1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza e qumështit mbledh në Bruksel ministrat e bujqësisë së BE-së

6 Tetor 2009

Me krizën aktuale në tregun e qumështit u morën të hënën (5.10.) ministrat e bujqësisë të vendeve të BE-së. Gjatë takimit të krizës rreth 1.000 fermerë protestuan përpara selisë së këshillit të ministrave në Bruksel.

https://p.dw.com/p/Jyrg
Protestë e blegtorëve për çmimin e qumështit në Bruksel
Protestë e blegtorëve për çmimin e qumështit në BrukselFotografi: DW

Prodhuesit evropianë të qumështit kërkojnë ndihmë nga Brukseli kundër rënies së çmimeve. Shpesh, ata janë përpjekur të tërheqin vëmendjen e opinionit duke derdhur në fusha sasira të mëdha qumështi. Tani, gjatë një demonstrate në Bruksel, ata hodhën vezë kundër ndërtesës ku ndodhet selia e Këshillit, në të cilën mbahej takimi i ministrave të bujqësisë. Shumë fermerë p.sh. kërkojnë që BE-ja të vazhdojë të rregullojë tregun e qumështit me anë të kuotave.

Më shumë liberalizim në tregun e qumështit

Por vendet anëtare kanë vendosur të shkëputen hap pas hapi nga sistemi i kuotave – kjo do të thoshte më shumë liberalizim në treg. Këtë vendim e mbështet edhe ministri suedez i Bujqësisë dhe Kryetari i Këshillit, Eskil Erlandsson:

Ministrat e bujqësisë së Suedisë, Gjermanisë dhe Francës: Eskil Erlandsson, Ilse Aigner dhe Bruno Le Maire
Eskil Erlandsson, ministri suedez i bujqësisë dhe homologët e tij gjerman dhe francez: Ilse Aigner dhe Bruno Le MaireFotografi: picture-alliance/ dpa

"Situata në tregun e qumështit na tregon se sistemi i kuotave nuk e ka ndihmuar sektorin evropian të qumështit. Çmimi është i ulët megjithëse kemi një sistem kuotash."

Kur u mor vendimi për dhënien fund kuotës së qumështit, qeveria në Berlin arriti që fermerët të përfitonin një kompensim nga një fond për qumështin. Por për ministren gjermane të Bujqësisë, Ilse Aigner, kjo nuk është e mjaftueshme:

Arkat e BE-së kanë nevojë për fonde shtesë

"Vendimtare është që ne kemi nevojë për para të tjera nga BE-ja, një program koniunkturor edhe për fermerët. Për fusha të tjera u hartuan programe koniunkturore. Fondi i qumështit, të cilin kemi negociuar tani, fillon vetëm nga viti 2010, por ne kemi tani nevojë për mjetet financiare."

Aigner është pozicionuar qartë në mbrojtje të fermerëve dhe ka një aleat të fortë: Francën. Por në një situatë ku arkat e BE-së nuk kanë para të tepërta, Komisionerja e BE-së për bujqësinë, Mariann Fischer-Boel, nuk e di se nga mund të vijnë fondet shtesë:

"Unë do të isha e lumtur nëse vendet anëtare do të jepnin edhe pesë miliardë të tjera për sektorin e qumështit, por atëherë edhe qeveria gjermane duhej të ishte e gatshme të paguante, dhe unë nuk jam e sigurt nëse ministrat e financave janë të të njëjtit mendim. Por do të isha mirënjohëse për pesë miliardë të tjerë! Nëse vendet anëtare do të m’i jepnin këto para, unë do të siguroja që ato të shpërndaheshin në mënyrë të drejtë."

Protestë e blegtorëve gjermanë për çmimin e qumështit
Protestë e blegtorëve gjermane për çmimin e qumështitFotografi: AP

Vendimet u shtynë për takimine ardhshëm në Luksemburg

Vendime nuk u morën në Bruksel. Ato u shtynë për në një tjetër takim të ministrave të bujqësisë që do të mbahet në mes të muajit në Luksemburg. Në këtë polemikë për qumështin nuk bëhet fjalë vetëm për konfliktet rreth shpërndarjes mes vendeve të BE-së me ekonomi më bujqësore dhe atyre të orientuara më shumë drejt industrisë dhe sektorit të shërbimeve. Fjala është edhe për një polemikë parimore: më shumë treg apo më shumë ndërhyrje shtetërore si deri tani? Dhe m.q.s. politika e përbashkët e bujqësisë përbën edhe zërin më të rëndësishëm në buxhetin e BE-së, në këtë polemikë paratë luajnë një rol të madh.

Autor: Christph Hasselbach/Elert Ajazaj

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi