme të botës. Sikurse parashikohet në ligj të hollat e Trustit Pensional të Kosovës janë të investuara në instrumenta të tilla financiare si aksione, bono dhe depozita bankare në tregje të ndryshme financiare në botë.

Për shkak se në Kosovë nuk ekziton treg kapitali dhe instrumenta të tillë financiarë, nevoja e investimit në tregje të huaja bëhet edhe më e madhe. Kriza që ka prekur tregjet e huaja reflektohet edhe në rënien e vlerës së aksioneve, sikurse sqaron, Zalli: "Nëse para disa vitesh një njësi e trustit ka pasur çmimin shembull 1, tash ajo njësi ka rënë në 0.79, që do të thotë se vetëm gjatë vitit 2008 ka pasur rënie të vlerës diku rreth 29 përqind. Shndërruar në të holla llogariten diku 91 milion euro. Mirëpo mos të harrojmë se që nga fillimi i punës së trustit e deri në vitin 2008, ka pasur një rritje të vlerës së aksioneve, kështu që nëse merret parasysh rritja e vlerës së mëparshme dhe humbjet e vitit 2008, totali del se humbjet janë dikur rreth 55 milio euro."

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama