Kriza e BE dhe vendet e Ballkanit Perëndimor | Evropa | DW | 02.12.2013
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kriza e BE dhe vendet e Ballkanit Perëndimor

Kriza financiare dhe ekonomike në BE ka dëmtuar vendet e Ballkanit Perëndimor. Varësia e fortë nga BE dhe deficitet kombëtare lënë shumë pak hapësirë për përmirësimin e situatës.

Para krizës ekonomike në BE bankat greke ishin një faktor i rëndësishëm financiar në Balkan. Në më shumë se 1900 degë punësoheshin rreth 23.000 punonjës dhe angazhoheshin me 70 miliard ë euro. Me 15% të kapitalit të të gjitha bankave në Ballkan krahas institucioneve financiare austriake dhe italiene ata ishin një pikë e rëndësishme e ekonomisë vendase. Në to mund të merrje kredi. Pesë vjet pas krizës financiare dhe ekonomike në Greqi, situata ka ndryshuar, vlerëson Franz-Lothar Altmann, profesor për studimet evropiane në universitetin e Bukureshtit. Bankat greke për shkak të mungesës së mjeteve financiare në Greqi, janë të detyruara të tërheqin gjithnjë kapitalin nga vendet fqinje. „Në këtë mënyrë rritet vështirësia me kreditë në vendet e Ballkanit."

Ndërlidhje të ngushta BE-Ballkan Perëndimor

Por kjo nuk është e keqja e vetme për rajonin. Me të vërtetë Ballkani perëndimor po e ndjen të gjithë peshën e krizës ekonomike dhe financiare të BE. Shkak për këtë është gërshetimi i ngushtë ekonomik me BE. Dy të tretat e tregtisë së vendeve të Ballkanit perëndimor kryhet me shtetet e BE. Rënia e eksporteve, e investimeve të huaja dhe remitancave të emigrantëve, aq të rëndësishme, kanë çuar në një zhvillim negativ, ose fare të pakët. Pasojat për njerëzit janë katastrofale. Rreth një e treta e popullsisë në Ballkanin Perëndimor jeton në varfëri, papunësia ka arritur standardet greke, emigrimi po shtohet.

Pikërisht këtij fati deshi t'i shpëtonte ky rajon, kur u orientua drejt BE. Tani ai duhet të përjetojë, se është BE, ai që e ka bërë krizën e tij krizë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, vlerëson Milica Delevic, zëvendëssekretare e Përgjithshme e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Bruksel. Kjo deklaratë në një konferencë ndërkombëtare të Shoqatës së Europës Juglindore dhe fondacionit Friedrich-Ebert në Berlin mbeti e padiskutueshme.

Aprovim gjeti edhe përfundimi i zonjës Deleviç, se kriza do të ketë si rrjedhim që BE të fokusohet në përballimin e krizës së tij ekonomike dhe financiare. "Për aq kohë sa je shumë i zënë me një çështje të rëndësishme", tha zonja Delevic, "ke pak kohë për të çuar përpara diçka tjetër.„ Këtë proces nuk mund ta influencojnë vendet e Ballkanit Perëndimor. Por ata mund të përpiqen, për ta shfrytëzuar situatën si shans për reforma strukturore. Pasojat e krizës së importuar janë shumë të rënda, sepse rajoni vazhdon të vuajë nga deficitet strukturore.

Westbalkan-Wirtschaftskrise

Grafiku i krizës në Ballkanin Perëndimor

BE duhet të vërë kushte më të rrepta

Rëndësi për zhvillimin ekonomik ka niveli i lartë arsimor. Pikërisht ky është i ulët në vendet e Ballkanit Perëndimor në krahasim me vendet evropianoperëndimore, thotë Gerald Knaus kryetar i Think Tank „European Stability Initiative“. Edhe numri i madh i universiteteve që nga kthesa politike nuk ka sjellë ndonjë dobi. E njëjta gjë mund të thuhet për trajnimin profesional. Shkollat profesionale në vendet e Ballkanit Perëndimor konsiderohen gati kudo si shkolla "të të dështuave". Knaus konstaton, se arsimi dhe trajnimi profesional duhet të varen nga nevojat e ekonomisë, me qëllim që sipërmarrjet të jenë në gjendje, për të prodhuar produkte, që mund të eksportohen. Kjo presupozon, se elitat politike dhe arsimore të këtyre vendeve duhet ta kenë të qartë, se në cilat fusha do të lëvizë vendi i tyre në 10, 15 vitet e ardhshëm dhe në cilat do të mbetet në vend. Ky vizion mungon.

Në bisedat e tij të shumta në këtë rajon Gerald Knaus ka krijuar përshtypjen se jo vetem në mesin e elitës politike, por edhe në administratë ka një "qëndrim armiqësor ndaj sipërmarrjeve". Një qëndrim i tillë nuk krijon besim për investorët për t'u angazhuar në Balkanin perëndimor. Kjo vlen të thuhet edhe për sipërmarrësit, që vijnë nga rajoni dhe që janë aktivë jashtë vendi. Ata druhen që t'i hyjnë rrezikut për të investuar në pylltari në Bosnje, në industrinë tekstile në Shqipëri, ose në industrinë ushqimore në Maqedoni. Një rol të rëndësishëm për të ndryshuar këtë koncept mund të luajë BE. Ai mendon Knaus, duhet të përcaktojë shumë më qartë se sa deri tani, se çfarë duhet të bëjë një administratë, që rregullon ekonominë në nivel evropian. Raportet e përvitshme të progresit për kandidatët për anëtarësim në BE duhet të jetë më konkretë dhe më kritikë në këtë drejtim. Kjo do t'i ndihmonte vendet e Ballkanit për të ndërtuar një ekonomi konkurruese të orientuar nga eksporti.