1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

050111 Rückkehr D-Mark

6 Janar 2011

Ndërkohë që qeveria gjermane punon për stabilizimin euros, gjysma e gjermanëve duan kthimin e markës. Ata kanë frikë se Gjermania mund të shndërrohet në zjarrfikës në shpëtim të vendeve të zhytura në borxhe.

https://p.dw.com/p/zuCH
Mall për markën e dikurshme?Fotografi: AP

Në një kohë që qeveria gjermane po punon me zell për krijimin e një mekanizmi të qëndrueshëm për përballimin e krizave, Viti i ri nis atje, ku është mbyllur viti i vjetër. Në fjalimin me rastin e Vitit të Ri kancelarja tërhoqi vëmendjen për forcimin e euros, sepse...„Evropa ndodhet gjatë këtyre muajve në kulmin e një sprove të madhe."

Angela Merkel e di për çfarë flet. Në 2011-ën vendet e euros duhet të marrin kredi të reja si asnjëherë më parë. Fjala është për 560 miliardë euro gjithsej. Paketat e shpëtimit të përpiluara me nxitim për Greqinë dhe Irlandën nuk influencuan aspak ndaj tregjeve të financave, përkundrazi ato kërkojnë prim gjithnjë e më të lartë risku për bonot e thesarit të vendeve të falimentuara të zonës së euros dhe spekulojnë ndaj kandidatëve të ardhshëm për falimentim si Portugalia dhe Spanja.

Angela Merkel spircht im Bundestag in Berlin
Angela Merkel përkrahëse e flaktë e eurosFotografi: AP

Rikthehet mundësia për markën gjermane

Studiuesi i financave Markus Kerbe paralajmëron: „Më së voni me Spanjën ne do të arrijmë kufijtë maksimalë të kapaciteteve financiare." Ai është për një diskurs pa tabu lidhur me opcionet se si mund të shmanget në formën aktuale një dështim i unionit monetar. Në Gjermani ekonomistët ndërkohë kanë filluar të mendojnë edhe për rikthimin e markës gjermane.

Ekonomisti nga Darmshtadi Volker Nitsch, i njohur si një skeptik ndaj euros, në asnjë mënyrë nuk e preferon shpërbërjen e unionit monetar, megjithatë në debatin që zhvillohet aktualisht atë e shqetëson fakti, që monedha e përbashkët paraqitet si paalternativë prej politikanëve, sepse në rast dështimi kostoja do të ishte e papërballueshme. „Problemi në këtë histori është, se gjithçka mund të sheshohet dhe çdo hap që ndërmerret për ta mbajtur në këmbë Unionin Monetar Evropian, justifikohet me atë, se kostot do të ishin të paiamgjinueshme, ndaj unioni monetar është e keqja më e vogël. Unë nuk mund ta kuptoj këtë argumentim." Nitsch duhet ta di mirë këtë, sepse ai ka studiuar historitë e unioneve të dështuara monetare pas Luftës së Dytë Botërore dhe ka konstatuar se më shumë unione monetare kanë dështuar se sa janë krijuar të tilla.

Prof. Volker Nitsch
Prof. Volker NitschFotografi: Prof. Volker Nitsch

Ndërmjet viteve 1948 deri në 2007 kanë dështuar 69 bashkime monetare, por kjo nuk ka çuar në falimentimin e vendeve pjesëmarrëse. Ekonomisti i njohur nga SHBA Barry Eichengreen, i cili në vitin 2007 është marrë me shpërbërjen eventuale ose me fundin e zonës së euros, vlerëson, se Gjermania mund ta rikthejë markën gjermane pa rrezikuar të zhytet në krizë financiare.

Rikthimi i markës - kosto e jashtëzakonshme por e përballueshme

Eshtë e padiskutueshme që rikthimi i monedhës së vjetër në qarkullim shkakton kosto të jashtëzakonshme. Në radhë të parë këto janë kosto teknike: duhen shtypur kartmonedha të reja dhe stampuar monedha të reja, arkat dhe automatët duhen konvertuar sërish për markën gjermane. Por këto janë shpenzime, që duhen bërë vetëm një herë dhe të përballueshme.

Situata vështirësohet me kursin e këmbimit. Ky është edhe një argument i preferuar i kundërshtarëve të markës gjermane: Marka do të zhvleftësohej fuqishëm, eksporti do të shtrenjtohej e kësisoj ekonomia gjermane e varur prej eksportit do të dobësohej. Por Nitsch edhe këtë e përjashton, sepse produktet gjermane janë solide në tregun botëror të konkurrencës. Sipas tij në plan afatgjatë kostot (e një monedhe të fuqishme) duhet të jenë të përballueshme. Disa produkte prodhohen vetëm në Gjermani, e me siguri që ato do të kërkohen edhe nëse do të rihidhet marka në qarkullim."

Të gjitha kostot dhe humbjet, që do të ishin të lidhura me rivendosjen e markës gjermane, shumë gjermanë i konsiderojnë si minimale në krahasim me shumat, që përballon Gjermania për zgjidhjen e krizës së euros. Deri tani gjermanët kanë marrë pjesë me mbi 30 miliardë euro për shpëtimin e Greqisë dhe të Irlandës. Që Gjermania do të verë edhe më shumë në dispozicion, këtë e ka gjithkush të qartë. „Gjermanët paguajnë në një fuçi pa fund", i shkruan kancelares Merkel studiuesi i shkencave ekonomike dhe kritiku i njohuri euros Wilhelm Hankel.

Symbolbild Finanzkrise Griechenland
201Symbolbild Finanzkrise Griechenland. DW-Grafik: Per Sander 2010_08_11_symbolbild_finanzkrise_griechenland_2.psdFotografi: DW/BilderBox/dpa-picturealliance

Dështim i unionit monetar - krizë për integrimin evropian

Nën moton "më mirë një fund me tmerr se sa një tmerr pa fund" Gjermania mund ta përballojë ekonomisht kthimin tek marka gjermane. Por çfarë do të ndodhë me projektin politik të integrimit evropian? Mos vallë ky proces do të kthehet me dekada pas, nëse tërhiqet Gjermania, vendi më i madh në zonën e euros? Kësaj pyetjeje i përgjigjet me një "po" të qartë Volker Nitsch.

„Euro nuk është aplikuar e izoluar, ajo është realizuar përmes një procesi të gjatë integrimi, gjatë të cilit janë shmangur barrierat tregtare, janë zhvilluar procese politike afrimi dhe është krijuar një treg i brendshëm i përbashkët. Nëse monedha e përbashkët vlerësohet si një hap i integrimit, atëherë procesi i integrimit fillimisht do të dështojë."

Por Nitsch nuk do të shprehet lidhur me atë nëse Gjermania është e gatshme të marrë parasysh një risk të tillë. „Tek e fundit kjo është një çështje e vlerësimit politik." Sipas një konstatimi të përgjithshëm të historianit të ekonomisë: unionet monetare farkëtohen gjithmonë për arësye politike dhe atyre u jepet fund përmes vendimeve politike.

Autor: Zhang Danhong/Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Lindita Arapi