Kritika të shumëanshme për planin e OKB-së - qipriotët në referendum për ribashkimin | Evropa | DW | 23.04.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kritika të shumëanshme për planin e OKB-së - qipriotët në referendum për ribashkimin

Popullit të Qipros së ndarë që prej tri dekadash ditën e shtunë i është bërë thirrje të votojë në referendum për ribashkimin e ishullit. Pavarësisht nga insistimi i OKB-së dhe BE-së sondazhet e fundit në popull flasin për dështimin e planit të ribashkimit të paraqitur nga OKB-ja.

Harta e Qirpos

Harta e Qirpos

Për Rauf Denktashin, udhëheqësi i pjesës turke të Qipros ka qenë gjithnjë e qartë, se as që shtrohet për diskutim cështja e ribashkimit: "Nëse kam thënë "jo" dhe më quajnë kokëfortë, ky është për mua një nder. Historia do të më japë të drejtë."

Por duket se historia e ka lënë pas Denktashin. Në bazë të anketimeve pritet që më shumë se 60% e turqve të Qipros të votojnë pro planit të Kofi Ananit për ribashkimin. Plani i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së parashikon që Qirpoja e bashkuar të përbëhet nga dy shtete federale me pavarësi të gjerë, por me një qeveri qendrore. Në këtë mënyrë vendi mund të antarësohet në BE.

Turqit e Qipros mbështeten nga qeveria e tyre dhe nga kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan. Në Ankara shpresohet, që gatishmëria për kompromis mund ta ndihmojë edhe Turqinë për t´u antarësuar në BE.

Për udhëheqjen greke të Qipros kjo kthesë është e papritur. Madje shumë e papritur thotë, Takis Kadjidimitriou, ish-koordinatori i BE-së për pjesën greke të Qipros: "Qeveria jonë duhej t´i përgjigjej me më shumë fanatzi dhe largpamësi këtyre ndryshimeve. Por sic duket atë e ka marrë tashmë vala e ngjarjeve."

Në vend që të negociohej me seriozitet lidhur me planin palët insistonin duke folur kundër tij. Si rjedhojë njerëzit u bënë të pasigurtë. Pasoja është, që më shumë se dy të tretat e grekëve të Qirpos do t´i përgjigjen thirrjes se presidentit të tyre për ta hedhur poshtë planin e ribashkimit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, në këtë përfundim të cojnë anketimet e kryera në prag të referendumit. Ja se si e shpjegon frikën e njerëzve Takis Kadjimitriou: "Njerëzit mendojnë kështu: nëse biem dakord për planin, a do t´u përmbahet Turqia detyrimeve të saj? Nëse ajo nuk u përmbahet detyrimeve, atëherë kemi të bëjmë me shpërbërjen e Republikës së Qipros dhe papritur ishulli do të ndodhet në duart e Turqisë. Frika tjetër që kanë njerëzit është: nese Turqia i ruan të drejtat e invazionit, atëherë mund të përsëritet pushtimi i vitit 1974. Ndaj këto frikëra duhet merren seriozisht, dhe ka shumë njerëz që vërtetë kanë frikë."

Rreth 40.000 ushtarë turq janë të dislokuar ndërkohë në pjesën Veriore të Ishullit. Numri i tyre do të reduktohet gradualisht nëse ishulli do të ribashkohet, por për grekët e Qipros tërheqja
është një proces shumë i ngadalshëm.

Ka edhe kritika të tjera ndaj planit të Ananit: Vetëm pothuajse gjysma e 160.000 qiprioto-jugorëve të dëbuar mund të kthehen në fshatrat e tyre në Veri. Pavarësisht nga mbështetja ndërkombëtare ribashkimi do të kushtojë shumë. Gjithashtu Veriu ka nevojë për mbështetje ekonomike: të ardhurat për frymë në këtë pjesë janë një e katërta e asaj që fiton një grek i Qipros.

Ndoshta ka edhe argumenta që mund t´ua ndryshojnë mendjen grekëve të Qipros: "Mendoj, se pasoja më e madhe e "Jo-së" do të jetë izolimi i grekëve të këtij ishulli. Një jo në referendumin e ribashkimit mund të shkaktojë dëm të madh politik, por edhe dëm në cdo formë tjetër. Ndërkohë që si kundërpërgjigje do të përmirësoheshin dukshëm marrëdhëniet mes BE-së dhe turko-qipriotëve. Edhe nëse plani i Ananit nuk është perfekt, antarësimi së bashku në BE dhe mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare, mund të influencojë pozitivisht për t´i kapërcyer boshllëqet", thekson ish-koordinatori Kadjidimitriou.

  • Data 23.04.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArHU
  • Data 23.04.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArHU