1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza e teksteve shkollore në Shqipëri

Arben Muka29 Shtator 2014

Në debatin për gjendjen e rënduar të teksteve në sistemin parauniversitar ekspertët shikojnë probleme të natyrës metodike, didaktike dhe psikologjike.

https://p.dw.com/p/1DMV5
Fotografi: DW/A. Muka

Pas operacionit në shkallë të gjerë për mbylljen e disa universiteteve private, tashmë vëmendja e opinionit publik në Shqipëri është përqëndruar tek tekstet shkollore në sistemin parauniversitar, ku përditë prindër dhe ekspertë të arsimit raportojnë mangësi dhe deformime në përmbajtjen e tyre. Prej një kohe të gjatë ka pasur mungesë vëmendjeje dhe ndalesë të mekanizmit kontrollues të librave për nivelin 9 vjeçar dhe atë të mesëm, ku është spekulluar dhe me formulën e teksteve alternative, sipas së cilës ishte secila shkollë që bënte zgjidhjen e versionit më të mirë nga ofertat e botuesve në lëndë të ndryshme.

Veronika, prind i një vajze 13 vjeçare tregon se teksti i historisë për fëmijën e saj është i mbushur vetëm me të dhëna, data dhe ngjarje telegrafike, ku mungon arsyetimi për dinamikën e zhvillimeve historike. “Për t'i shpëtuar interpretimit të ngjarjeve libri ka një mori datash, që e detyron nxënësin të mësojë pa logjikë, sikur mëson një vjershë përmendësh. Kjo është e antipedagogjike mendoj.”

Kurse Bendisi, student në vitin e dytë në Ekonomik, shpreh befasinë nga përmbajtja e librit të gjuhës shqipe të motrës së tij në klasën e 7. “Eshtë shërbimi më i keq për t'i mësuar gjuhën shqipe një adoleshenteje, pasi ka gabime të dukshme ortografike dhe kuptimore”.

Ministria e Arsimit premton kontroll të rreptë

Përballë kritikave në rritje, sidomos në rrjetet sociale, Ministria e Arsimit pranon se ka mjaft mangësi në tekstet shkollore, por e zbut gjendjen duke sqaruar se mjaft nga akuzat dhe talljet, që bëhen në komunikimin virtual nuk kanë të bëjnë me tekste, që janë pjesë e kurrikulës në arsimin parauniversitar, por me botime jashtëshkollore. Një zëdhënëse e Ministrisë pranoi në fillim të javës se problemi i teksteve po shqyrtohet me mjaft kujdes dhe seriozitet nga institucioni. Ajo citon ministren Lindita Nikolla të jetë shprehur se gjatë këtij viti u hoqën nga qarkullimi rreth 120 tituj të teksteve shkollore, ndërkohë që rishikimi do të vijojë e nëse konstatohen shkelje, nxitje dhune e urrejtje, këto tekste do të ndalohen.

Bildung in Albanien
Fotografi: DW/A. Muka

“Do ketë padyshim rishikim dhe heqje nga qarkullimi, nuk do lejojmë deformime të tilla në formimin e tyre”, ka komentuar Nikolla.

Larg detyrimit ligjor që e sanksionin shkollën të depolitizuar

Dr. Ndriçim Mehmeti, ekspert i çështjeve të arsimit, mendon se pas politizimit të skajshëm të teksteve shkollore para viteve '90 është bërë shumë punë për reformimin e tyre. Duke dashur që tregu i librit shkollor të liberalizohej, u krye ajo që quhet reforma e Altertekstit, e cila ka synuar të sjellë prurje të reja në fushën e hartimit të teksteve dhe përmirësimit të tyre, thotë dr. Mehmeti për Deutsche Welle-n. “Shkaqet, të cilat sollën këtë gjendje problematike, erdhën si rezultat i kontrollit të dobët të Ministrisë së Arsimit, mosfunksionimit të komisionit të përzgjedhjes në shkolla, ndryshimeve të bëra nga Ministria në mënyrën e përzgjedhjes, pa përjashtuar edhe mundësinë e aferave korruptive”.

Studiuesi Behar Gjoka është më i ashpër, kur shpjegon se mjerimi ku notojnë tekstet e lëndëve shoqërore, ka ardhur së pari, për shkak të një konceptimi të politikës arsimore, si një cak që ndërpritet, sa herë ndërrohen partitë dhe qeveritë. Kjo duhet të marrë fund dhe të zbatohet një politikë arsimore kombëtare dhe e vijueshme, thotë Gjoka për Deutsche Welle-n.

“Tjetër shkak mendoj se është konceptimi i këtyre lëndëve, sërish e sërish, zënë vend përplasjet politike, sepse po të vesh re tekstebërësit e shkencave shoqërore, në mënyrë absurde, deklarohen botërisht, se janë të djathtë dhë të majtë. Pra, duket se jemi dyfish të politizuar, madje jemi larg detyrimit ligjor, që sanksionin se shkolla është e depolitizuar. Tekstet mësimore të historisë, gjuhës, letërsisë etj., në syrin tim kanë edhe probleme të natyrës metodike, didaktike dhe psikologjike. Ato zakonisht ose të mbysin me dije, me ngarkesë të tepërt, që pak kuptohen nga nxënësi, ose mbeten në sipërfaqe të problematikës, duke e mbytur hapësirën e të nxënit - në një filxhan mund të derdhësh lumin - por ka vlerë vetëm ajo, që mbetet në hapësirën e filxhanit”.

Thomas Färber konsulent gjerman në Shqipëri
Fotografi: DW/A. Muka

Për studiuesin Behar Gjoka më absurde akoma është prania e morisë së gabimeve gjuhësore dhe drejtshkrimore, që është vetëm maja e ajsbergut të mangësive të këtyre teksteve, që sipas tij, formalisht dhe ligjërisht, varet nga akti i mosaprovimit nga Ministria.

Konsultimi me përvojën botërore dhe rajonale

Si rrugëdalje nga kjo situatë kritike Gjoka piketon fillimisht ndaljen e vrullit të analizave të përcipta dhe tekstet, që nuk përmbushin asnjë kërkesë përmbajtësore, formale, paraqitëse dhe në varësi të shkallës së gabimeve gjuhësore, të hiqen nga qarkullimi, pa shumë zhurmë.

“Hapja e debatit, analiza e gjendjes, shkaqeve, që sollën këtë batërdi tekstesh, është moment i dytë, i cili të ketë rezultat hartimin e një maketi kriteresh, metodike, pedagogjike, psikologjike dhe didaktike, duke konsultuar përvojë botërore, rajonale dhe me gjerë, duke parë praktikën e hartimit të teksteve mësimore. Pas këtij vetëdijësimi të palëve të interesuara, ku marrin pjesë të gjithë komunitetet, mësues, nxënës, prindër dhe studiues të fushave, nis veprimtaria e hartimit konkret të teksteve, që duhet të kalojnë nëpër sita verifikimi shkencor, metodik, didaktik, gjuhësor dhe sidomos faza e aprovimit të bëhet hapur, ku marrin pjesë të gjitha palët e interesuara, dhe pastaj teksti mësimor mundet të kalojë në shkollë.”

Ndërkohë Dr. Ndriçim Mehmeti e shikon tejkalimin e gjendjes në rradhë të parë tek ngritja e komisioneve të mësuesve më me përvojë, për rishikimin e teksteve mësimore, nga pikëpamja gjuhësore, e ngarkesës për grupmosha të tyre dhe pa dyshim edhe të njohurive shkencore, që ato përcjellin. “Një masë tjetër duhet të jetë përjashtimi i autorëve të teksteve që kanë pasur problem për një periudhë së paku 3-vjeçare. Së fundi, shtëpitë botuese të detyrohen që të pranojnë botime, të cilat janë në përputhje me standardet e miratuara dhe padyshim edhe pas një rishikimi paraprak nga grupe specialistësh në fushën e hartimit të teksteve

Një përvojë gjermane për raportin e mësuesit me tekstin

Për Thomas Färber, mësues gjerman me rreth 35 vite eksperiencë dhe që prej kohësh është duke punuar në një projekt në Shqipëri, tregon për Deutsche Welle-n se kur shfleton një libër, ai shkon te mësimdhënia nëpërmjet vetvetes, pra, mënyrave e rrugëve didaktiko- metodike, që ai personalisht has.

Thomas Färber Studienberater für die deutsche Sprache in Albanien
Thomas Färber konsulent gjerman në ShqipëriFotografi: DW/A.Muka

“Në mënyrë paradoksale, rruga larg tekstit mësimor kontribon që ai të kthehet në një vepër dhe që të ushtrojë ndikimin e vet. Në raste ekstreme - dhe më kujtohet këtu kreu i një departamenti, që e kishte treguar këtë si një mundësi - mund të zhvillosh mësimdhënie edhe pa tekst mësimor, çka në kuptimin e asaj, që u tha më lart, do të thoshte se mësuesi qysh në krye të herës pra, do të gjendej rrugës për tek didaktika-metodike. Sipas mendimit tim, aftësia e mësuesit shpaloset vetëm në këtë relativizim të lidhjes së saj me tekstin, që në Shqipëri vijon të quhet rëndom, ‘metodika'. Nëse një tekst, që kohë pas kohe thuajse të fton ta shmangësh atë, atëherë relativizohet detyrimi për ta shpjeguar atë faqe për faqe, apo për ta interpretuar, duke iu nënshtruar thënies: ta shkelësh pyllin pemë për pemë. Pylli duhet përjetuar – jo shuma e pemëve”.

Sipas Färber, shumë hartues e autorë tekstesh shkollore të gjermanishtes, rrahin gjoksin për progresin e qartë, që dëshmon puna e tyre. Por hapat përpara, kërkojnë edhe qëndrimin e drejtë ndaj personalitetit të mësuesit, që e reflekton atë e që vihet përballë shkathtësisë së nxënësve të besuar, duke ecur nga sot nesër, drejt hapave të së ardhmes.

“Unë mendoj se personaliteti i mësuesit, që është i konsoliduar si nga ana profesionale, ashtu dhe nga ajo karakteriale, ia del në vijim edhe pa tekste mësimore. A haset pranueshmëriua për një mësues të tillë përpos prindërve, a i besojnë mësuesit e gjermanishtes atij, që - si ata - ndodhet rrugës për të sjellë një eksperiencë të re, por që ka përshkuar tashmë edhe shumë rrugë të tjera e që e di se konkurrenca në kurs, bën që ato të ndodhen më pranë jetës reale, se sa ato që përdorin tekstet e gatshme, të cilët të guximshmëve mund t'u duken si rrugë të shkelura tashmë. Në shumatoren e këtyre pra, unë kam folur për shpërhapjen e forcës ndikuese dhe të asaj, se si kjo mund të përcillet tek nxënësit”.

Për Thomas Färber interesi për shitje, që kanë shtëpitë botuese, të cilët sigurisht se mbajnë parasysh edhe mbështetjen ndaj kontigjenteve të mësuesve, e respekton ndoshta shumë pak, pikërisht atë kontigjent.